Dielli i Mafies është aq i fortë, sa ka tharë dashuritë...
Sali Berisha iku, duke lënë pas 33 vite me sekrete nëpër shpellat e fshatit tonë.
Po pse iku Saliu në ditë të shenjtë, pyesin fshatarët?!
Se njihen mrekullitë, pa besohen edhe çuditë.
Fshatarët besojnë se edhe Jezu Krishti ka jetuar 33 vjet, se plot 1990 herë u ringjall, por edhe çuditen se si u shkrua në “Biblën” e Ramiz Alisë që viti 1990 të ishte humnerë deri në fundin e Saliut.
Në fletët e ditarit të ditës, shkëlqejnë lotët e Bablokut.
Pasi e lanë vetëm në këtë jetë Hashim Thaçi dhe Charles McGonigal, Babloku nuk kishte dashuri tjetër më të zjarrtë, se Sali Berishën.
Zjarri që ka mbuluar dosjet në SPAK, vërtetë ka bashkuar detin me Greqinë dhe askush nuk pyet ku është Deti ynë e ku i Fredi Belerit, por ama ka ndarë ujrat e korrupsionit, aq sa as Gjykata Kushtetuese nuk ka forcë t’i vëjë kushte Altin Dumanit, të mos e lëshojë sot Saliun në flakë të Ferrit, apo të mbrojë nesër Bablokun nga prushi ku do të rreshket.
Dielli i Mafies është aq i fortë, sa ka tharë dashuritë.
Saliu nuk ka më as ushtri antiamerikane, as stof për sfond të rrebelimeve sociale.
Statusi i Saliut dhe starti i Bablokut, janë sot biseda të ditës dhe e natës.
Nata që ngrysi befasisht jetën dhe veprën e Saliut, ka ringjallur besimin se këtu fillon historia jonë, se cilido, mund të bëhet viktimë e vetvetes.
Mësimi që na dhanë Hashimi dhe Saliu ka vlera.
Të dy ishin krijues shteti, të dy i donte dhe adhuronte Babloku.
Për Hashimin ka shkruar poezi që i ka recituar në Këshillin e Europës, kurse për Saliun po vajton si Qyqja mbi çati të SPAK-ut.
Kashtës mbi Rilindje, i kanë vënë flakën ministra e deputetë, rrugës kur u nisën për në burg.
Ka aq tym andej, sa amerikanët nuk e dallojnë sa shumë po e vajtojnë Saliun.
Sa kohë ambasada nuk di gjë ç’bëhet, vazhdo Bablok, qaje Saliun me lot, se fati i tij është fati jot!/Pamfleti
Lini një Përgjigje