Berisha ka sulmuar me gjuhë vulgare prokuroren që po heton kompleksin “Partizani”, teksa ka marrë në mbrojtje fëmijët e tij...
Laku për Sali Berishën dhe familjen e tij duket se ka filluar të ngushtohet. Ka muaj të tërë që deputeti “non grata” sulmon SPAK-un, por vetëm dje ai e nxori kokën e vërtetë. Berishës nuk i dhimbset aspak drejtësia, por ka hallin e vajzës, djalit dhe dhëndrit të tij.
Mbrëmë Berisha doli në një intervistë dhe u pyet drejtpërdrejt mbi hetimet e SPAK për të dhe familjen e tij. Deri më tani ai fliste në përgjithësi, por dje u ndal te dosja e Kompleksit “Partizani”, dosje e cila duket se do të ngrejë siparin e arrestimeve në familjen e tij. I akuzuari kryesor në atë dosje është Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës dhe dje ky i fundit e mori në mbrojtje, duke shfrenuar sulmet e akuzat ndaj prokurores Enkelejda Millonai, e cila duket se po kopsit dosjen.
“Ju e dëgjuat Taulant Ballën që tha se kemi gjetur dekretin e Jakomonit, ku shprehej se Italia ka dëmshpërblyer të gjitha familjet e territorit të Klubit Partizani. Çfarë ishte ai dekret, ai nuk kishte asnjë emër të familjes të atij territori. Të gjithë janë 500 apo 1 mijë metra larg atij territori. Nëse dikush shpif në këtë mënyrë, ti je i detyruar të hapësh njëherë çështje për kallëzim të rremë.
Në atë SKAP ka persona të cilët me aktin më të shëmtuar shkojnë dhe konfiskojnë dosjet konkrete. Ka pasur një padi me Taulant Ballën për shpifje në Gjykatën e Lartë. ‘Skapistja’ sikur të ishte shërbëtore e Ballës, për të mos thënë gjëra të tjera shkon e konfiskon dosjen. Por ti do japësh kopje se ajo do shkojë në Kushtetuese. Se qytetari mund të shkojë në Strasburg. ‘Skapistja’, sikur të ishte bandite, mban dosjen prej 3-vitesh dhe nuk dorëzon dosjen. A mund të pajtohem unë me këto zotëri? Unë nuk pajtohem”, tha ai.
Me këtë deklaratë, Berisha duket se paralajmëroi se fleta e arrestit është thuajse gati. Mënyra se si fliste Berisha dhe fjalët e tij tregojnë qartë se ai po paralajmëron se shumë shpejt SPAK do të trokasë në derën tij. Ndërkohë përveç dhëndrit, ai ka dhe hallin e vajzës dhe të djalit.
“Fëmijët e mi kanë 3 vjet apo 5 vjet që janë nën hetime të vazhdueshme. Të pashpallur dhe të thirrur. Absolutisht asnjë të keqe dhe nuk kam reaguar dhe nuk reagoj sepse e konsideroj të shenjtë të drejtën e hetimit. Por kur vepron me hiq fashikuj dhe vër fashikuj. Kur vepron me porosi politike. Fsheh dokumente. E kam me fakte. Me shkrim publik. Kur ti thua se ka ndodhur më 2006, kur ka ndodhur më 1995 apo 1996. Kur t’i thua se është e paqartë, kur kjo është formë tjetër veprimtarie e bazuar në marrëdhënien më transparente ligjore se ti e ke një qëllim kriminal. Duke thënë këto e ke të shenjtë të drejtën për hetim, por jo për manipulim”, tha më tej Berisha.
Por në këtë intervistë duket se pati dhe një ftesë për SPAK. Berisha deklaroi se ai merr përgjegjësitë nëse fëmijët kanë kryer shkelje. Me pak fjalë, kërkon ta bëjë ai burgun për Jamarbërin, Argitën dhe Zenin.
“E kam theksuar dhe theksoj, e kam ftuar dhe e ftoj, të shqyrtojë, çdo akt, çdo firmë, çdo vendim të Berishës nga 90 deri më sot. Unë jam politikani i vetëm në Shqipëri që keni dëgjuar të them që mbaj përgjegjësi të plotë për fëmijët e mi. Fëmijët e mi janë të martuar, mund të thosha që ato janë në punën e tyre, unë në punën time, e kam thënë që mbaj përgjegjësi të plotë për çdo shkelje të interesit publik që ato kanë bërë gjatë kohës që unë kam qenë në pushtet”, tha Berisha.
Nëse shihen me kujdes deklarimet e tij, mesazhi është i qartë. Berisha është në dijeni të asaj që po ndodh në SPAK dhe e di se prangat do të trokasin shumë shpejt. Frika e tij janë fëmijët dhe ai po mundohet të ushtrojë presion ndaj SPAK. Shpresojmë që Saliu mos të tentojë t’i nxjerrë jashtë vendit dhe të kërkojnë azil kaq shumë sa është trembur. /Pamfleti
Lini një Përgjigje