
Lufta në Gaza ka bërë që vendi i njohur edhe si vendlindja e Jezusit të jetë e ‘zymtë’ për Krishtlindje. Nuk do të ketë festa, muzikë dhe asnjë ceremoni për ndezjen e dritave të pemës. Do të mungojnë dekorimet që zakonisht zbukurojnë qytetin e Betlehemit të Bregut Perëndimor në Krishtlindje. Lufta në Gaza e ka kthyer këtë qytet në zi totale.
“Ne jemi të mbërthyer pas ekraneve, duke parë fëmijë të nxjerrë nga rrënojat ditë pas dite. Jemi të pikëlluar nga këto imazhe. Zoti është nën rrënojat në Gaza”, është shprehur Rev Munther Isaac, pastori në Kishën Ungjillore Luterane të Krishtlindjeve.
Lufta në Gaza filloi më 7 tetor, si kundërpërgjigje e sulmit vdekjeprurës Hamasit ndaj Izraelit që la rreth 1200 të vdekur.
Ndërsa konflikti vazhdon, tashmë prej 3 muajsh, disa nga imazhet që kanë mbizotëruar kanë qenë të fëmijëve të vdekur palestinezë që janë nxjerrë nga rrënojat e sulmeve ajrore izraelite.
Gati gjysma e popullsisë prej 2.2 milionë banorësh të Gazës janë fëmijë dhe rreth 70% e të vrarëve janë gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës dhe Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu sipas Ministrisë mbi 20,000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës.
Ndonëse Gaza është rreth 70 kilometra larg Betlehemit, i cili ndodhet në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, palestinezët janë shumë të prekur.
Ata shqetësohen për familjen dhe miqtë në Gaza dhe e shohin jetën e tyre përmes kufijve ‘të forta’ izraelitë që nga fillimi i luftës për lëvizjen brenda dhe jashtë qytetit, pasojat ekonomike të luftës ose anulimin e festimeve të Krishtlindjeve.
Udhëheqësit lokalë të krishterë thonë se ka rreth 35,000 të krishterë në zonën e Betlehemit. Simbolika e Krishtlindjes është pjesë e shpirtit të qytetit.
Por lufta nuk i ka lënë vend dëshirës për të festuar. Këtë vit do të mungojë pema gjigante e Krishtlindjeve që zakonisht vendoset në qendër të qytetit në sheshin Manger.
Megjithatë do të zhvillohet aktiviteti që mban Patriarku Katolik Romak i cili udhëton nga Jerusalemi në Betlehem për të shënuar udhëtimin e Jozefit dhe Marisë.
Patriarku do të nisë kortezhin si zakonisht në prag të Krishtlindjes, i shoqëruar nga djemtë dhe vajzat, por këtë vit ata do të marshojnë në heshtje, pa luajtur instrumente muzikore.
Sapo patriarku të arrijë në Betlehem, ai do të ecë nëpër Star Street, rruga historike që kalon nëpër qytetin e vjetër deri në Kishën e Lindjes, e ndërtuar në vendin ku besohet se ka lindur Jezusi. Më pas ai do të kremtojë një meshë në mesnatë.
Zakonisht Mahmoud Abbas, presidenti i Autoritetit Palestinez, dhe personalitete të tjera marrin pjesë në meshë, por nuk dihet nëse do të bashkohen këtë vit.
“Ne do të shmangim muzikën, ceremonitë në ambientet e jashtme dhe dekorimet”, tha Imzot Rami Asakrieh, një famullitar i kishës latine të Shën Katerinës në Kishën e Lindjes, duke theksuar se Brenda Kishës do të ketë dekorime.
Ai shtoi se tmerri i luftës nuk mund të lejojë të varroset shpirti i Jezusit.
“Tmerri i luftës nuk mund të lejohet të varros shpirtin e Jezusit. Pavarësisht rrethanave, ne duhet të tregojmë ende se Jezusi është burimi i lumturisë dhe paqes në kishë”, tha ai.
Për banorët Betlehemit lufta ka ndikuar edhe ekonomikisht, pasi turizmi përbënte një pjesë të rëndësishme të të ardhurave.
Mesatarisht, 1.5 milion deri në dy milion turistë të huaj vizitojnë qytetin e Betlehemit çdo vit. Por që kur filloi lufta, sektori i turizmit u ndal plotësisht dhe, jeta ekonomike tani është e paralizuar. /New York Times
Lini një Përgjigje