TAGS-AT E JAVËS

Editorial15 Korrik 2024, 10:23

Atentati ndaj Trump dhe Lufta e Dytë Civile në SHBA

Shkruar nga Christian Rocca
Atentati ndaj Trump dhe Lufta e Dytë Civile në SHBA
Amerika /

Trump mund t’i humbasë edhe zgjedhjet e 5 nëntorit. Por këtë herë, pas asaj që ndodhi në Pensilvani, kush mund të betohet se 6 janari 2021, nuk do të ndodhë më në një mënyrë edhe më vendimtare, më të përhapur dhe madje edhe më të dhunshme?

Tentativa për vrasjen e Donald Trump, vrasja e njërit prej votuesit të tij, dhe plagosja e dy personave të tjerë nga 20-vjeçari nga Pensilvania Thomas Matthew Crooks, nuk janë një episod i izoluar në një debat publik, që vështirë se është i denjë të konsiderohet demokratik dhe i kulturuar.

Ka kohë që në Amerikë po zhvillohet një luftë civile me intensitet të ulët, e cila nisi që me rebelimin populist të Tea Party (një fraksion i rëndësishëm brenda Partisë Republikane) kundër establishmentit republikan në vitet e presidencës George W. Bush.

Për të kaluar tek lëvizja akoma më radikale “Occupy Wall Street” kundër botës demokratike në vitet e presidencës së Barack Obamës. Lëvizja trumpiane MAGA (Make America Great Again), banditët e komplotit QAnon, radikalizimi ANTIFA i  kohëve të fundit, janë “fëmijët” natyralë të kësaj kohë të turbullt.

Ka disa libra që i tregojnë shumë qartë të gjitha këto, por unë veçoj “Stuhia ka mbërritur“ nga Luke Molgelson, botuar në Itali nga Orville Press dhe “Ringjallja” me autor Robert Kagan, që do të dalë në treg në Itali pas verës nga Linkiesta Books.  Janë të panumërta shfaqjet e urrejtjes reciproke dhe të rebelimit populist kundër establishmentit politik në SHBA.

Në qendër të tyre është gjithmonë Trump, me delegjitimimin e Obamës nëpërmes lëvizjes “Birther”, e cila pretendonte në mënyrë të rreme se ai kishte lindur në Kenia, nxitja për të futur në burg kundërshtaren e tij Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016 dhe kërkesa e qartë drejtuar një fuqie të huaj, Rusisë, për të hakeruar serverët e Hillary-t si dhe për të shpërndarë përmbajtjen e e-maileve të saj personale.

Lufta e Dytë Civile nisi seriozisht më 6 janar 2021, me sulmin trumpian ndaj selisë së parlamentit në Uashington nga një turmë e mbledhur atë ditë për të penguar ratifikimin e  zgjedhjes president të Joe Biden, pasi Trump ishte përpjekur me çdo mënyrë të korruptonte procesin e vlefshmërisë së votës së amerikanëve.

Më 6 janar pati 5 të vdekur, 174 roje të plagosur, dhe më vonë 4 vetëvrasje të policëve që ishin përpjekur të mbronin institucionet demokratike. Atë ditë, shumë deputetë demokratë u detyruan të fshiheshin nga turma që donte t’i linçonte publikisht, ndërsa zëvendës presidenti republikan Mike Pence, i konsideruar si tradhtari i fundit i Trump, vetëm sepse kishte pranuar rezultatin e votimit, arriti të shpëtonte nga ata që donin të varnin në litar.

Pati qindra arrestime, dhe më pas dhjetëra dënime penale, një procedurë fajësimi kundër Trump, e shpëtuar sërish nga vota partiake e republikanëve në Senat, si edhe disa procese penale ende në vazhdim kundër ish-presidentit, por së fundmi të dobësuara nga një vendim i pabesueshëm i Gjykatës së Lartë, i mbushur nga Trump me gjyqtarë militantë.

Përpjekja për vrasjen e Donald Trump të shtunën, është episodi më i fundit i kësaj lufte, por vështirë se do të jetë i fundit fare. Shqetësimi mbi sulmin dhe solidariteti i shprehur ndaj Trump ishin unanime. Joe Biden dhe demokratët, ishin në rreshtin e parë të atyre që denoncuan degjenerimin në akte të tilla kaq ekstreme të fushatës elektorale.

Një solidaritet që nuk është shprehur kurrë nga kampi i Trump, as në rastin e sulmit të 6 janarit ndaj Kongresit nga “djemtë krenarë”, të cilët ai i përshkroi si patriotë të mëdhenj. Dhe as kur në fundin e vitit 2022, udhëheqësja demokrate Nancy Pelosi ishte objektivi i një ekspedite ndëshkuese për ta vrarë në shtëpinë e saj.

