TAGS-AT E JAVËS

Editorial 9 Korrik 2024, 13:42

Përfshirja në Ukrainë, një vetëvrasje për NATO-n

Shkruar nga Viktor Orbán
Përfshirja në Ukrainë, një vetëvrasje për NATO-n
Viktor Orban /

Kemi pakt me Aleancën për të qëndruar larg luftës...

NATO po i afrohet një momenti vendimtar. Vlen të përmendet se aleanca ushtarake më e suksesshme në historinë botërore, nisi si një projekt paqeje, dhe suksesi i saj në të ardhmen varet pikërisht nga aftësia e saj për të ruajtur paqen. Por sot, në vend të paqes, agjenda është lufta; dhe në vend të mbrojtjes sulmi.

Dhe kjo bie ndesh me vlerat themeltare të NATO -s. Përvoja historike e Hungarisë, është se transformime të tilla nuk çojnë kurrë në një drejtim të mirë. Sot detyra kryesore duhet të jetë ruajtja e aleancës si një projekt paqeje. Në rastet kur na duhet të bëjmë deklarata për NATO-n, ne hungarezët gjendemi në një pozitë të veçantë.

Hyrja jonë në NATO, shënoi herën e parë në disa shekuj që Hungaria iu bashkua vullnetarisht një aleancë ushtarake. Rëndësia e anëtarësimit tonë, bëhet e qartë në dritën e historisë kombëtare. Historia e Hungarisë e shekullit XX-të, është gjithashtu për fat të keq një histori e humbjes në luftëra të ndryshme.

Përvoja jonë kolektive, është ajo e luftërave të zhvilluara periodikisht brenda sistemeve të aleancave, në të cilat ne fillimisht nuk donim të ishim pjesë. Sado që u përpoqëm të qëndronim jashtë dy luftërave botërore dhe sado me forcë u përpoqëm t’i paralajmëronim ato vende me të cilat ishim të detyruar të lidhnim aleanca, çdo rast sillte një disfatë që gati e fshiu Hungarinë nga faqja e dheut.

Edhe pse nuk ndodhi më e keqja, humbjet tona ishin të mëdha. Këto luftëra e lanë Hungarinë pa një kontroll mbi të ardhmen e saj. Pas vitit 1945, ne u bëmë pa dëshirë pjesë e bllokut sovjetik, dhe rrjedhimisht edhe e Traktatit të Varshavës: aleanca e atëhershme ushtarake e bllokut lindor.

Hungarezët protestuan dhe bënë të pamundurën për të shkaktuar rënien e Paktit të Varshavës.

Në vitin 1956 revolucioni ynë, nguli gozhdën e parë në arkivolin e komunizmit; dhe ndërsa ai sistem po përmbysej, kryeministri ynë i atëhershëm ishte udhëheqësi i parë në ish-bllokun lindor që deklaroi në Moskë se duhet të shpërbëhej Traktati i Varshavës.

Pjesa tjetër është histori. Aleanca ushtarake që na ishte imponuar, u shpërbë thuajse menjëherë, dhe vetëm pak ditë pas atij takimi të famshëm, Ministri i Jashtëm hungarez shkoi në Bruksel për të negociuar fillimin e procesit të anëtarësimit tonë në NATO. Kur kombi hungarez iu bashkua NATO-s, ai nuk kishte qenë një anëtar vullnetar i një aleance ushtarake për një kohë të gjatë - ndoshta deri në 500 vjet.

Përveç dëshirës sonë të natyrshme për t’u çliruar nga dominimi sovjetik dhe bashkuar me Perëndimin, një faktor i veçantë e bëri NATO-n tërheqës për ne: më në fund po i bashkoheshim një aleance ushtarake që nuk ishte e angazhuar për të bërë luftë, por për të ruajtur paqen, jo për të sulmuar dhe zgjeruar kufijtë e tij por për mbrojtjen e vetes dhe të njëri-tjetrit.

Nga perspektiva hungareze, nuk mund të kishim dëshiruar asgjë më të mirë. Ne e ruajmë ende këtë pikëpamje, dhe deri më tani s’ka pasur asnjë rrethanë që e ka vënë atë në dyshim. Duke parë 25 vjet mbrapa, mund të them me besim se ajo që më në fund i bindi hungarezët për t'u bashkuar - krahas dëshirës së përgjithshme për integrim si pjesë e Perëndimit – ishte premtimi i NATO-s për paqe.

Njëzet e pesë vjet më parë, më 16 shtator 1999, si kryeministër isha i pranishëm kur u ngrit flamuri hungarez në selinë e NATO-s në Bruksel. “Për Hungarinë, anëtarësimi në NATO do të thotë gjithashtu paqe”-thashë atëherë. Që nga ajo kohë kam ndjekur nga afër zhvillimin e vizionit të aleancës për të ardhmen, dhe mënyrën se si Hungaria i ka përmbushur angazhimet që mori kur u anëtarësua.

