Gaci, kështu e njohin në Shkodër, nuk është i vetmi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, i cili gëlon nga mediokriteti dhe të deleguarit e partive.
Reforma për zgjedhjen e dekanëve dhe shefave të departamenteve po përplaset me një mur nepotizmi, mediokriteti dhe kërcënimesh të drejtpërdrejta nga klanet e vjetra politike të instaluara në universitet. Në krye të revoltës: dekani Gaspër Koka, feudal i partive dhe pronar i një televizioni shantazhi.
Universiteti i Shkodrës, arriti një vit parë, me vështirësi të zhvillojë të parat zgjedhje që u humbën nga bandat e politikës dhe të mafias.
Rektori i zgjedhur Tonin Gjuraj, i ka dhënë institucionit më të rëndësishëm të veriut, një puls vibrant, duke shkaktuar një revolucion të vërtetë. Studentët e talentuar dhe shkencëtarë të rinj, kanë nisur të sjellin në gërmadhën e partitokracisë 34 vjeçare, projekte e ide, që mund ta kthejnë “Luigj Gurakuqin” në një pol shkencor modern jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të rajonit.
Reforma sapo ka nisur, por që për t’u çuar në një fazë tjetër, duhet bërë hapi i dytë, zgjedhja e dekanëve dhe shefave të departamenteve. Hap që duket më i vështirë se marrja e Bastijës në revolucionin francez. Pasi më keq se në Francën e shekullit të 18, në Shkodër janë instaluar bandat e regjimit të vjetër partitokratik të lidhur me politikën dhe krimin.
Një nga këta përfaqësues është Gaspër Koka, dekani i fakultetit Juridik, i cili një vit më parë tentoi të zgjedhë rektore një familjare të tij.
Koka, njihet në publik jo si jurist, por si ish- anëtari i KQZ-së së Sali Berishës; si një prodhues i keq birre në Shkodër, i ndihmuar nga pushteti i Sali Berishës dhe i Edi Ramës; si dekan i Fakultetit Juridik, pa asnjë të dhënë akademike për të drejtuar, dhe si pronar i një medie lokale, që operon në tre fusha: lajmërime vdekjesh, urime dasmash dhe synetlliqesh dhe mitingje politike. Ah, po, kanë pasur për një farë kohe edhe monopolin e drejtimit të PD-së në Malësinë e Madhe.
Shkurt, Gaspër Koka është një tip feudali mesjetar, që “karamahmutët” e radhës e kanë vënë taksidarë, duke i lënë edhe komisionin e mbledhjes së taksës.
Gaci, kështu e njohin në Shkodër, nuk është i vetmi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, i cili gëlon nga mediokriteti dhe të deleguarit e partive. Atje ka deputetë, më saktë ish-depuetë që drejtojnë “katedrale” shkence siç është departamenti i Gjeografisë i Mahir Hotit, Nevila Dibrës apo Nevila Sokolit; ka analfabetë që drejtojnë “bazilika” të Gjuhës dhe Letërsisë ku ka pasur “Patriark” Jup Kastratin e shokët e tij të mëdhenj.
Ka pastaj, departamente skandaloze, të ngritura sipas logjikës politike, si ai i gazetarisë apo infermierisë, të cilët nuk kanë nxjerrë asnjë gazetar apo infermier të hajrit.
Janë këta monstra të regjimit të vjetër që po bllokojnë proceset në Universitet për të zgjedhur lirisht dekanët e shefat e rinj të departamenteve.
Në çdo mbledhje, Gaspër Koka, i cili drejton Fakultetin Juridik kërcënon dhe shantazhon hapur rektorin Tonin Gjuraj, me fjalët më skandaloze. Kur një jurist, duhet të përdorë ligjin.
E ç’është më e rënda, TV Rozafa, që e ka në pronësi Gaci, publikon të plotë përroin psiqik të efendikoit, për të treguar se sa fuqi ka mutesarifi i fakultetit juridik. I cili nuk rendit dot një student të tij që ka arritur një nivel të lartë në jetë, sepse Juridikut në Shkodër i kanë thënë e i thonë “Shkolla e Partisë”. Gjithëfarë soj shefi komisariati që s’e kishte të mesmen, por të lartën e mori ama.
Të shikosh imazhet e TV Rozafës, ku pronari i saj që është njëkohësisht edhe dekani i drejtësisë, kërcënon rektorin, së paku aty duhet të mbërrinte policia dhe ta arrestonte dekanin.
Së pari për shantazhin e hapur dhe, së dyti për konfliktin e tmerrshëm të interesit, ku një dekan mund të ketë edhe një media që ta përdorë si një sopatë për të mbledhur taksa për “Karamahmutin” e tij.
Gaspër Koka dhe kokat e tij në “Luigj Gurakuqi” kanë 34 vite që vegjetojnë pa dhënë asgjë, por më e tmerrshmja, kanë “pjellë” aty djem, vajza, nipa, mbesa, nuse e dashnore që i kanë emëruar pedagoge, për t’i pasur si trupë votuese për zgjedhjet universitare. Trupë nepotike, por edhe kriminale që Tonin Gjuraj po e lufton prej një viti, duke pasur edhe politikën kundër tij.
A do të lejojë Shkodra që të rikthehet në tmerrin mesjetar të “karamahmutëve” dhe kalorësve të tij? Kjo do të ishte fatale, sidomos për brezin e rij që ka nisur të shpresojë për Shkodrën nga puna e kryebashkiakut Beci. I cili nuk ka pse merret me politikën e madhe, por të bllokojë bandat në universitet siç i bëri në Dajlan. Madje më shumë të merret me universitetin se me Dajlanin…/Pamfleti
Lini një Përgjigje