Ata që shkruan letra anonime, duke denoncuar shkrimtarin tek Komiteti i “Nobel-it”, nuk kanë tagër të shkruajnë për veprën e tij...
Është thënë gabimisht. Nuk i iku Nobeli Kadaresë, por Kadare i iku “Nobel-it”. Në rregull, ka fjalë se ja morën nga dora denoncuesit lokal, të cilët ishin mësuar se kulmi i letërsisë dhe vlerësimit publik mund të prekej vetëm me lejen e tyre. Kështu veprohej në Komitetet e partisë.
A nuk është pak a shumë njëjtë, të shkruash letër anonime, apo denoncim te një komitet, qoftë ai i partisë apo “Nobel-it”?
Principi, por me gjasë edhe mesazhi mbetet i njëjtë, ”Njeriu nuk është ashtu si thotë vepra”.
Ndoshta ato letra të turpshme, për të cilat është trumbetuar në mediat tona, nuk i ka lexuar askush në “Komitet”, por vetëm nëpër kafenetë tona mediatike kanë marrë vëmendje.
Ndoshta ne, thjesht nuk duam të pranojmë se gjeniu ynë, i iku “Nobel-it”? Nuk e priti dot. Nuk është “Nobeli” sikur Godoja! Nuk është as çështje personale e shkrimtarit.
Ajo çfarë i ka mbetur komitetit pas ikjes së gjeniut të letrave, është që ta ndjekin. Krejt kjo ndjekje nuk ka të bëjnë më aq me personin e quajtur Ismail Kadare, sa me kodin që la pas. Ai në vepër e kodoi universin e tij letrar. E ka shtrydhur nga mendja e tij gjithçka që kishte t’i thoshte njeriut tjetër, pra njerëzimit. Kur i flet një njeriu të vetëm i ke folur njerëzimit, e kur ke folur me njerëzimin, ashtu si bëri Kadareja, atëherë padyshim se ke arritur edhe deri te njeriu, ke prekur edhe paradigmën e tij, ke shkruar kodin kolektiv, ke shkruar drejtpërdrejtë në subkoshiencën kolektive.
Kadare iku. Kështu ndodhë natyrshëm me njeriun e lodhur nga jeta, intrigat, hipokrizia, i cili megjithatë kur i vuri pikën e fundit në fund të fjalisë, bëri paqe me veten me idenë se i kishte thënë të gjitha.
Pas tij ka mbetur vetëm vepra... dhe pluhuri mediatik. Ata që shkruan letra anonime, duke denoncuar personin, tek Komiteti i “Nobel-it”, nuk kanë tagër të shkruajnë për veprën e tij. Nuk është çështje e thjeshtë kompetence, por edhe niveli.
Ndoshta tani “Nobeli” do të ndjekë Kadarenë, hap pas hapi, rresht pas rreshti, libër pas libri, nëpër universin e tij letrar dhe do ta kuptojë përse e denoncuan. Denoncuesit, kanë pasur peshë vetëm në komitete, ku e ruanin vijën “e pagabueshme”. Natyrisht edhe në median tonë, e cila vlon nga politika, sidomos në rubrikën e kulturës, nuk janë pa peshë. Artistët lokal, të lagjeve e të kafeneve të kryeqytetit vlerësojnë pa kompleks, secilin me të njëjtën mendësi. Kryejnë të njëjtën punë që e kishin kryer dhe në komunizëm, ruajnë vijën, veçse tash vijën kombëtare, fetare, politike.
Lufta e Ismailit me këtë karvan të pafund “thithësish” të buxhetit të shtetit për kulturë, siguri apo çka do qoftë që e mbron sistemin. Buxhetin tek i cili mund të vihej vetëm duke dëshmuar se ishe më luajal se Kadareja apo ndonjë artist tjetër i talentuar. Pastaj vendoste Komiteti i Partisë (Jo i “Nobel-it”). Bashkë me përpjekjen për të shkruar, duhej edhe mbijetuar.
Ka edhe më keq se të denoncojnë në Komitetin e “Nobel-it”, edhe pse është vështirë për një njeri normal, të kuptoj përse dikush do të denonconte dikë që e rrëzoi diktaturën me ikjen e tij, përpos nëse vet “diktatura” nuk po i hakmerrej përmes mënyrës që ajo njihte më së miri.
Më keq është edhe kur, pa asnjë kompleks, në Mediat Sociale e shajnë njerëz që nuk kanë lexuar asnjë libër, por ka edhe më keq se kaq. Më keq është ajo situatë kur të shajnë apo lavdërojnë ata që kanë lexuar vetëm një libër.
Por, është ngushëllues fakti se këto edhe mund të kenë qenë fjalët e fundit publike të këtyre zërave të shterur të histerisë provinciale dhe ideologjike, ndaj njeriut që krijoi universin e vet letrar. Tashmë nuk mund të merren më me njeriun Kadare. Përballë tyre ka mbetur vetëm vepra monumentale e një njeriu të vetëm i cili, më mirë se askush në gjuhën shqipe, e ndoshta edhe në gjuhët kryesore të botës, e zhveshi dhe e denoncoi një regjim autoritar. Kur e përshkruan aq thellë një regjim autoritar, i ke përshkruar të gjitha regjimet nëpër kohë dhe planet. Dallojnë vetëm ngjyrat, notat, format, por mbetet i njëjtë helmi dhe pa lumturia që prodhojnë në emër të ideve të mëdha dhe në emër të njeriut.
Pra, në kohën e socializmit kishte miq edhe armiq të pushtetit, artist të talentuar, por shumica, siç ndodhë zakonisht ishin të patalentuar, argëtues të masave dhe nomenklaturës, servilë dhe përfitues favoresh. Ata nuk jetuan për artin por jetuan nga arti. Ata që nuk arrinin të denonconin politikën përmes artit, ata denoncuan artin përmes politikës. Kadare e bëri me sukses global të parën, ndërsa të dytët denoncuan Kadarenë.
Pastaj, kur të bjerë pluhuri mediatik, sidomos në mediat sociale, do të kuptojmë se universi që na e la, ka më shumë vlerë se “Nobeli”. Rrëfimi i Kadaresë është një rrëfim përmes të cilit do të njohim vetveten më shumë se nga çdo përrallë, apo rrëfim që na e treguan gjyshet tona të mira. Është një rrëfim që do na mbajë zgjuar në këtë epokë të shpëlarjes së trurit./Pamfleti
Lini një Përgjigje