TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë23 Shkurt 2026, 16:43

Bordi i Paqes, si “varkë shpëtimi” për autokratët dhe të korruptuarit!

Shkruar nga Pamfleti
Bordi i Paqes, si “varkë shpëtimi” për
Bordi i Paqes

Nën flamurin e paqes: a po kthehet Bordi i ri në platformë legjitimimi për regjime autoritare?

Në Uashington, më 19 shkurt, u mblodh për herë të parë Bordi i Paqes, një nismë që synon të promovojë stabilitetin dhe rindërtimin pas konflikteve, duke nisur me Gazën. Në tryezë ishin përfaqësues nga rreth 27 shtete anëtare dhe disa vende vëzhguese. U premtuan fonde, u fol për rindërtim, për qeverisje tranzitore, për çarmatimin e Hamasit dhe për një forcë ndërkombëtare stabilizuese.

Në letër, një iniciativë e tillë duket e domosdoshme. Gaza ka nevojë për rindërtim, rajoni për stabilitet, ndërkombëtarët për një mekanizëm koordinimi. Por përtej deklaratave diplomatike dhe fotografive zyrtare, lind një pyetje e pashmangshme: kush po e ndërton paqen dhe me çfarë kredibiliteti?

Përbërja e Bordit të Paqes ngre dilema serioze. Shumë prej liderëve të përfshirë përfaqësojnë sisteme politike të karakterizuara nga kontroll i fortë qendror, kufizim i opozitës dhe presion ndaj mediave.

Mostafa Madbouly, kryeministër i Egjiptit që prej vitit 2018, vepron nën presidencën e Abdel Fattah el-Sisit, një figurë që ka konsoliduar pushtetin për më shumë se një dekadë, mes kritikave për kufizim të lirive politike.

Hakan Fidan, ministër i Jashtëm i Turqisë dhe ish-shef i inteligjencës, ka qenë një nga arkitektët e politikave të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, veçanërisht pas vitit 2016, periudhë e shoqëruar me rritje të kontrollit institucional dhe goditje ndaj kundërshtarëve politikë.

Hun Manet në Kamboxhia përfaqëson vazhdimësinë e një sistemi të dominuar prej dekadash nga e njëjta forcë politike. Ai mori drejtimin pas dorëheqjes së babait të tij, Hun Sen, në një tranzicion që kritikët e kanë cilësuar si konsolidim familjar të pushtetit.

Në Azi Qendrore, Kassym-Jomart Tokayev në Kazakistan dhe Shavkat Mirziyoyev në Uzbekistan drejtojnë sisteme që, megjithë disa reforma të deklaruara, mbeten të karakterizuara nga kontroll i fortë politik dhe hapësirë e kufizuar për opozitën reale.

To Lam në Vietnam përfaqëson një regjim njëpartiak, ku pluralizmi politik nuk ekziston dhe kontrolli shtetëror mbi institucionet është i plotë.

Në Evropë, Viktor Orbán, në pushtet që prej vitit 2010, ka ndërtuar modelin e ashtuquajtur “demokraci iliberale”, me ndryshime të thella në sistemin e drejtësisë, median dhe balancat institucionale.

Në këtë panoramë, pjesëmarrja e kryeministrit shqiptar Edi Rama merr një dimension të veçantë. Rama vjen në këtë forum me një mandat të katërt në pushtet. Qeveria e tij është përballur me akuza të brendshme për afera korruptive dhe me tensione politike të vazhdueshme. Marrëdhëniet me administratën amerikane, nuk janë në pikën më të lartë të tyre. Dhe angazhimi i tij në forume të tilla shërben edhe si instrument për konsum të brendshëm politik.

Ndërsa ideja e një mekanizmi ndërkombëtar për paqe dhe rindërtim është aspiratë e vlefshme, përfshirja në të e liderëve me histori të gjatë të dominimit politik apo praktikave autoritare ngre pyetje mbi prioritetet reale. Shumë prej tyre kanë fokus kryesor mbajtjen e kontrollit në vendet e tyre, dhe jo domosdoshmërisht avancimin e demokracisë apo transparencës. I vetmi shtet që vërtet ka interes është Kosova, e cila nuk është anëtare në OKB dhe organizata të tjera. Por gjithë të tjerët, përfshirë Edi Ramën, e bëjnë këtë vetëm për kredo politike në vendet e tyre. /Pamfleti

rama bordi i paqes autoritaret

Lini një Përgjigje