Projekt-Ligji i basteve, do paraqitet për votim në parlament më 8 shkurt 2024, por djali i ish-kryeministrit “Kompetent i Sudes” dhe vëllai i kryeministrit “Kompetent i PPP-ve e Investitorëve Strategjikë”; e kanë marrë PPP e basteve qysh më 25 prill 2017 pa garë, ndërsa 1 ditë më pas, më 26 prill 2017 qeveria u miratoi kontratën për 30 vite...
Dy familjet mafioze, të ish-kryeministrit të PD, Aleksandër Meksi dhe kryeministrit të PS, Edi Rama, kanë dalë hapur, si klani që mbylli bastet në janar 2019, dhe kanë vendosur t’i ri-hapin si biznes të tyre monopol, nëpërmjet Olsi Ramës e Endri Meksit, duke përdorur si tellall trafikantin Fidel Ylli, me maskën e Komitetit Olimpik Shqiptar.
Projekt-Ligji i basteve, do paraqitet për votim në parlament nesër më 8 shkurt 2024, por Endri Meksi, më 5 janar 2024, tre ditë para miratimit në komisionet e Ligjeve dhe Ekonomisë, ka deklaruar në televizionin i tij “MCN”, se ka marrë monopolin e monitorimit të basteve për 30 vite.
Pasi falënderoi kryeministrin Edi Rama, për ri-hapjen e basteve dhe deklaroi se tani bastet do t’i marrin “biznesmenë të ndershëm” e jo si më parë që “i kishin kriminelët” dhe ua hoqi qeveria; ai kërkoi që monopoli të mos taksohet shumë, por me 00.2% të fitimit të tij për çdo njësi basti, ndërsa ai të marrë 2% të të ardhurave për çdo njësi basti.
Para djalit të kompententit të Sudes; më 1, 2, 3 e 4 shkurt 2024, doli në disa televizione, ish-truproja i babait dhe nënës së tij, Fidel Ylli, cili pasi tha se projekt-ligji do miratohet, ulërinte si histerik kundër atyre që janë kundër ri-hapjes së basteve.
Madje, Fideli i kumarit e kullave, mallkoi mediat që kanë paralajmëruar me fakte, se bastet do jenë biznes monopol 30-vjeçar i Edi e Olsi Ramës dhe Endri Meksit e një grupi mafioz turko-serb, të lidhur me familjarë të Erdogan e Vuçiç.
Që bastet online janë ri-hapur si biznes i Edi e Olsi Ramës dhe Endri Meksit në Shqipëri; këtë e vërteton fakti, që Endri Meksi dhe Olsi Rama, janë ortak në bizneset e grupit “MC Networking” të regjistruara në emër të Endri Meksit; grup i cili tentoi të merrte PPP-në e mbledhjes së TVSH Tatimore me vlerë 100 milionë Euro për 10 vite.
Më datë 14 shtator 2016, me Vendim Qeverie Nr. 647, u miratua lejimi i monitorimit të lojërave të fatit online; duke thënë se do bëhej me garë të hapur brenda muajit janar 2017, me pjesëmarrje të jo më pak se 2 kompanive të huaja.
Gara u caktua të zhvillohej më 12 janar 2017, por ditën që do zhvillohej, u shty për datën 23 janar, ngaqë Olsi Rama e Endri Meksi nuk kishin gjetur 2 kompani të huaja kukull, ndërsa firmën “MC Networking” e kishin gati.
Më 23 janar 2017, u zhvillua gara me pjesëmarrjen e kompanive të huaja “Admiral Sportwetten GmbH”, “ATSI” Spolka Akcyjna”, si dhe firmën “MC Networking” të Olsi Ramës e Endri Meksit, por faktikisht edhe me letra, 2 firmat e huaja ishin 99% në pronësi të Endri Meksit, ndërsa tani janë 100% në pronësi të tij.
Më 10 mars 2017, Autoriteti i Lojërave të Fatit, mashtroi sikur u zhvillua një garë e hapur mes firmave rivale, kur nuk kishte fare firma rivale, duke shpallur firmën e Olsi Ramës dhe Endri Meksit, fituese të monopolit të monitorimit të basteve online me afat 30 vite.
Më 25 prill 2017 u lidh kontrata e PPP-ës Nr. 5758 prot., ndërmjet Ministrisë së Financave dhe firmave “Admiral Sportwetten GmbH”, “ATSI Spolka Akcyjna” e “MC Networking” të Olsi Ramës e Endri Meksit, ndërsa brenda 24 orësh e miratoi qeveria me VKM Nr. 362, datë 26 prill 2017, firmosur nga zv/kryeministri Niko Peleshi.

Më 6 qershor 2017, Endri Meksi, krijoi kompaninë koncesionare “Moligix Sh,p.k” me ortak firmën “MC Networking” dhe “Admiral Sportwetten GmbH”, “ATSI Spolka Akcyjna”, duke firmosur në emër të tyre, ndërsa administratore caktoi të ëmën Dhurata Meksi.

Më 29 qershor 2020, ose 6 muaj para se Edi Rama të shpallte projektin për kthimin basteve online, Endri Meksi u bë pronari i vetëm i firmës koncesionare “Moligix Sh,p.k”, duke i blerë aksionin 1% firmës së huaj “Admiral Sportwetten GmbH” me vlerë 5 mijë lekë, ndërsa më 13 prill 2022, kur u shpall projekt-ligji i basteve, bleu me 5 mijë lekë edhe 1% aksione të firmës së huaj “ATSI Spolka Akcyjna””.

Kjo shpejtësi vendimesh prej qeverisë dhe pranimi në garë i 2 firmave të ashtuquajtura të huaja, por që 99% pronësi i kishe Endri Meksi e Olsi Rama; dhe kalimi i tyre 100% në pronësi të tyre, janë prova, që vërtetojnë, se monitorimi i basteve online dhe bastet si aktivitet, janë PPP monopol 30-vjeçar i djalit të ish-kryeministrit “Kompetent i Sudes” dhe vëllait e kryeministrit “Kompentent i PPP-ve dhe Investitorëve Strategjikë”./Pamfleti
Lini një Përgjigje