Pas 30 vitesh, Berisha do të jetë i izoluar. Edhe pse në shtëpi, kjo do e kufizojë në jetën e tij politike. Pra është fundi i një cikli politik. Fundi i një cikli pandëshkueshmërie. Fundi i të paprekshmëve...
Pas më shumë se 30 vitesh, Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër i këtij vendi, mund të përballet me një masë arresti.
Ka pasur shumë akuza ndaj tij në këto vite. Madje është tentuar disa herë arrestimi i tij, por kurrë ai nuk u përball me një akuzë penale dhe që të kishte një masë sigurie ndaj tij. Drejtësia ka qenë gjithmonë e trembur përballë tij.
Në vitin 1998 pati një grusht shteti, por askush nuk guxoi ta merrte të pandehur. Po ashtu ndaj tij pati akuza se kishte gisht te vrasja e Azem Hajdarit. Berisha injoroi me dhjetëra thirrje të prokurorisë dhe gjykatës që të fliste si dëshmitar dhe askush nuk guxoi ta merrte me forcë. Në vrasjet e “21 Janarit” ndodhi e njëjta gjë. Asnjë prokuror nuk guxoi ta thërriste për ta marr në pyetje.
U desh reforma në drejtësi që të mos kemi më të paprekshëm. Plepistët ikën dhe shumë emra i kthyen shpinën Berishës. Tani ai do të duhet të përballet me drejtësinë.
Nesër mund të themi se do të ke një proces historik në Gjykatën e Posaçme, pasi pritet të shqyrtohet kërkesa e SPAK, për të vendosur Sali Berishën në arrest shtëpie. Ai akuzohet për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, pasi dhëndri i tij ka bërë namin me ndërtimin e kullave aty. Fillimisht u vendos “detyrim paraqitje”. Mirëpo Berisha sfidoi drejtësinë duke mos e zbatuar masën dhe SPAK ka kërkuar “arrest në shtëpi”.
Fati i tij do të jetë në dorë të gjyqtares Irena Gjoka, gjyqtare shumë e sulmuar dhe anatemuar prej tij. Madje pak ditë më parë një person përplasi eskortën që shoqëronte djalin e saj dhe ka shumë zëra se mund të ketë qenë një paralajmërim.
Nëse gjyqtarja pranon kërkesën e SPAK, atëherë pritet që drejtësia e re të bëjë goditjen më të madhe deri tani, duke vendosur në masë arresti një ish-kryeministër. Me pak fjalë mund të themi se me këtë lëvizje, SPAK vulos fundin e një cikli.
Pas 30 vitesh, Berisha do të jetë i izoluar. Edhe pse në shtëpi, kjo do e kufizojë jetën e tij politike. Pra është fundi i një cikli politik. Fundi i një cikli pandëshkueshmërie. Fundi i të paprekshmëve. Izolimi tij është mesazh për të gjithë. Mesazh për Ramën, për Metën, për Bashën, për ministrat dhe deputetët milionerë, për politikën e vjetër që ka grabitur shqiptarët në 30 vite. /Pamfleti
Lini një Përgjigje