Departamenti i Shtetit ka dalë me një plan të ri sa i takon zbatimit të strategjisë së Biden për luftën ndaj korrupsionit. Në këtë plan kërkohen masa më të forta për sanksionimin e të korruptuarve dhe në lojë do hyjnë shërbimet inteligjente për mbledhjen e informacioneve...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të forcojnë masat kundër pushtetarëve të korruptuar. Në vitin 2021, presidenti Biden hartoi një strategji kundër korrupsionit, ndërkohë së fundmi DASH ka dalë me një plan të ri masash për të zbatuar këtë strategji dhe për të forcuar goditjet ndaj të korruptuarve brenda dhe jashtë vendit.
Sa i takon të korruptuarve jashtë vendit, në dokumentin e siguruar nga “Pamfleti” përcaktohet qartë se do të rritet numri i personave “non grata” dhe i të sanksionuarve.
“Korrupsioni dëmton rritjen ekonomike, pengon zhvillimin, destabilizon qeveritë, minon demokracinë dhe nxit paqëndrueshmërinë globale. Në njohje të këtyre kërcënimeve, Presidenti Biden i caktoi masat anti-korrupsion si një interes thelbësor të sigurisë kombëtare dhe prioritet i politikës së jashtme menjëherë pas marrjes së detyrës. Gjatë Samitit të parë për Demokraci në dhjetor 2021, administrata publikoi Strategjinë e parë të SHBA-së për Luftën Kundër Korrupsionit. Në përputhje me strategjinë, ky plan zbatimi artikulon aktivitetet që Departamenti i Shtetit i SHBA-së po ndërmerr për të integruar dhe ngritur luftën kundër korrupsionit në të gjitha aspektet e angazhimit tonë global”, njofton DASH.
Në strategji, janë një numër i madh detyrash për ambasadat dhe autoritetet që të punojnë në identifikimin dhe ndëshkimin e të korruptuarve.
“Angazhoni partnerët kryesorë ndërkombëtarë për vendosjen e sanksioneve dhe bllokimin e vizave si dhe krijimin e mjeteve për vendosjen e llogaridhënies nga partnerët tanë.
Në partneritet me Departamentin e Thesarit, forconi sanksionet kundër korrupsionit, duke marrë masa në këtë mënyrë ndaj kapjes së shtetit dhe korrupsionit endemik. Forconi shoqërinë civile dhe vendet aleate për të kryer veprime të përbashkëta në këtë aspekt”, janë disa nga direktivat që u janë dërguar autoriteteve, raporton "Pamfleti".
Por lajmi i keq për të korruptuarit në Shqipëri është direktiva që u ka shkuar ambasadave. SHBA do të angazhojë shërbimet inteligjente në mbledhjen e provave për të korruptuarit dhe më pas shpalljen e tyre “non grata”.
“Angazhoni inteligjencën amerikane dhe komunitetin e zbatimit të ligjit për të identifikuar tendencat në lidhje me financimin e paligjshëm dhe korrupsionin, me qëllim vendosjen në zbatim të sanksioneve.
Angazhoni komunitetin e inteligjencës për të përmirësuar mbledhjen e informacioneve lidhur me korrupsionin dhe financimin e paligjshëm dhe përdorimin e këtij informacioni nga ambasadat për marrjen e masave”, theksohet më tej.
Po ashtu kërkohet bashkëpunim me prokurorët dhe agjencitë vendase me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha vendet partnere.
Kjo strategji është një kambanë alarmi për Shqipërinë. Vendi ynë ka hyrë në rreth të kuq prej disa vitesh, pasi kemi disa emra “non grata” dhe janë paralajmëruar të tjerë. Kjo do të thotë se pas Berishës, janë shumë të tjerë që do të sanksionohen dhe do u bllokohen vizat. /Pamfleti

Lini një Përgjigje