TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 5 Shtator 2024, 19:58

Shqipëria e Kosova, edhe pse në luftë me njëra-tjetrën, bashkohen kundër Amerikës!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

Shqipëria e Kosova, edhe pse në luftë me njëra-tjetrën,

Nëse nuk arrestohen 4 Klanet Mafioze, zgjedhjet e pranverës do lindnin “dimrin” më të zi të demokracisë dhe besimit të Shqiptarëve tek Amerika

Hera e parë në histori, që për interesa biznesi, Shqipëria dhe Kosova janë në “luftë” me njëra-tjetrën, kurse për interesa strategjike, bëhen bashkë kundër Amerikës.

Beteja e Qeverisë së Kosovës mbi lumin Ibër, nuk bëhet për sytë e bukur të Shefes së Shërbimit Informativ Shqiptar, pasi Helena e Kosovës shkoi vullnetarisht me Paridin e Surrelit dhe Albi Kurtit as i vete mendja të korrigjojë pazaret e pista të Edi Ramës, Ramush Haradinajt dhe Aleksandër Vuçiçit, por të shtiret sikur ka konflikte me Qeverinë e Shqipërisë e mbase të punojnë nën rrogoz kundër interesave amerikane në Ballkan.

Në fakt, si lidershipi i Kosovës, si ai i Shqipërisë, sot janë antiamerikanë dhe agjenturat e huaja, pse jo edhe nga njohjet ndërpersonale të Vlora Hysenit, hipin e zbresin nga shameshini i sheikëve që po qelbin dynjanë.

Edhe në  mos qofshin kështu siç thuhet, nuk është faji ynë që të tre, Albin Kurti, Edi Rama dhe Sali Berisha, kanë dalë hapur antiamerikanë.

Albini nuk dëgjon nga veshët fare; Saliu ka lëshuar numrin dy të partisë, Flamur Nokën, si flakadanin më të përçmueshëm të shqiptarëve, nëse nesër opozita fiton.

Po Babloku, ky që ka çdo meritë suksesi dhe përgjegjësi dështimi, ç’është?!

Ky është problematik unik.

Në çdo kodër ku ka “mollë” e “dardhë”, nuk ka njeri që afrohet pa lejen e tij. Ai i zgjedh ministrat, kriminelët, investitorët strategjikë, vrasësit e deri të vrarët.

Secili që bie nga dardha, duhet ta shkundë pak “trastën” tek ata prokurorët e SPAK-ut, që edhe ata sheikë janë, pse të mos e themi, kur kështu mendojmë të gjithë.

Sa për Bablokun, dihet, ka qënë kokrra e hajdutit, që kur vëlla Olsi u kap nga ata të OSBE-së me 200 milion dollarë në Parajsat Fiskale, ka qënë kokrra e antiamerikanit që kur përleshej në fushë të mejdanit trup më trup me Flamurin Amerikan dhe shkarraviste lista “jeshile” për kriminelët në ambasadën Amerikane, dhe të “zeza” për gazetarët që rendisin germat e alfabetit sipas tullave të pasurive të sheikëve, që para se të nisnin punën “hajdutë me pushtet”, ishin fukarenj, me ju dhimbt 'gurit e drurit'.

Pas gurishtes ku janë pozicionuar formacionet politike, apo pas Gurit që ka lëshuar Mafia prej 30 e ca vitesh në oborrin e ambasadës dhe që herë Saliu, herë Fatosi e prej 12 vitesh Edi i lëshojnë “biberonin”  e qumështit të gomaricës, gjeneralët antiamerikanë bëjnë skica.

Pra, siç thuhet në fshat, e marrin kalanë nga brenda këta.

Në Kosovë shihet moti, sapo Dielli nxjerr syrin mbi Preshevë.

Zgjedhjet i fiton Albini, antiamerikani që ka marrë urën e Ibrit dhe e tund si ibrikun ku mbush ujin për vaditje të tokës që prodhon vota sa t'i dojë qejfi.

Edhe në Shqipëri e njëjta tablo.

Nëse nuk arrestohen 4 Klanet Mafioze, zgjedhjet e pranverës do lindnin “dimrin” më të zi të demokracisë dhe besimit të Shqiptarëve tek Amerika, për shtet ligjor dhe respektim të të drejtave dhe lirive njerëzore.

Pra, nëse nuk ka arrestime VIP, Mafia e Ballkanit, do vërë në skenë baladën, mos e merrni seriozisht perëndimin, pasi publikisht, Shqipëria e Kosova edhe pse në luftë me njëra-tjetrën, bashkohen kundër Amerikës!/Pamfleti

Lini një Përgjigje