Ndryshe, opozita jonë, sado e zhurmshme të jetë do të përfundojë si opozita turke që Rexhepi e tallte mbi autobuz: Bye Bye Kemal!
Platforma e hedhur para deputetëve të PD-së nga Gazmend Bardhi, edhe pse nuk është bërë e ditur e plotë parashikon në vija të trasha një bashkim të strukturave në bazë, e më pas bashkimin e kryesive qendrore dhe deputetëve.
Një vizion, që paraqet pikërisht të kundërtën e asaj që kërkojnë vetë demokratët, vetë votuesit e opozitës, e në radhë të parë shoqëria shqiptare që kërkon një ndryshim rrënjësor politik në Shqipëri.
Demokratët, pra anëtarët e partisë më të madhe të opozitës, nuk se duan luftë apo përçarje. Si puna e socialistes së Beratit që tha nuk duam drita apo ujë, vetëm Nano me Metën të mos zihen. Këta janë sajime të elitës. Çdo militant që di çfarë është puna politike në territor, kërkon që ai të ndjehet aksioner real i forcës së tij, e partia të jetë e hapur për kontributin e gjithësecilit.
Një mbështetës kërkon që opozita të jetë e gatshme për çdo prurje që vjen nga pjesë të shoqërisë që nuk duan të qeverisen nga Edi Rama dhe modeli i tij. Kurse shoqëria shqiptare kërkon një opozitë që të bëjë ndryshimin drastik të politikës, sa më shumë që të jetë e mundur.
Në radhë të pare, kërkohet një rinovim i klasës së vjetër, e më pas një koncept politik i cili është në një rezonancë me kohën.
Problemi që trajtojnë burokratët e PD-së është krejt i gabuar. Nuk mund të jetë opozita një ide për të sistemuar deputetët apo zyrtarët që janë mërzitur nga Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ilir Meta. Nëse do të vazhdojë kështu, atëherë të gjithë grupet që kjo opozitë i kontrollon si rudimente politike 30 vjeçare, do të shuhen natyrshëm, e do të kthehen në margjinale, siç margjinalë janë eksponentët qesharakë të kësaj opozite si Kujtim Gjuzi apo edhe Rudina Hajdari e Selami Jenisheri, për të mos folur për të tjerë.
Opozita nuk është bashkim byrektoresh dhe autoshkollash, është tjetër gjë. Por natyrisht këtë nuk e bëjnë dot deputetë apo zyrtarë që nuk i do askush. Këtë proces duhet ta shtyjë ose një person, ose një grup personash.
E mira e të mirave do të ishte që Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj, së bashku me drejtuesit e PD-së që kanë mbijetuar si një bërthamë politike anti-Berishë, duhet ti hapin rrugën një stine konstituente për një opozitë të re. E cila duhet të ketë faza të qarta rithemelimi, që nga marrja e mendimeve, e deri te procedura e zgjedhjeve apo gjithëpërfshirjes së shoqërisë në opozitën e re.
Nuk ka nevojë të bëhet shkencë; e njeh bota e Europa. Bëhen takime në çdo rreth me secalin që është i interesuar, natyrisht jo individë ordinerë, por atë që ka mendim. Të vetmen gjë, për të cilën ka të drejtë Gaz Bardhi është se zgjedhja e liderit nuk mund të bëhet shpejt. Sepse duhet një proces i gjatë përfshirjeje e anëtarësimi, që do të shkojë në zgjedhjen e lidershipit në një garë të re sipas parimit një anëtar një votë. A, nëse do ta bëjë apo ta udhëheqë Lulzim Basha këtë proces, mund ta bëjë. Por do të duhet ta shpallë që tani platformën, e jo të takojë njerëz me urdhër partie që edhe pyetjet i kanë me regji. Kjo strategji do të prodhojë një PD ndoshta pa Berishën, por me një logjikë berishiste.
Lulzim Basha nuk mund ta ngrejë PD-në e re vetëm me qëndrestarët, siç bëri Berisha në vitin 2005 duke joshur oportunistët e rastit.
Shqipëria ka ndryshuar, siç ka ndryshuar edhe shoqëria, e cila ka një imunitet më të madh ndaj mashtruesve politikë. Dikur, merrnin vota në zgjedhje bashkiake edhe persona dallkaukë si burri i pastrueses hajdute apo Kujtimi i autoshkollave “demokristiane”. Sot nuk i japin vota as fëmijët e tyre. Nuk ka më ‘qofte me teke raki’.
Opozita duhet të marrë shembull te PS-ja e Ramës që të ndërtojë të kundërtën e saj. Pra jo një komunitet klientelist, por natyrisht një bashkim interesash, ku të drejtat dhe benefitet të jenë të hapura, e jo të shpërndahen si llokume, siç i kanë shpërndarë Sali Berisha e Ilir Meta. Ndryshe, opozita jonë, sado e zhurmshme të jetë do të përfundojë si opozita turke që Rexhepi e tallte mbi autobuz: Bye Bye Kemal! /Pamfleti
Lini një Përgjigje