
Lëvizjet kundër turizmit në Evropë, kanë edhe një aromë populizmi, duke reflektuar zhgënjime mbi koston e jetesës dhe veçanërisht të strehimit. Evropianët e rinj janë të pakënaqur që kontinenti i tyre të kthehet në një muze gjigant.
“Jetoj këtu prej 26 vjetësh, dhe më duket sikur ky vend e ka humbur disi hijeshinë e tij”- thotë Alexis Heuser, duke treguar me duart drejt ujëvarës më të bukur që kam parë ndonjëherë. Është një mëngjes tepër i nxehtë korriku në Lauterbrunnen, një fshat zviceran me pamje nga Alpet Bernese, ku gjurmët e akullnajave të çojnë nëpër fusha të mbusha me shumë lopë që duke kullotur bëjnë zhurmë me këmborët që kanë në qafë.
Për gjatë shumë shekujve, bukuria e Lauterbrunnen ka frymëzuar shkrimtarë të njohur si Shelley dhe Bron dhe në vitin 1911 alpinistin e ri John Tolkien, që më vonë e vendosi në këtë luginë qytetin mitik Rivendell në sagën e tij të famshme “Zoti i Unazave”. Por tani ky vend idilik është i kërcënuar.
Lauterbrunnen është në prag të mbingarkimit nga turizmi masiv, dhe fajin për këtë e ka TikToku dhe jo Tolkien. Përgjatë shtigjeve të luginës të tejmbushur me njerëz, dhjetëra prej tyre kanë ngritur shkopinjtë që bëjnë selfie sikur po shkojnë në një betejë, ndërsa radhët e gjata të vizitorëve gjarpërojnë para ujëvarave.
Një dron gumëzhin lart në qiell. Gjatë 2 viteve të fundit është bërë “i mbipopulluar dhe tepër i komercializuar” thotë Heuser. Kompania ku punon, Air-Glaciers, ofron udhëtime me helikopter nëpër luginë. “Sigurisht, biznesi shkon shumë mirë”- shprehet ajo ndërsa ne shohin autobusët që ecin ngadalë përgjatë rrugës shumë të ngushtë.
“Po cilësia e jetës së vendasve? Ata kanë filluar të luajnë mendsh. Tani ka shitës ambulantë që shesin salçiçe të veshura me miell misri, një specialitet amerikan”- shton ajo. Kjo është një histori e njohur në të gjithë Evropën. Turistët, një pjesë e madhe e tyre amerikanë që përdorin dollarin e plotfuqishëm, po mbërrijnë në kontinentin në shifra marramendëse.
Sot në BE ka 65 për qind më shumë vizitorë amerikanë sesa 10 vjet më parë. Por nuk janë vetëm amerikanët. Ndërsa një klasë e mesme e pasur po shfaqet në Kinë, Indi dhe Brazil, më prej këtyre njerëzve janë në lëvizje. Vitin e kaluar, kishte 709 milionë vizitorë jashtë shtetit të tyre, një rritje prej 22 për qind nga një dekadë më parë.
Ndërsa pjesa e pasurisë globale po zhvendoset nga Evropa në Kinë, Indi dhe Gji, po bëhet e pa rezistueshme joshja nga plazhet, muzetë, kishat, dyqanet e stilistëve dhe trashëgimia kulturore evropiane, relike e kombeve që dikur sundonin pjesën më të madhe të planetit.
Sidomos pas përfundimit të pandemisë së Covid-19. Joshja ndaj Evropës duket se po rritet, edhe pse po bie pasuria e saj ekonomike dhe pesha e saj gjeopolitike. Mallorca pritet të thyejë për të tretin vit radhazi rekordin për numrin e turistëve. Në vitin 2022, ishulli pati 17 milionë vizitorë. Këtë vit priten 20 milionë, ose rreth 22 herë më shumë se sa popullsia e saj.
Një reagim i ashpër kundër turizmit masiv, është vënë re prej disa vitesh. Venecia ka marrë masa për ndalimin e anijeve turistike, dhe këtë vit ka futur një tarifë hyrje prej 5 euro për çdo vizitor në ditët më të ngarkuara. Në pranverë të këtij viti, Amsterdami njoftoi një “ndalim të plotë” të turizmit në masë deri në vitin 2035.
Kjo do të thotë “jo anije lundrimi, jo hotele të reja, dhe jo më shumë se 20 milionë vizitorë në të njëjtën kohë. Lëvizje të ngjashme kundër turizmit në masë ka në Athinë, Lisbonë, Venecia dhe në pjesën më të madhe të Spanjës, duke përfshirë Barcelonën, Mallorca dhe Tenerife.
Po çfarë po e nxit këtë lëvizje? “Nëse kthejmë kokës pas, që në shekullin XIX-të, filozofi anglez Ruskin shprehte keqardhje për shpejtësinë me të cilën Alpet po pushtoheshin nga turistët”- thotë Lucy Lethbridge, autore e librit “Turistët:Si britanikët shkuan jashtë vendit për të gjetur vetveten”.
