Skema “SI ALBANIA”, kompanitë fantazmë, pronat e dhëna falas dhe koncesionet me firmën e kryeministrit tregojnë lidhjen mes korrupsionit politik dhe pastrimit të parave në zemër të shtetit...
Ndërkohë që ka indicie të raportuara nga agjencitë gjurmuese shqiptare dhe partnere për përfshirje të Sinan Idrizit në korrupsion me kryeministrin Edi Rama; pastrim parash, kontrabandë dhe trafiqe, drejtësia shqiptare nuk ka hapur asnjë hetim.
Idrizi vijon të krijojë kompani të reja, të cilat përdoren për të qarkulluar miliona euro pa burim të deklaruar, të kaluara nëpër zyra noteriale, llogari “gri” dhe skema shit-blerjesh të aksioneve.

Prova më e qartë është kompania “SI ALBANIA Sh.p.k”, sot në pronësi 100% të Sinan Idrizit. Fillimisht e krijuar më 26 prill 2022 nga 70-vjeçari holandez Christian Maria Strik, si filial i “ARIMO BV” (kompani e lidhur me koncesionin e Hemodializës), me kapital vetëm 100 lekë.
Më 8 qershor 2022, “ARIMO BV” transferoi 7.9 miliardë lekë në filialin shqiptar pa deklaruar burimin. Më 1 korrik 2022, pa kryer asnjë ditë aktivitet, Christian Maria Strik ia shiti kompaninë Idrizit në vlerën fictive të 7.9 miliardë lekë.

Dy muaj më pas, më 22 shtator 2022, Rama mbylli kolegjin turk “Mehmet Akif” në Tiranë dhe i dha Idrizit ndërtesën për 99 vite falas, përmes Bashkisë së Tiranës.
Nga korriku deri në dhjetor 2022, kompania “SI ALBANIA” nuk zhvilloi asnjë aktivitet, nuk kishte asnjë punonjës të regjistruar në tatime, por deklaroi 2 miliardë lekë fitim përmes një bilanci fiktiv.
Për vitet 2023-2024, kompania nuk ka publikuar asnjë bilanc.
Pyetja që shtrohet është: ku i gjeti Idrizi 7.9 miliardë lekë për blerjen dhe 2 miliardë fitime “në letër” brenda gjashtë muajve?
Rrjeti i favoreve politike
Dy vite para kësaj skeme, Idrizi ishte përfshirë si bashkëpronar me 41% në “Air Albania”, linja që shqiptarët e njohin si çarteri personal i Ramës.
Kompania është sot në prag falimenti, me avionë të bllokuar dhe borxhe prej miliona eurosh.
Përmes lidhjes me kryeministrin, Idrizi u përfshi edhe në PPP-në e markimit të karburanteve.
Vetëm një muaj më parë mori ndërtimin e stadiumit të Vlorës dhe dhjetë kullave rreth tij. Këtë javë emri i tij doli sërish, i përdorur nga Rama në skemën mafioze për t’ia rrëmbyer koncesionin e Aeroportit të Vlorës biznesmenit Behgjet Pacolli. Ndërkohë, futboll-klubi “Flamurtari” i Vlorës shërben si fasadë për pastrimin e parave të drogës.
Nëse provat janë të dokumentuara, pse drejtësia hesht? Dhe si është e mundur që një individ pa kapacitet financiar të deklaruar, arrin të qarkullojë miliarda lekë, të marrë prona falas dhe të menaxhojë koncesione strategjike?/Pamfleti
Lini një Përgjigje