Çfarë fiton Sali Berisha dhe çfarë fiton Edi Rama përmes paktit të arritur mes tyre...
Edi Rama dhe Sali Berisha në vitin 2008 kanë komunikuar direkt me njëri-tjetrit nëpërmjet mesengerit të Facebook, por këtë herë jo.
Si pasojë e SPAK, ngaqë telefoni i ish-kryeministrit është në kontroll, megjithatë, askush nuk e përjashton se mund të kenë folur nëpërmjet pajisjeve të tjera.
’Deal’-e të tilla nuk bëhen thjesht me ndërmjetës, pasi në fund, ka një Pazar; çfarë fiton njëri e çfarë tjetri. E këtu garancitë bëhen ’in personam’.
Në këtë rast, pazari Rama- Berisha nuk ka lidhje thjesht me listat, por me të ardhmen e vendit. Ata duan ta mbajnë të pathyer xhamin e kristaltë që mbron kastën 30 vjeçare. Me fjalë të thjeshta, me këtë pakt, si Rama, ashtu edhe Berisha, kanë vendosur që përkundër vullnetit ndërkombëtar të mbajnë këmbët mbi privilegjet që kanë krijuar, duke përfituar nga të gjitha të mirat e këtij vendi.
Por të vijmë realisht tek pakti që u arrit dhe që do të votohet në Kuvend, çfarë është ai.
Çfarë ka arritur Sali Berisha?
Me anë të ndryshimeve të reja në marrëveshje me Ramën, sipas gjasave asnjë ose shumë pak do zgjidhen deputetë jashtë listës së kontrolluar prej tij.
Për ta thjeshtëzuar: Sipas të gjithë sondazheve apo edhe rezultateve të zgjedhjeve të fundit, PD e Sali Berishës shkon tek 46 deputetë. Sipas draftit, 46 deputetë do të dalin vetëm nga listat e firmosura e vulosura nga kryetari i partisë. Çfarë del më shumë, pra kush arrin të marrë vota preferenciale, duke i dhënë partisë një mundësi për të rritur numrin e deputetëve, edhe mund të zgjidhet. Por loja fillon nga numri 46.
Po a arrin PD e Sali Berishës që të marrë më shumë se 46?
Sipas të gjitha sondazheve, shifra shkon nga 45 deri 47.
Ndërkaq krejt ndryshe është për PS-në, e cila, si pasojë e pëçarjes dhe copëtimit të opozitës, pra mos paraqitjes së saj në një listë elektorale, mund të marrë 80 deputetë, edhe me votat e 2021 apo aq më shumë me ato të 14 majit 2023.
Sondazhi i fundit i bërë në muajin qershor thotë që PS fiton gjysmën e votave të atyre që marrin pjesë në zgjedhje. E që përkthehet me 80 mandate, ku 46 janë nga listat e mbyllura, e 34 nga listat e hapura.
Pra Edi Rama, me këtë sondazh mbështet strategjinë që do nxjerrë të dielën në kongres, ku 1/3 e kandidatëve do të jenë të rinj, e do të zgjidhen sipas preferencave.
Në letër duket se ka fituar Edi Rama, që në fakt është e vërtetë, pasi energjizon mandatin e 34 deputetëve që shumëzuar me 7 mijë vota i bie së paku 230 mijë vota, me mundësinë për t’i rritur pasi ata që garojnë fort do të kërkojnë shumë vota për t’u zgjedhur. Pra gati 40 përqind e kandidatëve socialistë do të garojnë majtas -djathtas për të marrë vota, gjë që Berisha mund ta bëjë në teori, por në praktikë, kur opozita është e ndarë, nuk ka asnjë shans.
PS, përkatësisht votuesit e saj që llogariten më shumë se 700 mijë vota, edhe mund të zgjedhin. Kurse votuesit e PD-së që llogariten rreth 450 mijë maksimumi nuk mund të zgjedhin, pasi edhe po ta bëjnë këtë nuk zgjedhin deputetët që duan, por ato që do Sali Berisha.
Çfarë fiton Sali Berisha këtu?
Mban partinë në duart e tij, të vulosur nga zgjedhësit, plus votat që mund të vijnë shtesë. Megjithatë, si logjikë e pazarit, duhet shtruar se çfarë ka dhënë Sali Berisha për këtë Pazar? Ose çfarë premtimi i ka dhënë Edi Ramës për këtë Pazar? Ky aspekt është natyrisht i fshehtë, por gjasat janë që Sali Berisha ka dhënë ’OK’ për të mos kontestuar zgjedhjet, ose një votë të deputetëve të tij në Komisionin Anti- SPAK që drejton Fatmir Xhafaj. Këto do t’i vërtetojë koha. Ndërkaq, Edi Rama ka përfituar një opozitë që nuk e sfidon, e më shumë një grup servil që të votojë çfarë do mazhoranca. Kaq e thjeshtë!/Pamfleti
Lini një Përgjigje