TAGS-AT E JAVËS

Editorial 6 Qershor 2023, 10:39

Ambasadore, t’u priftë e mbara!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

Ambasadore, t’u priftë e mbara!

              Sa herë ndërrohen ambasadorët amerikanë, ”Peshqit” nisin vallëzojnë e lodrojnë përmbi valët e korrupsionit.

Kanë të drejtë. Deri sot, si njëri si tjetri, nuk arritën ta zgjidhin paradigmën, kush i ka vjedhur pasuritë publike, fshatarët e varfër apo sunduesit milionerë?!

Përtej kësaj, ata janë të kujdesshëm, ta lënë mirë me të gjithë. Për ekzistencën e 4 Klaneve Mafioze dhe 20 familjeve kriminale, nuk dimë të ketë thënë një fjalë të keqe ambasadorja Yuri Kim.

Faleminderit ambasadore, se këta janë kriminelët tanë, i njeh dhe i ka tmerr gjithë fshati e s’dihet çfarë ndodh po të ngucën. Sipërfaqja e ujit ku notojnë “Peshqit” e mëdhenj, nuk duhet trazuar, se shpërthejnë “tallaze”, se do kishte komplikime serioze andej ku ka plasur karadyzeni.

E kemi provuar një herë shekullin e shkuar, me ca “Peshq” të piramidave fiskale. Sa u ngacmua Sudja, një sirenë pak ezmere, pak kineze e pak rome, valët e bardha u nxinë, u çmenden Vjosa e Buna; u mbytën 3000 “peshkatarë”, rrezikoi kokën edhe ambasadorja Mariza Lino. Falë Zotit, një avion ushtarak fluturoi mbi kokat e nxehta të Sali Berishës e Ilir Metës, për t’u fshehur pas reve të ftohta, diku andej ku ky i tmerrshmi, Beu fshatit, Babloku, aso kohe lëpinte akullore e kafshonte ndonjë mollë që binte vetë nga gemi.

Ritmi, gjallëria, gëzimi në turin e falënderimeve, para se të jetë fat, është sukses.

Më mirë kështu, të gjithë festojnë, falënderojnë, vallëzojnë të lidhur për dore, rreth pasurive tona e na heqin edhe mërzinë për hallet tona.

Gjymtyrët e shoqërisë janë në sinkron.

Një shkodran, kur votoi për një non-grata, palosi në koshare edhe porosinë: “Mos e nguc grethin me krande se e nguc për të zezën tande”.

Është pra e kuptueshme, pse gjithkush po e han jashtëqitjen e “grethave” për mjaltë. Filozofia e të gabuarit në vazhdimësi, i ngjan një ligji afgan mbi kufizimet e të drejtave të grave Shi`ite, ku lexojmë “Gratë duhet të plotësojnë nevojat seksuale të burrave dhe ju ndalohet liria e lëvizjes”.

Autorizimi i kufizimeve nga antiamerikanët tanë, nga banditët tanë, orienton jo vetëm lëvizjet femërore në zyra, sa ato nuk është çudi t’u marrin leje shefave edhe kur përqafojnë burrat e tyre, por edhe të votës, vizave amerikane, ky bën e ky s’bën, ingranazheve të shtetit e mafies që vallëzon e këndon përmbi valë, Yuri Kim t’u priftë e mbara!

Këta, edhe pse ta kanë lënë lugën bosh, në kohë zgjedhjesh mbushin “garuzhdat” japin miliona dollarë, blejnë votën, komandojnë vullnetet drejt viseve ku nuk hyn dot dielli i drejtësisë.

Deleve të Saliut dhe Ilirit, u duket bari lule, kurse gomarëve të Bablokut, kushtetuta letër higjenike e ligjet germa që askush nuk i lexon.

Përfolja se mbyllja me shirit të kuq e arkivave sekrete të hetimeve të hapura që në kohën e ambasadorit Donald Lu, edhe në u ka futur thikën pas shpine prirjeve drejt shtetit ligjor, ka shpërndarë përgjegjësitë, që tek e fundit, këtu ishin e këtu janë.

Fshatarëve u mjafton që nuk ka tallaze, dallgë protestash, ku tjetri vritet sot e bëhet hero nesër, që u shijon melodia Peshqit lodrojnë mbi valë, Yuri Kim t’u priftë e mbara!/Pamfleti

yuri kim tu priftë e mbara! peshqit valët e korrupsionit

Lini një Përgjigje