TAGS-AT E JAVËS

Editorial 5 Gusht 2024, 11:18

E fshehta e Himarës: Pse e zgjodhi Rama, Vangjel Tavon?

Shkruar nga Pamfleti
E fshehta e Himarës: Pse e zgjodhi Rama, Vangjel Tavon?
Qirjako Micotaqis dhe Edi Rama

Edi Rama kishte edhe ’OK’ e Qirjako Micotaqisit. I cili ka të drejtë të mburret në Parlamentin grek: Himarën nuk e bëmë brenda natës greke, por një grek safi vumë në krye të saj. E siç thotë babloku, ky është fillimi, e ne nuk kemi parë gjë akoma. Kalimera qirje!

Nëse Edi Rama do të kishte zgjedhur Vangjel Tavon në maj të vitit 2023, e nuk do të kandidonte Jorgo Goron, nuk do kishte shpërthyer as problemi me Greqinë; nuk do të ishte fryrë as Fredi Beleri sa po pëlcet nga heliumi mediatik, madje nuk do të bëhej as eurodeputet.

Të gjitha këto i shkaktoi Edi Rama, me mendësinë e tij prej faraoni, siç e thotë bukur Blendi Kajsiu, duke insistuar për të kandiduar për herë të katërt Jorgo Goron.

I cili përveçse një emër i stërdjegur, ishte edhe një personazh mjaft i akuzuar nga shumica e banorëve për abuzime me shumëçka në fshatrat e Himarës. I preferuari i oligarkëve, pasi firmoste ç’u thoshin, Goro ishte edhe kandidati i vetëm që PS kishte që në 1992, vetëm për faktin se i përkiste një familje të madhe të Spilesë dhe Himarës së vjetër. Familje që kishte lidhje si me regjimin komunist, por mbi të gjitha me qarqet e Athinës.

Pra Gjergji, nuk se ishte ndonjë piluriot, vuniot apo borshiot që për flamurin kuqezi nuk ndërron emër, fe e identitet. Pasi Gorua, një ditë të bukur nga Gjergji na u bë Jorgo. Por kjo është një tjetër histori, që ja vlen për tu bërë më vete.

Edi Rama, në fushatën e zgjedhjeve të 14 majit 2023, e sulmoi ashpër Fredi Belerin, duke u thënë himariotëve: ”Edhe këtë do ma bëni mua, do votoni për një gdhë”? E në fund, siç dihet shumica e banorëve të Himarës, Dhërmiut, e Pasasës, madje edhe shumë në Borsh e Lumin e Vlorës, votuan për gdhë-në si për t’ja futur një shuplakë surratit Edi Ramës dhe arrogancës së tij.
Pikërisht këtu, mësohet se Edi Rama është xhindosur dhe e ka marrë personale.

Thuhet se ka marrë Jorgo Goron e shkretë, e i ka thënë do shkosh në burg si ai shoku yt, duke nënkuptuar Belerin. E në realitet ashtu ndodhi. Atëherë ka nisur negociatat me Vangjel Tavon, që nuk kanë qenë të lehta. Sidomos pas tragjedisë familjare që u ndodhi me të bijën. E thuhet se pikërisht në ditët e zisë dhe ngushëllimeve për tragjedinë, ku ka marrë pjesë edhe Edi Rama, është folur për herë të parë për Himarën. Këshilla për Tavon, Ramës i ka ardhur nga disa ish-drejtues të PS. Dikush thotë Fatos Nano, e dikush Et’hem Ruka, por siç duket kanë qenë miq të përbashkët.
Ish-drejtuesit e vjetër të PS-së, të nisur nga logjika politike, kanë ofruar këshillën e një socialisti të vjetër e të qëndrueshëm si Vangjel Tavo, por në mëndjen e Edi Ramës, duket ka gëluar inati, mllefi me himariotët, për t’ua treguar qejfin për shuplakën që i dhanë.

E kështu ju solli për herë të parë një dropullit, një person nga jashtë për t’i qeverisur. Në të vërtetë asnjëherë në Himarë nuk ka drejtuar ndonjë i huaj. Kanë qenë vetë himariotët, që me dinakërinë e tyre janë shpërndarë në të gjitha partitë e silogjet greke, italiane e turke, por gjithmonë kanë qeverisur vetë.

Edhe këto 30 vite kanë qenë me PD, PS, a me grekun, e kurrë nuk lanë një të huaj që t’i qeverisë. Por erdhi një ditë, që një nip i tyre, u solli një gjirokastrit dropullit, e kjo vetëm nga inati, por duhet thënë një inat dinak, i cili kishte edhe ’OK’ e Qirjako Micotaqisit. I cili ka të drejtë të mburret në Parlamentin grek: Himarën nuk e bëmë brenda natës greke, por një grek safi vumë në krye të saj. E siç thotë babloku, ky është fillimi, e ne nuk kemi parë gjë akoma. Kalimera qirje!/Pamfleti

rama vangjel tavo himara qirjako micotaqis

Lini një Përgjigje