
Një nga draftet që do të kalojë nesër është ai i hapjes së basteve sportive. Një ligj klientelist që ka shkaktuar shumë debate. Por për shkak se opozita nuk ka lejuar komisionet dhe seancat normale, ligji ka kaluar në “fshehtësi”...
Kuvendi do të mblidhet sërish nesër në seancë plenare, por duket se do të vijojë avazi i vjetër. PD nuk tërhiqet nga aksioni i saj dhe pritet që të ketë sërish tensione. Ashtu si ditën e hënë, pritet që përplasjet të fillojnë te dera e sallës së seancave, pasi janë 19 deputetët të përjashtuar, teksa 4 të tjerë do të përjashtohen sot. Po ashtu pjesa tjetër pritet që të mos lejojë seancë normale, gjë që do të shfrytëzohet nga PS për të kaluar disa ligje mjaft sensitive.
Një nga draftet që do të kalojë nesër është ai i hapjes së basteve sportive. Një ligj klientelist që ka shkaktuar shumë debate. Por për shkak se opozita nuk ka lejuar komisionet dhe seancat normale, ligji ka kaluar në “fshehtësi” dhe ka shumë pak detaje mbi ndryshimet që janë bërë.
Ligj tjetër do të jetë ai i marrëveshjes me Italinë për emigrantët. Pas vendimit të Kushtetueses, PS nuk ka humbur kohë dhe drafti do të kalojë nesër. Në mënyrë që të mos ketë vonesa në ardhjen e refugjatëve afrikanë.
Një tjetër ligj që ka shkaktuar debat është ai për dekoratat. Presidenti Bajram Begaj e ktheu për rishqyrtim draftin, pasi qeveria synonte që t’i hiqte atij të drejtën e dhënies së dekoratave. Dekreti u mbajt peng për shumë muaj dhe ka kaluar në fshehtësi totale.
Po ashtu do të kalojë ligji për tenderët. Qeveria ka vendosur të ristrukturojë dhënien e tenderëve duke krijuar një agjenci të posaçme që merret me to. Ligji është diskutuar në komisione dhe nesër votohet.
Po ashtu janë dhe disa marrëveshje të tjera që do të hidhen në votim.
Prej më shumë se 3 muajsh Kuvendi është në kolaps total dhe PS ka shfrytëzuar situatën për të kaluar ligjet që i interesojnë sipas qejfeve të saj. /Pamfleti

Lini një Përgjigje