Resorti i konfliktit dhe nepotizmi i Tavos: Kush janë Balat që kontrollojnë lejet në Himarë...
Nepotizmi në Bashkinë e Himarës nuk është vetëm me lidhje familjare punonjësish në sektorët e shërbimeve dhe në nivelin e ulët të administratës, por edhe në kupolën drejtuese të bashkisë, ku hartohen dhe miratohen vendimet.
Me indicie nga një mosmarrëveshje për tokën mes dy kushërinjve, Llazar Theodhori dhe Panajot Rondo, dhe ndërtimi i një resorti mbi atë tokë, "Pamfleti" ka zbuluar një skandal nepotik në kupolën drejtuese të Bashkisë së Himarës.
Në detyrën e Drejtoreshës së Kabinetit, kryebashkiaku Vangjel Tavo ka emëruar zonjën Blerina Bala, ish-zv/kryetare e Bashkisë Himarë dhe ish-kryetare në detyrë, e komanduar në muajin mars 2024, pas arrestimit të kryetarit Jorgo Goro.
Ndërsa bashkëshorti i Drejtoreshës së Kabinetit të Bashkisë, Artan Bala, është Anëtar i Këshillit Bashkiak të Himarës, zgjedhur më 14 maj 2023, si përfaqësues i Partisë Aleanca Arbnore Kombëtare, parti në koalicion me PD-në.
Nuk është fjala për akrobacinë që gruaja, Drejtore Kabineti e Bashkisë, përfaqëson PS-në, ndërsa bashkëshorti i saj përfaqëson opozitën në këshillin bashkiak, por te nepotizmi që krijon favore për biznesin e tyre ndërtimor.
Bashkëshorti Artan Bala ka në pronësi dhe administrim kompaninë e ndërtimit "Bala Konstruksion 21" sh.p.k., të krijuar në datën 28 shtator 2021, kur bashkëshortja Blerina Bala ishte zv/kryetare e Bashkisë Himarë e më pas kryetare, dhe nëpërmjet saj ka marrë disa leje ndërtimi e kontrata për pasuri në zonë.
Edhe tani që ajo është Drejtore Kabineti, bashkëshorti merr leje ndërtimi në Himarë, një ndër to ajo në proces zhvillimi për resortin "Jonian Residences", në tokën me konflikt gjyqësor mes dy kushërinjve Llazar Theodhori dhe Panajot Rondo.
Mosmarrëveshjen për tokën ata do ta zgjidhin sipas ligjit, ndërsa skandali qëndron në faktin që drejtoresha e Kabinetit të Bashkisë, Blerina Bala, përgatit dosjet dhe ia paraqet për miratim kryebashkiakut Vangjel Tavo, ndër to edhe leje ndërtimi për bashkëshortin, të cilat miratohen në Këshillin Bashkiak ku ai është anëtar.

Madje, me Vendimin Nr. 34, datë 28 korrik 2023, bashkëshorti i Drejtoreshës së Kabinetit, ndërtuesi Artan Bala, është emëruar Anëtar i Komisionit të Përhershëm Bashkiak për Zhvillimin Urban, Infrastrukturën dhe Shërbimet Publike në Bashki, që përbën konflikt të hapur interesi.
Sipas të dhënave zyrtare, në lojë për ndërtimin e resortit "Jonian Residences", bashkë me burrin e drejtoreshës së Kabinetit të Bashkisë, është futur dhe kompania "Beta" sh.p.k. e ndërtuesit me precedente penalë, Paqësor Buzi nga Lushnja./Pamfleti
Po e di gjithe Himara qe Tavua e ka dashnore ate , po Tan Bala nuk ka problem mjafton te fitoje para .