Helena e Dibrës, bijë e Fatimesë, më të bukurës dhe më të pasurës grua të kësaj toke, mbi anijen e luftës për jetë a vdekje, po e çan shtet-rrethimin me flamurin e femrës fitil, sa Tirana sot është bërë më e famshme se Troja...
Vetëm këtë herë nuk gënjeu Monika Kryemadhi. Ditën kur pasuria i varfëroi logjikën dhe shpërtheu me fjalor rruge, rrugës për në burg, tha të parën të vërtetë në jetë.
Ata që nuk e dinin se Mona “nuk e rruan”, nuk mund ta akuzonin se nuk ka ‘as Din e as Iman’ që del para fshatit dhe u nxjerr bojën burrave të shtetit, nga Ilir Meta e deri tek Edi Rama, por e shprishën simbolikën e traditave morale, me trajta artistike e aksione diplomatike.
Helena e Dibrës, bijë e Fatimesë, më të bukurës dhe më të pasurës grua të kësaj toke, mbi anijen e luftës për jetë a vdekje, po e çan shtet-rrethimin me flamurin e femrës fitil, sa Tirana sot është bërë më e famshme se Troja.
Mona prej kohësh është edhe fitil, edhe vaj kërpi.
Nuk luftojnë burrat për të, por kjo ka nxjerrë shpatën e u prin betejave.
I lidh pas vetes, i vajis 4 vojvodët e 4 vëllazërive, i bën më të butë për në burg, edhe pse të gjithë e dinë, se vetëm këtë herë nuk gënjeu.
Shihni si e tundin shaminë, si vallëzojnë rrugës së SPAK-ut politikanë namuzqarë, barbarë e ofiqarë, krushq me nuse e dhëndurë si veshkat në dhjamë.
Këta që nxorën vaj nga varfëria, si të mos e shtrydhin edhe drejtësinë?!
E kanë cingarisur njëri-tjetrin, janë rreshkur sa nuk u bën përshtypje epiteti hajdut.
Drejtësia dhe FBI-ja e fshatit tonë, nuk e kapërcejnë kapërcyellin e Charles McGonigal, heroit që Zeusi e ka burgosur në anijen e Edi Ramës, pa nxjerrë përpara Monikën, si flamur luftërash mes Mafies dhe Amerikës.
Hajde të flasim si burri me burrin.
Të gjithë e gjykojmë, apo nuk është kështu, se nuk shkon që një femër si Monika, t’u prijë 4 burrave, 4 kapove të 4 Klaneve Mafioze, prandaj mirë bën që “nuk e rruan” as për SPAK-un, as për spartanët që stërviten në Spartën e Surrelit, kundër themeleve të qytetërimit.
Për t’i vënë kapakun për masë tenxheres së fshatit tonë, mirë bën Monika që “nuk e rruan” as për drejtësinë, as për FBI-në!
Ata, le të rrinë në punë të tyre, se po tha edhe një tjetër të vërtetë Monika, keq i kanë edhe punët e veta.
Mund të shembet fortesa e t’i zërë poshtë një grua, që nami të bëhet, “nuk e rruan”!/Pamfleti
Lini një Përgjigje