TAGS-AT E JAVËS

Editorial 3 Nëntor 2025, 11:53

Batakçinjtë e lindjes dhe naivët e perëndimit

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Batakçinjtë e lindjes dhe naivët e perëndimit

 Letra në “Corriere della Sera” zbulon paradoksin e Viktor Orbán në BE; në Shqipëri, modeli politik i Edi Ramës ndjek të njëjtën linjë: kërkon duartrokitjet e Brukselit, por qeveris me frymën e Putinit dhe Erdoganit...

Europa e sotme po përballet me një paradoks që po zgjerohet gjithnjë e më shumë: liderë që flasin në emër të Bashkimit Evropian, por qeverisin me frymën e Lindjes.

Në një letër të botuar nga gazeta italiane Corriere della Sera, një lexues italian shkruante: “Nëse Viktor Orbán e urren kaq shumë Bashkimin Evropian, pse nuk e lë?”- një pyetje që vlen sot edhe për Edi Ramën. Të dy janë mjeshtra të politikës së dyfishtë: përdorin fjalorin e Europës për të legjitimuar pushtetin, ndërsa në praktikë shtrëngojnë institucionet, kontrollojnë mediat, kapin ekonominë dhe e shndërrojnë shtetin në pasuri private. Orbán i Hungarisë e ka kthyer BE-në në bankomat që financon regjimin e tij iliberal; Rama, në Shqipëri, e ka kthyer integrimin evropian në fasadë që mbulon përqendrimin e pushtetit në një dorë të vetme. Që të dy jetojnë nga paratë dhe prestigji i Europës, por frymëzohen nga modeli i Putinit dhe Erdoganit, liderë që sundojnë me kontroll vertikal, propagandë dhe frikë.

Në Tiranë, Rama flet si europian, por vepron si autokrat ballkanik: ligje të personalizuara, tenderë të fshehtë, media të nënshtruara dhe drejtësi e menaxhuar politikisht. Ai ka mësuar, si Orbán, se demokracia nuk është domosdoshmërisht për t’u forcuar, por për t’u përdorur si alibi dhe për të qëndruar në pushtet.

Ndërsa Orbán përdor veton për të bllokuar BE-në, Rama përdor premtimin e integrimit për të heshtur opozitën dhe për ta kthyer reformën në instrument kontrolli. Kjo është forma moderne e autoritarizmit europian: qeveri që duken demokratike në fjalime, por funksionojnë si sisteme të mbyllura në praktikë.

Europa vazhdon t’i trajtojë këta liderë si “rast të veçantë”, me justifikimin e stabilitetit, ndërsa stabiliteti i tyre është blerë me heshtjen e qytetarëve dhe me dobësimin e institucioneve. Por një gjë është e qartë: Orbán në Budapest, Vuçiç në Beograd dhe Rama në Tiranë janë simbole të së njëjtës sëmundje politike; një sistem që e do Europën për paratë, por jo për vlerat. Nëse Bashkimi Evropian nuk do ta humbasë kredibilitetin e vet, duhet të kuptojë se rreziku nuk vjen vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda, nga ata që e përqafojnë flamurin blu me yje të verdhë, por e përdorin për të mbuluar hijen e një pushteti gjithnjë e më personal. Dhe Shqipëria, nëse nuk zgjohet, rrezikon të bëhet ajo që Hungaria tashmë është: një autokraci me buzëqeshje evropiane./Pamfleti

batakçinjtë e lindjes naivët e brukselit gjergj zefi

1 Komente

  1. L
    La

    Mirepo parja hedh ujin perpjete... (E Babloku psh ka pare me m3 per t'i blere teeere kreret e BE)

    Lini një Përgjigje

    Editorial