TAGS-AT E JAVËS

Editorial30 Korrik 2024, 20:34

Çfarë PS-je po bën Edi Rama në mandatin e katërt të saj?

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë PS-je po bën Edi Rama në mandatin e katërt

Fatos Nano, me të marrë vesh kandidimin e Edi Ramës për kryetar të Partisë Socialiste në vitin 2005, bëri thirrje publike që të mos votojnë për të, pasi Rama tha se Nano do ta shkatërrojë ngrehinën e PS-së.

U duk si deklaratë inati, mllefi apo emocionale. E në kongresin e tetorit të vitit 2005, një pjesë e mirë e delegatëve votuan Edi Ramën pasi kishin simpati për karizmën e tij dhe natyrisht edhe për mënyrën sesi përballej me Sali Berishën.

Në realitet, Fatos Nano, e dinte se Edi Rama do të luante fort, nuk ishte çëshje që do argëtonte vlonjatët e sillte skraparlinjtë siç kishte bërë Ilir Meta, apo fuqizimin e lobit lab që kishte mbështetur Gramoz Ruçi.

Nano e dinte pikërisht zanafillën e paktit me Edi Ramën, i cili në politikën e PS-së nuk erdhi vetëm, por bashkë me Sorrosin.

Rama, pa qenë fare njeri politik, i solli para Partisë Socialiste për të financuar fushatën e vitit 1997, ndërkohë që financoi me një shumë të madhe nëpërmjet Sorosit, një nga mediat më të fuqishme opozitare ndaj Sali Berishës.

E pikërisht, duke u nisur nga kjo fuqi e Ramës, Kryeministri nuk i pranoi George Sorosit hapjen e një Universiteti në Tiranë, që më pas manjati e ngriti në Hungari, si universiteti i dytë pas Bjellevogradit në Bullgari.

E falë kësaj politike, Nano pati probleme në gjetjen e dyerve të hapura në Uashington. Madje problemet nisën që në fillim me ambasadoren amerikane në Tiranë, Mariza Lino.

Ndaj Nano, në prillin e vitit 1998 afroi Edi Ramën në qeverinë e tij, me dijeni të plotë, se ky i fundit dhe grupi që e mbështeste do t’i shkaktonin telashe. Që nisi vetëm 2 vjet më pas, kur Edi Rama, së bashku me Ilir Metën, që e bëri aleat, kërkoi bashkinë e Tiranës. Në fushatën e tij për kryetar bashkie, Edi Rama thuajse nuk u mbështet fare nga stafi i Partisë Socialiste i Tiranës.

Kryetari i degës, Musa Ulqini, thjesht merrej me listat e votuesve dhe komisionerët e qendrave të votimit. Numëruesit i zgjidhte Edi Rama, i cili për herë të parë pati një staf të huaj, ku në krye ishte një amerikano-hebre, i cili merrej edhe në vendin e tij me strategji fushatash. Linjë që Rama ndoqi edhe në krye të bashkisë së Tiranës, ku nuk punësoi asnjë person që ishte pjesë e Partisë Socialiste të Tiranës. Të gjithë ishin zgjedhje personale dhe e klaneve të tij. Dhe në mediat, që i kishte zgjedhur për të qenë luajale, që jo rastësisht janë të njëjtat që i ka sot pjesë e establishmentit, ai përhapte mesazhin se Edi Rama nuk është pjesë e PS, por e “partisë së Edi Ramës”. Ndaj kur mori Partinë Socialiste, Rama nisi menjëherë të bëjë partinë e Edi Ramës. Nuk ishte vaj i gjithë operacionit por sulmi ishte i fortë. Me anë të së ashtuquajturit “një anëtar një votë, tentoi” të marrë menjëherë strukturat e partisë.

Në Tiranë çoi Mimi Kodhelin, por në fund anëtarët votuan profesor Besnik Baren. Votim që u ndërpre disa herë me tentative manipulimi por që s’ia doli dot. Atëherë përdori dalëngadalë teorinë e kooptimit apo aleancës me pjesë të ndryshme e lobe që e kishin mbështetur. Afroi Ben Blushin e më pas e largoi duke joshur Gramoz Ruçin, pasi e pa Blushin si rrezik më të madh se pashai i jugut.

Pas ardhjes në pushtet, tentoi fort me Koço Kokëdhimën që t’i merrte fuqinë Ruçit, por në fund, e shiti mikun e tij të ngushtë ngaqë nuk arriti dot të mënjanonte Gramoz Ruçin, i cili edhe sot e kësaj dite ka në duar kontrollin e Zonës së Parë Operative, që në fakt është edhe baza e PPSH dhe Partisë Socialiste. Përndryshe solli në krye të PS-së dhe në poste të larta mjaft politikanë që nga Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Arben Ahmetaj, Taulant Balla, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Belinda Balluku, Blendi Çuçi apo Mirela Kumbaro. Shumicën i ka mënjanuar dhe gjasat janë ta bëjë edhe me të tjerët që kanë mbetur. Sepse të gjithë, Rama, duket i ka pasur thjesht mekanizma për të arritur qëllimin final, luftën totale, për ta bërë Partinë Socialiste, një parti që nuk ka shpirt, as bazë, por vetëm një kokë që përdor teorinë e zhvendosjes për të gjithë pjesën. Paralajmërimi i bërë në kongres që ai largohet vetëm kur të mos jetë më në këtë botë ishte kumti final për të parë se cili do të ishte reagimi i njerëzive të partisë.

Të cilët nuk kanë kohë e mundësi për tu larguar, së paku kështu mendon Edi Rama. Pasi koha është gjithmonë aty, sa më shpejt të largohen aq më të lirë do të jenë. Ta lënë Bablokun vetëm me njerëzit dhe skemat e tij, e t’i shpallin betejë. Fundja, më mirë edhe një mandat me Ramën, apo një stinë e fortë beteje për ta larguar atë e për të prodhuar një klasë të re politike. Ky duhet të jetë realisht synimi i të gjithëve që Edi Rama i poshtroi. Le të mendojnë një Parti Socialiste krejt ndryshe nga Rama, pa spiropal e muzhaq, por një parti normale njerëzish që edhe pse zihen, diskutojnë. E ç’është më e rëndësishmja, edhe zgjedhin. Për këtë duhet të thërrasin baballarët e partisë që nga Fatos Nano e të tjerë, nëse kanë nge, jo për të luftuar, por për të thënë diçka. Se pjesën tjetër të luftës e bën SPAK e SHBA./Pamfleti

ps edi rama mandati i katërt

Lini një Përgjigje