Kuçana kërkoi të hidhej në votim një rezolutë që parashikon mbështetje për protestat qytetare, rikthim te parimet e Rithemelimit dhe "çrrënjosjen e mulizimit", por kërkesa u refuzua pasi nuk ishte pjesë e rendit të ditës.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate, pasi Sali Berisha, ka bllokuar rezolutën e propozur nga Ilirjana Kuçana, për atë që ajo e cilëson "Mulizimi" i PD.
Përplasja ndodhi menjëherë pasi Berisha prezantoi emrat e propozuar për postet drejtuese të Partisë Demokratike. Në atë moment, Kuçana mori fjalën dhe kërkoi që rezoluta e dorëzuar prej saj 24 orë më parë të kalonte për votim.
"Të lutem, kam një kërkesë që e kam depozituar 24 orë para. Ne jemi anëtarë të Këshillit Kombëtar", u shpreh Kuçana.
Kërkesa u kundërshtua nga drejtuesja e mbledhjes, Julja Emiri, e cila theksoi se Këshilli Kombëtar kishte një rend dite të miratuar dhe se procedurat statutore nuk lejonin shqyrtimin e rezolutës në atë moment.
"Sot ka një rend dite dhe do të vazhdojmë fillimisht me rendin e ditës", u përgjigj Emiri.
Në debat ndërhyri edhe Sali Berisha, i cili tha se paraqitja e rezolutave rregullohet nga Statuti i Partisë Demokratike.
"Iliriana, paraqitja e rezolutave ka rregullin e vet. Absolutisht do të kesh të drejtë të paraqesësh sa herë të duash, por vetëm sipas rregullit. Lexoje statutin... Nuk mund ta shkruajmë statutin këtu tani. Të kam kthyer përgjigje dhe të kam thënë: ndiqe statutin", iu drejtua Berisha anëtares së Këshillit Kombëtar. Më pas PD hoqi sinjalin e transmetimit duke fshehur debatin.
Projekt-rezoluta e Ilirjana Kuçanës përmban një paketë propozimesh dhe kritikash për mënyrën e funksionimit të Partisë Demokratike.
Në pjesën politike, dokumenti kërkon që Partia Demokratike të deklarojë mbështetje pa kushte për protestat qytetare kundër qeverisë, duke u bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të saj t'u bashkohen protestave si qytetarë, pa marrë përsipër organizimin e tyre. Rezoluta propozon gjithashtu që PD të mbështesë zyrtarisht kërkesat e protestës, përfshirë dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, si edhe të dënojë dhunën policore ndaj protestuesve.
Dokumenti përmban edhe kritika për gjendjen e brendshme të Partisë Demokratike. Kuçana argumenton se partia është larguar nga parimet e Rithemelimit dhe se procesi i hapjes ka prodhuar, sipas saj, "një bunkerizim të ri" të kupolës drejtuese.
Një tjetër pikë e rezolutës lidhet me listën përfundimtare të anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Autorja pretendon se lista nuk përputhet me atë të dalë nga votimi i Kuvendit Kombëtar dhe kërkon rikthimin e listës së votuar, si edhe marrjen e masave ndaj personave përgjegjës për ndryshimet.
Pjesa më kritike e dokumentit është ajo që Kuçana e quan "çrrënjosja e mulizimit" brenda Partisë Demokratike.
Në rezolutë thuhet se "mulizimi" është një model drejtimi që e kthen partinë në një "çiflik klanor", ku funksionet drejtuese mbushen përmes emërimeve të mbyllura, duke dëmtuar meritokracinë dhe konkurrencën e ndershme. Dokumenti kërkon transparencë në përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve dhe sekretariateve, si dhe fundin e praktikave që, sipas autores, kanë deformuar demokracinë e brendshme të Partisë Demokratike.
Rezoluta propozon gjithashtu ngritjen e një Forumi të Intelektualëve dhe një Forumi Studentor, si edhe vendosjen e një standardi etik që ndalon mbajtjen e funksioneve drejtuese nga individë me interesa biznesi të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me qeverinë.
Pavarësisht debatit, drejtuesit e mbledhjes nuk e hodhën në votim projekt-rezolutën, duke argumentuar se shqyrtimi i saj duhet të bëhet sipas procedurave të parashikuara në Statutin e Partisë Demokratike.
Debati
Ilirjana Kuçana: Të lutem ke një kërkesë, që e kam depozituar 24 orë para. Ne jemi anëtarë të Këshilit Kombëtar. Zbato Statuin...
Julia Emiri: Patjetër, po statuti sot ka rend dite. Ka një rend dite dhe do të zbatohet fillimisht rendi i ditës dhe këtë përgjigje ju kam dhënë.
Berisha: Iliriana, mos e nis... Një minutë. Jo, një minutë, një minutë. Një minutë. Po ju flas të kthej përgjigjen. Paraqitja e rezolutave ka rregullin e vet. Absolutisht do kesh të drejtë të paraqesësh sa herë të duash, po vetëm sipas rregullit. Lexoje statutin tani... Iliriana, edhe një herë. Më fal, një minutë.
Ilirjana Kuçana: Statutin e ke shkelur që në momentin që kemi shtuar 37 emra.... Të rikandidojmë Flamur Nokën Sekretar të përgjithshëm
Julia Emiri: Sot ka një rend dite dhe do vazhdojmë fillimisht me rendin e ditës.
Berisha: Të kesh të drejtë... të lutem, një minutë. Po jo pra nuk mund ta shkruajmë statutin këtu ne tani.
Julia Emiri: Sot do vazhdojmë fillimisht me rendin e ditës, ju lutem këtë përgjigje ju kam dhënë. Po pra, këtë përgjigje ju kam dhënë, të dhënë me mesazh.
Berisha: Iliriana, edhe një herë... një minutë. A mund të të kthej përgjigje apo jo? Ke komunikuar me mua sot? Po. Të kam kthyer përgjigje, të kam thënë ndiqe statutin. Urdho...
Julia Emiri: Shumë dakord, po sipas procedurës sepse sot është një rend dite i përcaktuar.
Ka shkuar per lesh PD me kohe!
Sipas statutit, kryetari që humbet zgjedhjet duhet te jape doreheqjen. E di kete Berisha?