TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Shkurt 2024, 18:04

Kaosi në Parlament, futet në lojë Kushtetuesja; pranon të shqyrtojë Rregulloren e re të Kuvendit

Shkruar nga Pamfleti

Kaosi në Parlament, futet në lojë Kushtetuesja; pranon të

Për shkak të natyrës së kësaj çështjeje dhe pretendimeve e kërkimeve të parashtruara, shqyrtimi i saj do të bëhet nga Gjykata me përparësi, duke reduktuar, për këtë arsye, edhe afatet e palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe të qëndrimeve të tyre

Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e bërë nga PD, lidhur me ndryshimin e Rregullores së Kuvendit nga mazhoranca.

Socialistët ndryshuan Rregulloren duke parashikuar përjashtime deri në 2 muaj për deputetët, por GJK ka vendosur që të flasë për këtë rast. Ndryshe nga sa ndodhi me ligjin për komisionet hetimore, Kushtetuesja e ka parë të arsyeshme që të kalojë për shqyrtim në seancë plenare këtë rast. Po ashtu bëhet me dije se ky rast do të kalojë me procedurë të përshpejtuar. 

"Në datën 19 dhjetor 2023, një grup prej 45 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për shfuqizimin e vendimit nr. 126/2023, datë 14.12.2023 të Kuvendit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar””, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si edhe pezullimin e zbatimit të tij deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, me vendimin e datës 25.01.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, sot, në datën 07.02.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve.

Në lidhje me kërkesën për pezullim, me shumicën e votave, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi shqyrtimin e saj në seancë plenare.

Për shkak të natyrës së kësaj çështjeje dhe pretendimeve e kërkimeve të parashtruara, shqyrtimi i saj do të bëhet nga Gjykata me përparësi, duke reduktuar, për këtë arsye, edhe afatet e palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe të qëndrimeve të tyre", njofton Kushtetuesja.

Do të pritet vendimi final i Kushtetueses, por fakti që drafti kaloi për shqyrtim është një mesazh për mazhorancën. PS në vend që të negociojë me opozitën, vendosi që të ashpërsojë masat duke futur përjashtime deri në 60 ditë. Këto përjashtime po zbatohen. Sot janë 3 deputetët të pezulluar me 20 ditë. Nëse Kushtetuesja e rrëzon Rregulloren, atëherë do të jetë një goditje e fortë për PS, e cila prej disa muajsh sfidon gjykatën duke mos zbatuar vendimet e saj.

Argumentet kryesore të kërkesës së opozitës në Gjykatën Kushtetuese

-Dispozita e Rregullores që vendosin përjashtimin për 30 – 60 ditë të deputetit, duke i ndaluar edhe të kryej cdo lloj veprimtarie si anëtar i Parlamentit shkel në mënyrë flagrante një sërë të drejtash që deputetit i garantohen nga Kushtetuta dhe ligji.

-Praktikisht kjo dispozitë nënkupton pezullimin e deputetit nga detyra. Pezullimi nga ushtrimi i një funksioni publik është masë ndaluese që jepet nga gjykata në kuadër të një procesi penal, por edhe në atë rast pezullimi i deputetit është shprehimisht i ndaluar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale.

-Dispozitat e Rregullores nuk ndalon vetëm ushtrimin e funksioneve të caktuara të deputetit, por lë pa përfaqësim qytetarët që kanë zgjedhur deputetin subjekt i masave disiplinore, në shkelje flagrante me nenin 71 të Kushtetutës.

-Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit shkelin kriteret e përcaktuara nga neni 17 i Kushtetutës sa i përket kufizimit të të drejtave, përkatësisht kriterin e ligjshmërisë, interesit publik dhe proporcionalitetit. Ndryshimet përmbajnë paqartë dhe terminologji evazive, duke i krijuar mundësi mazhorancës që t’i përdorë këto mekanizma në mënyrë arbitrare për të ndëshkuar sjelljet që ato i konsideron të papëlqyeshme të deputetëve të opozitës.
Këto ndryshime nuk janë frymëzuar nga asnjë interes publik apo qytetar, por vetëm nga interesi politik për të shuar zërin e deputetëve opozitarë, sic pranohet në relacionin e propozuesve dhe raportin që ka miratuar Këshilli i Mandateve. Masat disiplinore 30 – 60 ditë, veçanërisht parashikimi i pezullimit të ushtrimit të detyrës gjatë kësaj periudhe, është një masë tërësisht disproporcionale.

-Organi që merr vendimet për masat disiplinore është një organ politik, i drejtuar dhe me shumicë nga mazhoranca, që nuk ofron asnjë lloj garancie sa i përket pavarësisë, paanshmërisë dhe objektivitetit në vendimmarrje. 

-Mungesa e këtyre garancive rrezikon ta shndërrrojë Rregulloren e Kuvendit në një mjet arbitrar në duart e mazhorancës për të ndëshkuar deputetët e opozitës. Në këto kushte cënohet edhe e drejta për proces të rregullt ligjor, e garantuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

-Ndryshimet në Rregullore cënojnë parimin e shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave, parashikuar nga neni 81 i Kushtetutës, pasi ato vijnë në kundërshtim me Kodin e Procedurave Administrative dhe Kodin e Procedurës Penale. 

-Konkretisht, dispozita e Rregullores që sanksionon pezullimin e ushtrimit të funksionin të deputetit vjen në kundërshtim me nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa dispozita që parashikon se ankimi nuk pezullon automatikisht vendimin e Sekretariatit për Etikën, vjen në kundërshtim me nenin 133 të Kodit të Procedurave Administrative. 

-Rregullorja është një akt që miratohet me 71 vota, ndërsa ligjet e mësipërme miratohen me 84 vota, prandaj Rregullorja duhet të jetë detyrimisht në përputhje me këto akte, në përputhje me parimin kushtetues të hierarkisë së normave, parashikuar nga neni 81 i Kushtetutës.

-Mazhoranca ka shkelur afatin 7-ditor të përcaktuar nga neni 83, pika 2, e Kushtetutës dhe neni 28 i Rregullores së Kuvendit sa i përket shqyrtimit dhe miratimit me procedurë të përshpejtuar të një vendimi, pasi ndryshimet në Rregullore u miratuan pa kaluar akoma ky afat. /Pamfleti

Lini një Përgjigje