Amerika ka fituar, por Edi Rama ende nuk ka humbur!
Dy Dumanë po çmendin dynjanë, megjithëse deri para dy vitesh, ishin emra të panjohur.
U desh arrestimi i Nuredinit, më datën 29/03/2022, që Altini të njihej si prokuror nga lajmet e fshatit, e përfundimisht të ngjitej në kodër të ligjit nga ambasadorja Yuri Kim, që doli me sopatë në dorë në “pyllin” e “Maliqit” më datën 16/12/2022.
Diplomatja shkurtoi ca shkurre anash Altinit, ndoshta për t’i hapur rrugën Nuredinit, që të mbushë me informacion kriminal hinkën e hirrës që e kishim harruar në mënynë e tranzicionit tropikal, ku ende po marshojmë drejt perëndimit mbi gomar të Nastadinit.
Ligji dhe Maliqi, deri atë ditë, kishin tunelet, portet dhe aeroportet sekrete, që lidhnin infrastrukturën kriminale të 4 Klaneve Mafioze, ndaj u prit me dorë në zemër një spostim i Adnan Xholit, i dyshuar si ‘zholi’ i Saliut, dhe Edvin Kondilit, i njohur si ‘kandili’ i Edit.
Dinamika është aq diskrete, sa sot që Altin Dumanit po i mbaron mandati, jo vetëm nuk ka arrestuar as një qeveritar, por as ka ngritur akuzë për një nga “qyqarët”, që aksidentalisht Mafia i ka nxjerrë jashtë “jorganit”, për të liruar pak “hambarët” e istikamit.
Ajo që dihet është se, Nuredini nga burgu, ka qenë më i suksesshëm në luftën me krimin se sa Altini që ende fle gjumë mbi dosjet e familjeve Mediu, Meta-Kryemadhi, Berisha, Xhafaj, Krifca, Agaçi, Xhaçka, Rama, dhe gjithë atyre që kanë rënë në sy, si milionerë me prapavijë pushteti.
Udha me avull ka formuar një shtresë bryme që fermerët po e shkrijnë me frymë.
Historikisht, fshatarëve u kanë zënë frymën fermanët fanatikë, ku sunduesit vulosin dokumente mbi shpatullat e popullit që vazhdon të ikë për të mos bërë ‘pik’ me “vezën” e Vezirit.
Njëherë bënë ‘pik’ për Kreun e SPAK-ut, dy viganët e vrugut të vjeshtës, që Adriatik Llalla e ka futur në kalendarin e mashtrimeve si stinën e ‘Peshqve të Mëdhenj’.
Me Altin Dumanin në krye të SPAK-ut fitoi ambasadorja Yuri Kim, por as Babloku ende nuk ka humbur.
Ku ta dinte një kalimtare, se tapës së saj, Babloku i vë një tampon që vetëm dollari e shpon.
Ec e mbushu mendjen shqiptarëve, se Altini mund të bëhej prokuror special, pa Nuredinin vrasës serial
Shembuj të dinastisë dinamike, kemi në gjithë kurbën historike.
Shkëlzeni pa Saliun, Olsi pa Edin, Geroni pa Fatmirin, Monika pa Ilirin, Artani pa Oltën, Gjergji i peshkut pa Sulltanin e Surrelit, do të ishin sot, si dje, emra që nuk do i njihte as fshati, të mëngët në mendje e ‘gollë’ në govatë.
Guva ku janë fshehur dosjet e krimit është aq e thellë, një labirinth i mistershëm, sa vetëm FBI dhe DEA kanë kërçik të lëshojnë atje një çikrik për të nxjerrë kutinë e Pandorës, pasi në sipërfaqe ka borë shekullore.
Edhe të shkruan mbi akull, se me Altin Dumanin prokuror Amerika ka fituar, por Edi Rama ende nuk ka humbur, duhet të kesh kujdes mos të rrëshqet dërrasa e skive.
Skilet rrëshqasin si skiatorë të mrekullueshëm në Olimpin ku dardhat e mollët e Bablokut prodhojnë dollarë edhe në stinën e borës, prandaj janë lëshuar shesheve të Shqipërisë për të rrëzuar bordurat e rrugës drejt burgut që i pret./Pamfleti
Lini një Përgjigje