Bashkëshorti i saj u plagos rëndë me çekiç në kokë, dhe shpëtoi për një mrekulli (në fakt Trump e bëri atë objekt të fushatës së tij zgjedhore, duke u tallur me dobësinë e Pelosit, dhe faktin që ajo është e pasigurt edhe në shtëpinë e saj). Sot Trump është i gjallë për shkak të një mrekullie.

Nëse rishihni nga afër imazhet e atentatit ndaj tij, mund ta vini re atë duke e anuar kokën 1 centimetër, saktësisht një fraksion sekonde para se plumbi të godiste veshin e tij të djathtë. Reflekset e shpejta pas goditjes ishin po aq të jashtëzakonshme, dhe imazhi i Trumpit si Rocky Balboa me fytyrën e tij të përgjakur, grushtin e shtrënguar teksa i nxit votuesit të “luftojnë” është fundi jo aq tragjik i një ngjarje që mund të ishte shkuar edhe ndryshe.

Është e vështirë të parashikohet sesi Joe Biden dhe demokratët, tashmë në vështirësi serioze në sondazhe, por edhe për shkak të formës së dobët fizike të presidentit, mund të rifitojnë terren në këtë situatë, e bërë edhe më tej paradoksale nga fakti se ekonomia po ecën shumë mirë, bursa po rritet, papunësia po bie dhe inflacioni është frenuar.

Tentativa për vrasjen e Donald Trump, mund ta përshpejtojë procesin e zëvendësimit të kandidatit demokrat, në përpjekje për të ndryshuar plotësisht dinamikën elektorale tashmë të komprometuar. Por kush do jetë emri i ri? Si do të shkohet në këtë skenar?

Gazeta amerikane Wall Street Journal, i fton të dyja kampet të ulin tonet, të ndryshojnë retorikën dhe sjelljen, dhe të mos përdorin tone apokaliptike për të përshkruar fitoren e mundshme të kundërshtarëve të tyre.

Duke përjashtuar një dorëzim nga demokratët, që nuk ka gjasa të ndodhë, është pothuajse e pamundur të ndryshosh tonin, edhe pse tentativa për vrasjen e Trump e ka neutralizuar argumentin kryesor liberal kundër kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë: si mund të argumentohet tani se fitorja e Trump është një rrezik për demokracinë, nëse dikush tentoi ta vriste gjatë një tubimi elektoral?

Tragjedia është se Amerika është seriozisht në prag të shndërrimit në një regjim autoritar në rastin e fitores së Trump, siç tregohet edhe nga programi radikal “Project 2025” i përgatitur nga Fondacioni Heritage për ta ndihmuar Trumpin në reformimin Amerikës. Por edhe tek kërcënimet trumpiane që paralajmërojnë persekutimin e kundërshtarëve politikë.

Sigurisht, situata nuk lehtësohet nga fakti që dikush tentoi ta vriste të shtunën. Trump mund t’i humbasë edhe zgjedhjet e 5 nëntorit. Por këtë herë, pas asaj që ndodhi në Pensilvani, kush mund të betohet se 6 janari 2021, nuk do të ndodhë më në një mënyrë edhe më vendimtare, më të përhapur dhe madje edhe më të dhunshme?

Mëngjesin e të shtunës, gjysma e poshtme e faqes së parë të New York Times, e ndryshuar për t’i dhënë hapësirën e duhur sulmit ndaj Trump, kishte një artikull të gjatë me titull “Indiferentë ndaj akuzave të 6 janarit, republikanët po ecin përpara me planet për të kundërshtuar një humbje të mundshme në zgjedhjet e këtij viti”.

Artikulli tregon sesi në nivelin lokal, mbështetësit e Trump janë organizuar tashmë për të përmbysur një rezultat të mundshëm negativ më 5 nëntor, dhe për ta parandaluar fitoren e demokratëve përmes vendimeve administrative nga zyrtarë politikë të caktuar posaçërisht.

Sot nis në Milweukee Konventa e Partisë Republikane, ku Trump do të pritet si një hero i mbijetuar, dhe si i vetmi i aftë për t’i rikthyer Amerikës nderin e humbur. Ndërkohë në datat 19-21 gusht, në Chikago do të mbahet një konventë të ngjashme nga Partia Demokratike, e frikësuar, plot dyshime, dhe e ndarë nga pjesa tjetër e botës./ Përshtati Pamfleti nga “Linkiesta”

 

atentati ndaj trump lufta e dytë civile shba

Lini një Përgjigje

Editorial