TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë17 Tetor 2025, 10:44

Edi Rama dhe Korporata e Grabitjes së pronave publike

Shkruar nga Pamfleti

Edi Rama dhe Korporata e Grabitjes së pronave publike

Nga “Asllan Rusi” në Tiranë te Dhërmiu, Divjaka dhe Farka; një rrjet klientelist që pastron para dhe betonizon Shqipërinë me firmë qeveritare...

Një çetë klientësh, shokësh e ortakësh të vjetër të Edi Ramës po zhvat pasuritë e fundit publike të vendit.
Pas 12 vitesh pushtet absolut, kryeministri ka ngritur një rrjet grabitësish që vepron nën mbulesën e ligjit për “investimet strategjike” dhe, më së fundi, përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve, një strukturë e sajuar për t’u dhënë pronat publike miqve të tij me letra të pastra.

Në krye të kësaj skeme Rama ka vendosur Elira Kokonën, ish-asistente e Engjëll Agaçit, që firmos dokumentet për çdo pasuri që qeveria ia kalon klientelës së vet për “zhvillim ekonomik”. Në praktikë, kjo do të thotë: tjetërsim tokash, pallatesh, institucioneve publike e zonave të mbrojtura në emër të “rijetëzimit turistik”.

Kulla me top basketbolli në vend të “Asllan Rusit”

Në gusht 2025, Kokona hapi procedurat për “rijetëzimin” e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë. Dy muaj më vonë, u shpall fitues një projekt i studios holandeze MVRDV, e njëjta që ka projektuar kullën me fytyrën e Ramës në qendër të Tiranës.
Në letra, thuhet se do të ndërtohet një hotel në formë topi basketbolli, por në fakt pas studios qëndron biznesmeni Ilir Trebicka, ish-shok i Edi Ramës nga koha e basketbollit.

Trebicka, përmes kompanisë Trema Tech sh.p.k., ka kontraktuar studion e huaj për të legjitimuar projektin, që në realitet është një biznes privat mbi truallin publik të Pallatit të Sportit. Elira Kokona ka firmosur dokumentet, ndërsa Rama do ta prezantojë si “vlerë arkitekturore”.

Ky është një akt i pastër tjetërsimi prone publike dhe abuzimi me fondet e shtetit, një dosje që SPAK duhet ta kishte hapur dje, nëse nuk do të ishte kthyer në një spektator të plaçkitjeve qeveritare.

Nga Dhërmiu në Farkë; imperiumi privat i Trebickës

Ilir Trebicka, emër që doli në skandalin ndërkombëtar “Panama Papers” me kompaninë offshore Re-Land Energy Ltd, është sot një nga përfituesit më të mëdhenj të pasurive publike në Shqipëri.
Në vitin 2019, ai mori nga Edi Rama statusin e investitorit strategjik për një kompleks turistik në Dhërmi, përmes kompanisë Drimadhe I & I sh.p.k., me kapital qesharak prej vetëm 100 mijë lekësh.
Kompleksi “Thymus Resort” përfshin dy hotele dhe 38 vila dy e trekatëshe. Pesë vite më vonë, Rama i shtoi edhe 2,336 m² të tjera sipërfaqe ndërtimi, me një vendim të posaçëm qeverie, duke e kthyer në një rast tipik pastrimi parash dhe falsifikimi dokumentesh.

Në korrik 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi një tjetër projekt për Trebickën dhe ortakun Ilir Hoxhallari, një kompleks vilash dhe pallatesh në Farkë, mbi tokë të përfituar në mënyrë të dyshimtë përmes kompanisë Trema Investment sh.p.k.

Në Divjakë, Trebicka ka marrë rreth 800 hektarë tokë publike për “fermë bujqësore” në vitin 2018, përmes kompanisë Agro Iliria Group, në ortakëri me Shpëtim Osekun, një “fermer” që përdoret si maskë ligjore. Brenda pak vitesh, projekti u kthye në impejant fotovoltaik dhe më pas në zonë ndërtimi vilash.
Vendimi i Këshillit të Investimeve Strategjike, të drejtuar nga vetë Rama, ia dha tokën falas Trebickës, pa garë dhe me paracaktim.

Kulla te Garda: “Grand Park Skyline”

Në gusht 2024, KKT-ja me firmën e Ramës dha lejen për ndërtimin e kullës “Grand Park Skyline”, ngjitur me Gardën e Republikës, në vendin e ish-godinës së Tirana Bank. Përfituesi kryesor: sërish Ilir Trebicka.
Apartamentet e kullës janë hedhur në shitje pa u hapur ende gropa e ndërtimit, me çmime që nisin nga 10 mijë euro/m² dhe arrijnë në 30 mijë euro/m² në katet e para.

Ky është modeli ekonomik i Ramës: plaçkitje e pasurisë publike, pastrim parash dhe ndërtim kullash për klientët e oborrit, ndërsa propaganda flet për “zhvillim turistik” e “modernizim urban”.

SPAK hesht, çeta ndërton

Trebicka është vetëm një prej shumë “miqve strategjikë” të Ramës që kanë marrë pasuri publike me 1 euro, leje ndërtimi pa garë dhe status investitori për të betonizuar bregdetin dhe kryeqytetin.
Korporata e Investimeve është bërë dogana private e kullave të Ramës, ku çdo vendim kalon me firmë të kryeministrit dhe bekimin e Elira Kokonës.

Nëse SPAK-u i Altin Dumanit nuk guxon të hetojë këtë rast, atëherë drejtësia shqiptare mund të konsiderohet përfundimisht pjesë e çetës së plaçkitjes shtetërore që drejton Edi Rama./Pamfleti

korporata e grabitjes së pronave publike edi rama ilir trebicka

2 Komente

  1. I
    Igli

    UAU keto jane fiks Firma Piramidale. Prit se po plas flluska demek aha dhe Europianet pale jane me shume gjasa, marrin thesin apo apartamentin e tyre

    1. F
      Feti Dema

      Igli! Po çfarë kujtove Ti se kotë vërdallisen Europianërt në Shqipëri? I ke parë se si organizojnë takime ,konsultime dhe marrin udhëzime nga ai i gjati? Ursulën e përflasin në Gjermani për korrupsion miliardash lidhur me vaksinat. Pa ndërhyr SHBA lidhur me bëmat e klanit Soros në Shqipëri, nuk ka asnjë hap para në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta.

      Lini një Përgjigje