Ky është një model totalisht oriental, i një dominimi patetik të skenës nga një personazh që kontrollon pushtetin.
Enver Hoxha, i cili ishte njeriu që drejtoi me dorë të hekurt këtë vend për 45 vjet, e kontrollonte çdo skutë të shtetit dhe ishte përgjithësisht i padukshëm në publik.
Në atë kohë, shteti, me një fjalë qeveria, kishte në dorë që nga ekonomia, bujqësia, delet e dhitë që kishte çdo fshatar, drejtësinë, policinë e gjithçka.
Kur prishi kisha e xhami, Enveri u soll edhe si një lloj prifti a hoxhe, duke marrë rolin e udhëheqësit shpirtëror. Me një fjalë, ishte një i gjithëpushtetshëm në të gjitha drejtimet.
Por sërish nuk dilte t’ju ‘çante dërrasat’ njerëzve nga mëngjesi në darkë, duke folur pa fund sikur të kishte ‘ngrënë plënc pule’.
Enveri dilte rrallë, madje me fuqizimin e pushtetit të tij, gjithnjë e më rrallë. E njerëzit thonin ku është, çfarë bën? A është mirë?
Disa që nuk e donin, fatzinjtë, e nga marazi që kishin, gatuanin fantazi të ndryshme se më në fund ‘qoftëlargu’ po i afrohej ditës së mbrame.
Enveri që i mësonte të gjitha si pasojë e Sigurimit të Shtetit, këtij përbindshi që kontrollonte gjithçka, argëtohej kur mësonte çfarë populli dinte për të. E në përputhje me humorin e çastit, llogariste lëvizjet e radhës.
Ndryshe nga Enver Hoxha, për të cilin Edi Rama ka shprehur në një intervistë te Fevziu një admirim për fuqinë e pushtetit, ku e quajti një “kafshë politike”, Babloku i të fortëve të provincave, nuk le rast pa ju ‘mbirë në bark’ njerëzve, duke ju dalë nga mëngjesi në darkë në televizor prej 12 vitesh pa pushim.
Po përveç ditëve të zakonshme, Edi Rama ka mani të jetë njeriu i dasmave dhe i vakive, ku ‘mbin’ për të thënë fjalë në çdo ngjarje, edhe pse nuk i takon, apo nuk e pret kush nga ai. Siç ka ndodhur me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë, të cilëve u ka organizuar ceremonitë, por edhe ka mbajtur fjalimet e rastit.
Shumë e tallin, duke e quajtur të shkarë, maniak, i fiksuar e gjëra të tilla. Bëjnë meme me Bablokun, duke i shkuar edhe më shumë pas fijes.
Të gjitha këto, Edi Rama, i ka pjesë të planit të tij, për të komunikuar edhe me ata, mbi të cilët nuk ushtron dot pushtet.
Njerëzit që nuk e votojnë prej 12 vjetësh, janë një armatë e bindur kundër njeriut që i ka lënë pa punë e pa lidhje politike.
Edi Rama u del si ‘djall’, ditë për ditë, e vaki për vaki, duke imituar Sali Beirshën, që u bënte karshillëk socialistëve kur arrestoi Fatos Nanon.
Dhe një pjesë e tyre nisën të përçaheshin, pranonin pushtetin e Sali Berishës e korruptoheshin. U desh vetëm ndërhyrja e amerikanëve që e çmontuan Doktorin, për t’i shtruar rrugën opozitës drejt pushtetit.
Këtë model përdorin të gjithë liderët e Lindjes së Mesme, vendeve arabe me Iranin e Magrebin. Ku gjithë ditën flasin pallavra, sepse e dinë që dikujt i pëlqejnë, e dikujt tjetër që nuk i pëlqejnë e bindin për fuqinë tënde.
Modeli tipik që jepet në telenovelat turke, ku personazhi kryesor, flet edhe për fitoren ndaj kundërshtarit, dhimbjet e simptomat e sëmundjeve, rregullat e tregtisë, por edhe psikologjinë e vajzave e grave. Këtë bën thuajse identik Rexhep Taip Erdogani, i cili është në pushtet që prej vitit 1998 në Turqi.
Shkurt ky është një model totalisht oriental, i një dominimi patetik të skenës nga një personazh që kontrollon pushtetin. Që do të tregojë veten edhe bamirës, edhe ai që të bën gjëmën. Shkurt e qartë, një model mesjetar, pas të cilit Babloku i veshur me çitjane e me atlete, i çmend njerëzit me mend. Që megjithatë e ndjekin se mendojnë që ndryshe do u çojë taksidarët tek era. Siç bëri vëllai i Rikard Zemërluanit me Robin Hood-in e baronët e tjerë rebelë./Pamfleti
Lini një Përgjigje