“Në vitet 1820, Alpet ishin ende një vend i egër, dhe shumë udhëtarë rrezikonin jetën. Por në vitet 1850, ato ishte bërë një destinacion i ri i sporteve dimërore”- thekson ajo. Britanikët kanë udhëtuar jashtë vendit për t’u çlodhur që nga koha e Grand Tour, kur lordët e Epokës Viktoriane nisën udhëtimet kulturore nëpër Evropën Perëndimore.
Por, ishte Thomas Cook, ai që krijoi turin e parë në paketë në vitet 1870, duke shoqëruar grupe të vogla turistësh në Francë, Gjermani dhe Itali. Në mënyrë të pashmangshme, ajo ngjalli një snobizëm në mesin e klasave të kohës së lirë ndaj kolegëve “britanikë jashtë vendit” dhe që vazhdon deri më sot.
Ndryshuesi i vërtetë i situatës, ishte ardhja e udhëtimeve ajrore të lira. Revolucioni EasyJet, që e ka hapur Evropën ndaj të gjitha llojeve pushimit, po mbush 30 vite. Në vitin 1955, një biletë vajtje-ardhje nga Nju Jorku në Londër me “Trans World Airlines” kushtonte 222 paund ose 2.561 paund me kursin e sotëm.
Tani i njëjti udhëtim kushton rreth 390 paund. Dhe akomodimi është shpesh më fleksibël dhe më i përballueshëm për shkak të platformës Airbnb. Një nxitës tjetër janë mediat sociale. Falë gjithë-përfshirjes së Instagram dhe TikTok, shumë më tepër njerëz po vizitojnë të njëjtat vende, të etur për të ngrënë në të njëjtat restorante apo për të bërë foto në të njëjtën ujëvarë.
Kthehemi në Lauterbrunnen. Në pikun e sezonit, popullsia e fshatit prej 2.400 banorësh shkon në 6.000. Nuk janë nivelet e Venecias, por gjithsesi vështirësitë ndihen. Rrugët nuk kanë trotuare, duke i detyruar njerëzit të ecin në mes të trafikut. Para shtëpive, tabelat paralajmërojnë “Qëndroni jashtë!” dhe “Mos bëni foto!”.
Muajin e kaluar, disa banorë menduan të vendosnin një “taksë turistike ditore”. Duke ecur nëpër fshat, ndesh një grup 20-vjeçarësh me çanta shpine në një udhëtim 6-javor nga Kalifornia:Lauren, Mira dhe Micah. “Rreth një vit më parë i dërguam njëri-tjetrit video në TikTok se sa të bukura janë Alpet”- thotë Micah.
Më pas vajzat do të vizitojnë Parisin, Vjenën dhe Pragën. “Shumë nga miqtë tanë e kanë bërë tashmë këtë tur”- thotë Mira. Teksa temperaturat në Evropën Jugore po kalojnë rregullisht 40 gradë Celsius gjatë verës, luginat alpine të Zvicrës dhe Austrisë po bëhen më të njohura. Në Hallstatt, Austri, një qytet kaq i bukur sa që Kina ka ndërtuar një kopje të tij, banorët bllokuan vitin e kaluar tunelin kryesor që të çon në qytet. Por ka edhe qasje të ndryshme. Tom Durrer është menaxheri i resortit të Lauterbrunnen, dhe është rritur në fshat. Ai ka 105.000 ndjekës në Instagram dhe poston video dhe foto të bukura në faqen Lauterbrunnen Tourism, e cila ka pothuajse 300.000 ndjekës. Vitin e kaluar, fshati pati një numër rekord fjetjesh: 330.000.
Kur faqja e tij në Instagram u rrit shumë disa vite më parë, Durrer thotë: “Nuk u befasova. Lugina jonë është shumë fotozhenike”. Ai e mohon që Lauterbrunnen të ketë një problem me turizmin e tepërt. “Në pikun e sezonit është pak i mbushur me njerëz, por unë e preferoj këtë në krahasim me kohët e koronavirusit, kur gjithçka ishte bosh. Në atë kohë, banorët duhej të merrnin kredi për të mbijetuar”-thotë ai.
Lëvizjet kundër turizmit në Evropë, kanë edhe një aromë populizmi, duke reflektuar zhgënjime mbi koston e jetesës dhe veçanërisht të strehimit. Evropianët e rinj janë të pakënaqur që kontinenti i tyre të kthehet në një muze gjigant. Lëvizja “Mallorcan Less Tourism”, është modeluar sipas një lëvizje të ngjashme në Ishujt Kanarie.
Pere Joan, një student 25-vjeçar nga Mallorca, thotë se grupi i ka shtuar protestat këtë verë sepse “situata nuk është më e qëndrueshme”. Joan është përfshirë në demonstrata për të “pushtuar plazhet”. Ai thotë se turistët habiten kur aktivistët shkojnë në plazh dhe shpalosin pankarta.
“Ne përpiqemi të bisedojmë me ta, t’u shpjegojmë pse po i bëjmë këto gjëra. Nuk është se kemi probleme me vetë turistët, por me modelin e turizmit në Ishujt Balearike”- thotë ai.
Edhe pse Mallorca jeton me turizmin, Joan thotë se pasuria shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, dhe nga ajo nuk po përfitojnë shumica e banorëve./Përshtati "Pamfleti", marrë nga “The Sunday Times”
Lini një Përgjigje