TAGS-AT E JAVËS

Editorial27 Korrik 2024, 10:04

Prapaskenat e ikjes së Lindita Nikollës: Kush pritet ta zëvendësojë?

Shkruar nga Pamfleti

Prapaskenat e ikjes së Lindita Nikollës: Kush pritet ta

Ishin shumë pak vetë që ishin informuar, ndër të cilët edhe Edi Rama, i cili duket se është edhe regjisori i gjithë kësaj rrëmuje.

Lindita Nikolla ka dhënë dorëheqjen mbrëmë në mënyrë të papritur, në seancën e fundit të Kuvendit, kur askush nuk e priste. Madje as bashkëpunëtorët më të ngushtë të saj. Ishin shumë pak vetë që ishin informuar, ndër të cilët edhe Edi Rama, i cili duket se është edhe regjisori i gjithë kësaj rrëmuje.

Nikolla, duket ka bërë një mizaskenë alla Gramoz Ruçi, për të nxitur një largim senatorësh përpara thirrjes së Kongresit të PS-së që mblidhet nesër. Ku Edi Rama do të shpallë një rikompozim të grupit parlamentar të PS-së me njerëz të rinj.

E për këtë i është dashtur një veprim mbështetës, një hap prapa i Lindita Nikollës “për arsye shëndetësore”.

Ndërkaq, që në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nisën të qarkullojnë emrat e mundshëm që mund ta zëvendësojnë. “Llotoja” e kryetarëve të ardhshëm të Parlamentit, që është posti i dytë i Republikës, po qarkullonin nëpër grupet e socialistëve, ku më të kuotuarit kanë qenë Pandeli Majko dhe Elisa Spiropali. Dikush ka folur edhe për Fatmir Xhafajn.

Por nuk kanë munguar zërat edhe për një kryetar Kuvendi nga opozita. Madje dikush nga grupi parlamentar i PS-së, nuk ishte fare i çuditur pas pyetjes se a është e mundur që një opozitar të marrë kreun e Kuvendit. Edhe pse s’i batutë më shumë, nuk është ndonjë çudi që edhe kjo të jetë pjesë e paktit Rama-Berisha, që u blindua me bunkerizimin e listave zgjedhore për 2025-n.

Megjithatë, gjasat janë më shumë për një rokadë brenda PS-së, ku Rama kërkon të shpërblejë ata që i kanë qëndruar më shumë besnik.

Megjithatë, çdo gjë do të bëhet më e qartë nesër, kur Edi Rama do të mbajë fjalimin e gjatë të kongresit zgjedhor të PS-së. Dhe ku pritet që të shpallet largimi i gati gjysmës së skuadrës aktuale parlamentare, e në shtator edhe një ndryshim tjetër i qeverisë. Siç mësohet nga burime brenda PS-së, Rama do të nisë tani implantimin e disa posteve me emra nga diaspora, në mënyrë që të ketë vota më shumë prej emigrantëve. Makineria e PS-së, ka bërë një skemë ku do të nxitën shqiptarët jashtë vendit që të regjistrohen në zgjedhje, e dihet tashmë se cilëve qarqe u përkasin. Të gjithë këto janë pjesë e influencës së PS-së.

Në takimet e Gjermanisë dhe Londrës, që priten të zhvillohen në muajin shtator, Edi Rama do të shpallë edhe ardhjet e mëdha nga diaspora, e cila pritet të ketë edhe ministra./Pamfleti

Lini një Përgjigje