Sapo ish Presidenti e kuptoi se frika që iku Likja, nuk vret kundërshtarë, as frymëzon turma, e nxori zholin nga mënga...
Ilir Meta u zhduk për 6 ditë.
Tek lista e njerëzve të humbur e futi Sali Berisha, ditën që dhëndri Jamarbër Malltezi, humbi në bizhoz me Edi Ramën, 17 kulla, dy vila, 6 milion dollarë dhe një kapele Republika.
Këtej, në Republikën e Krimit, ku Altin Dumani rrotullon rrotën e fatit, secili mund të humbasë ca miliona dollarë pasuri nga ato të vjedhurat, por kur Republika humbet ish Presidentin, i bie që SPAK-u të varë veten në litar të përgjegjësive, kurse Edi Rama, të varroset i gjallë në një dhomë sekrete nën bazilikën e ambasadës amerikane, ndryshe mund ta bënin copë-copë turbinat e zemërimit.
Në 6 ditë të zeza, njerëzia nisi të numërojë precedentët dhe incidentet e ish Presidentit.
Ilir Meta që kishte ngrënë gjithë jetën si ari, nuk mund të ikte si mi, recitonin mediat dhe avokatët që kishin lidhje e ndanin mendime e shqetësime me të, në fshehtësi nga publiku.
Fshatarët prodhonin lajmin bombë.
Ambasadorja Yuri Kim, që kishte kontraktuar Altin Dumanin ta paralizojë përpara se t’i hipë tankut rus, e të ekzekutojë Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Joe Biden për zhdukjen e krerëve të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, ose është tradhtuar në besimin e madh, ose ka shkalluar si Charles McGonigal.
Shumë menduan se Altin Dumani është rekrut i Ilir Metës.
Të rekrutuar nga Mafia, në fakt, edhe kemi.
Prokurorë e hetues, që kanë vila e pasuri komshi me mafiozët, pse të mos shesin jo vetëm informacionin, por edhe formacionin e strukturave të drejtësisë, se po mbeti në baltë Meta, të gjithë mbesin.
Mbetjet e Sali Berishës kanë nevojë për një kallëp sapun.
Nxjerr shkumë Saliu, studiove televizive të pisllëkut ekonomik, duke vajtuar, “Pse ike, o Like”, e të gjithë qajnë nga halli, se i ka vënë në radhë Djalli.
Sapo ish Presidenti e kuptoi se frika që iku Likja, nuk vret kundërshtarë, as frymëzon turma, e nxori zholin nga mënga.
Doli në kafe, postoi fotografi nga diku afër SPAK-ut të vet, e larg “sëpatës” sonë, se ne akoma jemi në pyll të korrupsionit, me pre dru.
As lajmi se Presidenti u gjet, nuk frymëzoi turma.
Sa kohë Iliri nuk është i lirë, e Saliu është sallatë ruse, që ja ngul pirunin herë ai në parti, e herë Babloku në pasuri, nuk rikthehet fryma për të fryrë tullumbacet e protestave.
Aty bulëzoi rapsodia e radhës.
Vajtimi me ulërima, “Pse ike, o Like”, që mbajti mbërthyer shtratin e këtyre 6 ditëve, frymëzoi shëndetin folklorik të pushtojë hapësirat e kësaj vjeshte, me këngën; “S’tremb askënd se leh, mos u fsheh, o pleh”!/Pamfleti
Lini një Përgjigje