Mirë Babloku që është nxirë, po Altini çka që u këndon “trimërive” të “Dragoit” të Dragobisë që ra “dëshmor” i hajdutërisë?!
Sali Berisha iku. E përpinë mëkatet e veta. I pari që e qau, është ai që e vrau.
Altin Dumani vajtoi mes lotësh për t’i dhënë një mesazh Amerikës e një 4 Klaneve Mafioze.
Amerikës i shprehi ndjenja të tensionuara, se drejtësia po punon dhe do të arrestohen secili hajdut, njëri pas tjetrit, kurse mafies i dha forcë me fjalët që i duhen thënë një të “vdekuri”.
Saliu u përcoll nga Dumani si hero:
Nuk e rr*an tr*pin për vendime të gjykatës/ as Amerika s’ia thyen tehun e shpatës/ s’ia frenon turrin forca juridike/ s’ia mbulon sytë kapistra diplomatike.
“Dragoi” i Dragobisë dhe SPAK-u i Qeverisë, janë kokë lajmi për çdo media që fsheh kokën tek inceneratorët e Lali Erit, për çdo mëndje që zgjat qafën e revolucionit sipër shkëmbit të tranzicionit, ku fryn murrlani i çmendurisë kolektive.
Era e ndryshimeve të mëdha, ka kërlesh durimin e SPAK-ut, që e përcjell “trimin” me kujë e mbush me gënjeshtra fshatin, me gjasmë se përleshja me “Dragoin” e Dragobisë, mund të ketë edhe viktima.
Amerikës i jep mesazh se po mbron prokurorët që Saliu i zë nga veshët, i fyen, u fut duart në pasuri e dosje, duke na e bërë mizën buall.
Po, fshatarët e kuptojnë se dosjeve po u kruhet keq sedra kombëtare.
Ato janë letër, pa shpirt, por të ndjeshme kur i shprish Saliu që kërkon të marrë me vete në burg, jo vetëm vocërrakët, po edhe Ilir Metën, Fatos Nanon, Lali Erin dhe Bablokun.
Këtu i ngel fjala në fyt SPAK-ut, tek Babloku.
Ankesat për Saliun, u ngjajnë zënkave të fëmijëve, është gol, nuk është gol, e kam arushin më të bukur se ti e babin më të fortë se ti, plas nga inati.
Fuqitë dhe energjitë lëvizëse, zhvendosen e zvarriten nëpër vrimat e dërrasave të padrejtësive shoqërore, që Saliu i ka bërë shoshë me të njëjtin avaz, po më prekët mua, gjeni skutë për t’u futur, të gjithë, me prokurorë oborrtarë, e me perandor barbar.
Odiseu i SPAK-ut, i zhveshur në brekë, që kur Saliu ja bëri lundërtarët derra, i ka mbledhur pikë-pikë lotët në shami dhe në kuti.
Ato të shamisë i shtrydh para ambasadës amerikane dhe Edi Ramës, që ende po mbajnë me zor mbeturinat e dashurive me ngjyra dhimbjeje nëpër ndjenjat e abonentëve të frekuencave euro-atlantike.
Po lotët në kuti çfarë janë?
Janë lëng i indeve magnetike dhe përgjegjësive historike, që ngacmojnë kureshtjen, more, mirë Babloku që është nxirë, po Altini çka që u këndon “trimërive” të “Dragoit” të Dragobisë që ra “dëshmor” i hajdutërisë?!/Pamfleti
Lini një Përgjigje