Siç Berisha nuk ka shpresë sot, ashtu do të ndodhë edhe me Ramën nesër...
Çdo shqiptar është dëshmitar se ka, të paktën 20 vjet, që çdo njeri me ndërgjegje e pret burgun për Sali Berishën. Ky pinjoll komunist që e nisi karrierën politike fiks duke i shërbyer diktaturës që vrau e masakroi palcën e Shqipërisë, ka aq shumë llogari për të dhënë, aq shumë faje, sa nuk mjafton burgu i përjetshëm për të.
Sali Berisha duhet të japë llogari, mbi të gjitha, për njerëzit që ka vrarë. Për varret që nuk kanë paqe as sot në Tropojë, për fëmijët e Gërdecit, për jetët e humbura në Bulevardin e 21 janarit, për Remzi Hoxhën, për luftën civile që provokoi në 1997, në fillim duke ligjëruar e lejuar formulat piramidale të vjedhjes së parave e më pas duke ndërsyer Veriun kundër Jugut.
Sali Berisha ka vjedhur, vrarë e prerë. Prandaj burgu është dera e duhur për të.
Por skema e përdorur nga Edi Rama për ta arritur këtë, siç edhe me kundërshtarë të tjerë politik të tij, është e gabuar. Më shumë se askush tjetër, vetë Edi Rama duhet t'i trembet formulave që po përdor për të spastruar, jo armiqtë e shqiptarëve, se për këtë nuk shqetësohet fare, por armiqtë e vet, ata që i rrezikojnë pushtetin atij.
Shembujt janë shumë. Çdo ish-pushtetar që është në burg a në kërkim, është shembulli i drejtësisë së aplikuar nën urdhrat e pushtetit që kompromenton vetë drejtësinë. Ata mund të jenë për burg, por në një vend demokratik, ka rëndësi, po aq sa drejtësia, edhe vetë procesi që zbatohet për ta aplikuar atë.
Por le të mbetemi tek Sali Berisha.
Sali Berisha ka aq shumë faje sa seanca e djeshme e parlamentit që votonte për heqjen e imunitetit të tij, duhet të ishte krejt ndryshe nga çfarë u shfaq dje. Ajo duhej të ishte krejt e kundërta e një votimi furracak, i shpejtë, pa brumë, tamam si ata fëmijët që hedhin gurin sepse ashtu u thonë, e pastaj fshihen. Ajo duhej të ishte nje seancë serioze, me detyrimin për të dëgjuar të akuzuarin, ish-President e ish-Kryeministër, dhe shqyrtimin e fakteve kundër tij.
Sali Berisha ka tmerrësisht aq shumë faje si politikan e si pushtetar sa e meriton burgun. Për këtë arsye, ky individ duhej të ishte një dosje e lakmuar për drejtësinë tonë të re, për të krijuar një precedent me të cilin të krenohej ajo vetë dhe çdo pasardhës-punonjës i drejtësisë shqiptare. Në fakt asnjë provë nuk u dëgjua gjëkundi. Janë ngritur ca kulla e dhëndri ka përfituar nga postet e vjehrrit! Ku? Kur? Si? Drejtësia do fakte, jo fjalë. Pse nuk doli një profesionist të flasë e ti mbyllë gojën këtij qafiri?
Drejtësia duhet të jetë e drejtë. GJKO duhej të fliste e jo të bënte sehir. Kjo gjykatë ka krijuar aq shumë precedentë antidemokratik sa është plotësisht e ligjëruar frika dhe mosbesimi i çdo shqiptari tek sistemi ynë i drejtësisë. Kur vjen puna tek gjykata, e sidomos tek e llojit si Gjykata Kushtetuese, emri i individit që ka përballë nuk ka fare rëndësi. Duhet të flasë ligji. Kjo nuk ndodhi e madje askush nuk u kujdes që të shmangte edhe konfliktin e interesit që gjykatësja Irena Gjoka, dikur e shkarkuar nga Sali Berisha, të mos ishte pjesë e këtij procesi.
Sali Berisha do të arrestohet. Ky eshte lajm i mirë. Por mënyra sesi po ndodh kjo është e gabuar. Po shkelen ligje dhe te drejta dhe ky është gabim. Shembulli i mirë që duhet të japë Drejtësia e re nuk duket asgjëkund dhe ky është lajm i keq. Ashtu siç dallohen ethet e kryeministrit për të prangosur një kundërshtar që i shkakton ankth, ashtu shihen edhe shkeljet e ketij procesi: pa mundësinë e një seance normale, pa një gjykatë normale, pa një dosje të qartë, por vetëm me një qëllim të paramenduar dhe parathënë.
Ky është një deformim i drejtësisë prej të cilit duhet të ketë frikë, më shumë se askush tjetër, ai që po e dirigjon atë: Edi Rama. Njësoj si dosja pa fakte për të cilën Sali Berisha po shkon në burg, ashtu është i qartë edhe ndikimi dhe urdhrat e Ramës për drejtësinë, për këtë çështje dhe të tjera të bujshme në tavën e opinionit publik, siç janë ato të koncesioneve dhe inceneratorëve.
Rama po heq qafe kundërshtarët dhe po mbron ca hajdutë të tjerë që i ka të vetët. Me të njëjtën drejtësi që dha spektakël dje e pardje. Duke manipuluar e kërcënuar drejtësinë, ai mendon se po fiton, por pikërisht këtu duhet të fillojë të ketë frikë.
Shqiptarët e thjeshtë kanë 30 vjet që e heqin mbi kurriz këtë drejtësi të deformuar. Është si puna e fukarait që është mësuar me urinë. Ndërsa Rama jo! Rrota e historisë rrotullohet dhe kjo gijotinë që pret shtrembër, do vijë dita t'i vërtitet edhe atij mbi kokë. Siç Berisha nuk ka shpresë sot, ashtu do të ndodhë edhe me Ramën nesër./Pamfleti
Lini një Përgjigje