
Me kartonë, poza dhe solemnitet provincial, politika që ka rrënuar vendin po shet veten si shpëtimtare të rendit botëror...
Teherani me siguri nuk ka fjetur mbrëmë. Jo nga raketat, as nga sanksionet, jo jo as nga izolimi ndërkombëtar, por nga tmerri metafizik që vjen kur Parlamenti shqiptar vendosi të ngrejë gishtin tregues dhe të shpallë një fuqi rajonale si Iranin “shtet sponsor të terrorizmit”. Nuk dihet nëse në zyrat e Ajatollahut janë fikur dritat nga paniku apo nga kursimi, por një gjë është e sigurt: kur Taulanti ngrihet në foltore dhe republika e kartonit moral nis të japë leksione mbi rendin botëror, edhe vetë historia shkrihet së qeshuri.
Projektrezoluta e shumicës socialiste, e paralajmëruar nga Edi Rama dhe e futur në seancën e 17 marsit, e shpall Iranin jo vetëm sponsor të terrorizmit, por edhe shtet që përdor mjete terroriste, ndërsa u kërkon institucioneve shqiptare e partnerëve të veprojnë në përputhje me këtë linjë. Me pak fjalë, Tirana ka marrë përsipër të rregullojë Lindjen e Mesme, sapo të mbarojë punë me tenderët, patronazhistët dhe çështjet e brendshme që i lë gjithmonë për “javën tjetër”.
Pamja është madhështore në absurditetin e vet. Një parlament që mezi prodhon dinjitet institucional për veten, që bie e ngrihet sipas nevojave të propagandës ditore, që nuk gjen dot konsensus për asgjë që ka lidhje me hallet e njerëzve, na doli papritur si tribunali moral i planetit.
Ja edhe ky tjetri:
Çmimet mund të çmenden, korrupsioni mund të marshojë me kollare, ikja e të rinjve mund të jetë kthyer në sport kombëtar, por shteti ynë ka gjetur armikun e madh të njerëzimit dhe, ç’është më e bukura, e ka gjetur në një seancë që prodhon më shumë teatër sesa substancë. Se në fund të fundit, kjo rezolutë nuk është vetëm një akt politik; është një operetë e vogël ballkanike ku aktorët dytësorë luajnë rolin e perandorëve moralë, ndërsa publiku paguan biletën me taksa, me cinizëm dhe me humbjen e çdo iluzioni se këtu bëhet politikë serioze.
Dhe pikërisht këtu nis komedia e zezë shqiptare. Sepse askush nuk po debaton seriozisht nëse regjimi iranian ka histori të errët, nëse ka rol destabilizues apo nëse Shqipëria ka arsye të forta sigurie, sidomos pas sulmeve kibernetike që qeveria shqiptare ua ka atribuar strukturave iraniane. Këto janë çështje reale dhe të rënda. Por mënyra si trajtohen në Tiranë i kthen nga çështje serioze sigurie në skeç provincial për konsum të brendshëm. Kur Edi Rama e shet këtë si akt të madh të përgjegjësisë perëndimore, ndërsa Taulanti e paketoi në sallë me atë solemnitetin e njohur të burokratit që ndihet për disa minuta sekretar shteti i botës së lirë, ti nuk sheh diplomaci; sheh vetëm një nevojë të dëshpëruar për t’u dukur i rëndësishëm në sytë e aleatëve. Shqipëria nuk po flet si shtet i fortë. Shqipëria po reciton si nxënësi më i bindur i klasës, që shpreson të marrë një përkëdhelje në kokë nga mësuesi, edhe pse flet me zë të lartë vetëm kur i vjen radha të përsërisë atë që i kanë thënë më parë.
Këtu hyn në skenë edhe madhështia folklorike e parlamentit tonë, ku çdo akt i madh ndërkombëtar duhet patjetër të kalojë nga filtri i vogëlsisë vendase. Opozita e bojkotoi seancën, jo se Irani u bë papritur i pafajshëm, por sepse në Shqipëri edhe kur diskutohet gjeopolitika, debati zbret në nivelin e sherreve për procedurë, rend dite dhe llogari të brendshme.
Kështu, ndërsa bota merret me luftëra, naftë, dronë, Hormuz e destabilizim rajonal, ne prodhojmë skenën tipike shqiptare: mazhoranca luan rolin e rojës së civilizimit, opozita atë të bojkotit ritual, dhe qytetari sheh nga ekrani një tufë idjotësh funksionalë që flasin me gjoks përballë Iranit. Ky është kulmi i tragjikomedisë: sa më i dobët të jetë autoriteti real i klasës sonë politike në shtëpi, aq më të mëdha i ka pozat në skenën ndërkombëtare.
Natyrisht, rezoluta do të shitet si akt historik. Do të thuhet se Shqipëria është vendi i dytë pas SHBA që e ndërmerr këtë hap, se po jepet një mesazh i fortë, se Tirana është në anën e duhur të historisë, se ne nuk trembemi. Të gjitha këto tingëllojnë bukur në deklarata, sidomos kur lexohen me tonin e lodhur të njerëzve që kanë kaluar jetën duke ngatërruar servilizmin me strategjinë.
Por pyetja që mbetet pezull është shumë më e thjeshtë: a është kjo politikë e jashtme e menduar, apo thjesht një ushtrim besnikërie për t’i treguar Uashingtonit se këtu ka ende njerëz gati të bëjnë edhe rolin e megafonit?
Sepse po të shohësh me qetësi, e gjithë kjo skenë ka diçka thellësisht provinciale: një elitë që nuk arrin dot të imponojë seriozitet në punët e veta të brendshme, por sillet sikur po përgatit hartën e re të sigurisë globale. Kjo nuk është fuqi. Është nevojë për t’u dukur. Dhe shpesh nevoja për t’u dukur është forma më e pastër e dobësisë./Pamfleti
Duket nje komb qe nuk ka breke!
Pse jane kaq te shemtuar keta komunistet?! Shiko Taulantin, Zeqinene, Luarasin... Te vjen te vjellesh!
Titulli ishte PERLE !!!
Sot Lufta me Iranian prek me shume vendet e varfra rritja e karburanteve prek me teper shtetet me ekonomi te dobet sepse nese ne BE pagat jane 1500-2000 euro nese rritet 20 -30 cent per liter nuk eshte ndihet shume po Ketu te ne rroga 400-600 euro dhe nafta me shtrenjte se ne BE shkaterron ekonomine e familjeve Shqiptare rritja e karburanteve sjell rritjen e menjershmete kostove qe nga Buqesia , Ushqimet , Trasporti e me radhe ne jemi dhe nje vend pa shtet pasi ne tere Boten kane hequr disa taksa perkosisht apo kane kompesuar rritjen e Cmimit te karburanteve Shtet ku je ?? Sot ne kemi taksa si TVSH qe sa me shume rritet cmimi aq me shume rritet TVSH , 20 leke per liter I merr ngjyrosja koncesioni famekeq qe nuk ka ngjyrosur asnje liter Koncesioni i pompave dhe me radhe Shtet vere dore sa nuk eshte vone .
Zeqineja e ka bo itanin ti dridhen bolet
Na hapen barkun, O zot ku ka perfunduar ky vend.
Don Kishoti i Surrelit dhe Sanço Pançua i koteceve te Librazhdit, vendosen t'i japin fund luftes ne lindjen e mesme nepermjet presionit me "ushtrine" e frikshme te Shqiperise, qe mbahet nga rrangallet qe na dhurojne shtetet e tjera. Si nuk kane turp keta sharlatane!!!