Ne kemi bërë të pamundurën për të rritur forcën ushtarake, për të demonstruar vendosmërinë e saj dhe fituar përvojë në ruajtjen e paqes. Kështu, së bashku me aleatët tanë të NATO-s,  morëm pjesë në misionin ISAF në Afganistan, kemi qenë që nga dita e parë anëtarë të KFOR-it, misionit paqeruajtës në Kosovë.

Po ashtu, Hungaria siguron mbrojtje ajrore për dy aleatë të tjerë të NATO-s, Sllovakinë dhe Slloveninë, dhe sipas një skeme me rotacion edhe për shtetet baltike. Në vendin tona ndodhet selia e Qendrës së Divizionit Shumëkombësh të Shtabit të Evropës Qendrore, një element kyç i sistemit të bashkëpunimit ushtarak që është pjesë e Krahut Lindor të NATO-s.

Për të rindërtuar aftësitë mbrojtëse, shpenzimet tona në mbrojtje ishin vitin e kaluar 2 për qind e PBB-së, në përputhje me angazhimet që kishim marrë në samitin e NATO-s në Uells.

Në vitin 2016, Hungaria nisi zbatimin e një programi gjithëpërfshirës të modernizimit të forcave, dhe ne po shpenzojmë 48 për qind të buxhetit të mbrojtjes për zhvillimin e forcave, më shumë se dyfishi i pragut që kërkon aleanca. Dhe kjo na ka bërë një nga 10 vendet anëtare me performancën më të lartë.

Aktualisht jemi duke blerë pajisjet më moderne për Forcat e Mbrojtjes Hungareze. Ushtarët tanë po përdorin tashmë tanket gjermanë Leopard, helikopterë të rinj Airbus dhe mjetet  e blinduara Lynx dhe Gidrán, dhe po ashtu kemi blerë njësi të sistemit të mbrojtjes ajrore NASAMS.

Lufta në Ukrainë, ka treguar se vendet anëtare evropiane të NATO-s, po përballen me një mungesë serioze në kapacitetet industriale ushtarake. Zhvillimi i industrisë sonë të mbrojtjes, kishte nisur shumë kohë përpara shpërthimit të luftës, si pjesë e planeve të zhvillimit ekonomik të Hungarisë, por që atëherë është bërë një faktor kyç për pozicionin e ardhshëm të NATO-s.

Pra Hungaria, po bën më shumë sesa i takon peshës së saj për zhvillimin e aftësive mbrojtëse, pjesëmarrjen në misione dhe zhvillimin e forcave të saj ushtarake. Por kur flitet për të ardhmen e NATO-s, ne nuk jemi plotësisht dakord me shumicën e vendeve anëtare.

Sot, gjithnjë e më shumë zëra brenda NATO-s po flasin për domosdoshmërinë apo edhe pashmangshmërinë  e konfrontimit ushtarak me qendrat e tjera të fuqisë gjeopolitike në botë. Ky perceptim i konfrontimit të pashmangshëm, është si një profeci vetë-përmbushëse.

Sa më shumë që liderët e NATO-s besojnë se konflikti është i pashmangshëm, aq më i madh do të jetë roli i tyre në nxitjen e tij. Sot natyra vetë-përmbushëse e kësaj profecie të konfrontimit, po bëhet gjithnjë e më e dukshme, me lajmet se kanë filluar përgatitjet për një operacion të mundshëm të NATO-s në Ukrainë.

Madje edhe me raportet e nivelit të lartë, se trupat nga vendet anëtare të NATO-s janë tashmë pranë frontit ukrainas. Megjithatë, për fat të mirë, Hungaria ka arritur një marrëveshje të rëndësishme me NATO-n, duke pranuar rolin tonë thelbësor në aleancë, por duke na përjashtuar nga përpjekjet e saj për mbështetjen e drejtpërdrejtë në Ukrainë, qofshin ato ushtarake apo financiare.

Si një komb paqedashës, ne e kuptojmë NATO-n si një aleancë mbrojtëse, të cilën kjo marrëveshje ndihmon për ta siguruar. Ata që janë në favor të konfrontimit, i bazojnë zakonisht argumentet e tyre në epërsinë ushtarake të NATO-s dhe botës perëndimore.

Historiani i madh Arnold Toynbee, argumentoi se “qytetërimet vdesin nga vetëvrasja, dhe jo nga vrasja”. Si aleanca më e fortë ushtarake që bota ka njohur ndonjëherë, nuk duhet të kemi frikë nga disfata nga ndonjë armik i jashtëm.

Një armik i jashtëm, s’do të guxojë të sulmojë asnjë vend anëtar të NATO-s. Por ne duhet të kemi shumë frikë nga refuzimi që i bëjmë vlerave që e lindën aleancën tonë. NATO e përmbush qëllimin e saj kur fiton paqen, dhe jo luftën. Nëse zgjedh konfliktin në vend të bashkëpunimit dhe luftën në vend të paqes, ajo do të bëjë vetëvrasje./Përshtati Pamfleti nga “Newsweek”

Shënim: Viktor Orbán është kryeministër i Hungarisë.

vetëvrasja e nato-s përfshirja në ukrainë

Lini një Përgjigje