
Shqetësimi i gjerë për krizën e kostos së jetesës nuk e largoi përkrahjen nga Erdogani në zgjedhje, edhe pse politikat e tij të pazakonshme ekonomike, përfshirë refuzimin e rritjes së shkallës së interesit për një kohë të gjatë, kanë kontribuuar në rritjen e inflacionit dhe të kostos së ushqimit dhe mallrave të tjera elementare.
Analistët presin që kriza ekonomike në Turqi të përkeqësohet, pasi presidenti Rexhep Tajip Erdogan doli i pari në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe partia e tij e mori shumicën e deputetëve në zgjedhjet parlamentare.
Lira turke, vlera e të cilës ka rënë vazhdimisht viteve të fundit, përfshirë përgjysmimin e saj vetëm brenda një viti, ra afër nivelit të ulët historik, përderisa tregjet u hapën në mëngjesin pas zgjedhjeve të së dielës, raporton gazeta “The Guardian”.
Shqetësimi i gjerë për krizën e kostos së jetesës nuk e largoi përkrahjen nga Erdogani në zgjedhje, edhe pse politikat e tij të pazakonshme ekonomike, përfshirë refuzimin e rritjes së shkallës së interesit për një kohë të gjatë, kanë kontribuuar në rritjen e inflacionit dhe të kostos së ushqimit dhe mallrave të tjera elementare.
“Shpresa për një fitore të opozitës dhe një kthim në politikëbërje të zakonshme është zhdukur. Në vend të këtyre, tani ka rrezik shumë real që fitorja e Erdoganit mund të çojë në një paqëndrueshmëri makroekonomike në Turqi, përfshirë rrezikun për një krizë të rëndë të valutës dhe tendosje në sektorin bankar e në pozicionet e borxhit sovran më tej poshtë vijës”, tha Liam Peach nga “Capital Economics”.
Turqia është ekonomia e 19-të më e madhe në botë, sipas Bankës Botërore. Kjo bankë ka vërejtur se kriza ekonomike turke gjatë pesë viteve të kaluara është shoqëruar me përpjekje për ta mbështetur rritjen ekonomike “me gjallërime ekonomike e nxitje për kërkesën”. Ekonomistët e “Bloomberg”-ut vlerësojnë se Banka Qendrore e Turqisë ka shpenzuar mbi 177 miliardë dollarë për ta përkrahur lirën që nga dhjetori i vitit 2021.
Grupi Hulumtues Turk i Inflacionit, i cili e mat inflacionin në shportën e mallrave dhe shërbimeve, regjistroi rritje çmimesh prej 105,19 për qind muajin e kaluar në krahasim me vitin e kaluar, duke shtuar se çmimet janë rritur për gati një të tretën në krahasim me fillimin e këtij viti.
Çmimi i qepëve, një element kryesor në kuzhinën turke, u bë shpejt një pikë diskutimi në zgjedhje pasi Kılıçdaroğlu publikoi një video muajin e kaluar duke thënë: “Tani, një kilogram qepë është 30 lira, nëse Erdogan qëndron do të jetë 100 lira”.
Ndërsa presidenti turk u kundërpërgjigj në një tubim zgjedhor, duke hedhur poshtë shqetësimet për rritjen e çmimit të ushqimeve.
“Kauza jonë është e madhe. Ne dimë si ta thyejmë një qepë me grusht dhe si ta hamë atë. Në këtë vend, nuk ka asnjë problem [të shtrenjtë] të qepës, patateve apo kastravecit. Ne kemi rregulluar tashmë problemet në Turqi”, tha Erdogan.
Agjencia amerikane për shkallëzimin e kredive, “Fitch Ratings”, e përmendi tkurrjen e rezervave të jashtme të Turqisë, të shkaktuara nga përpjekjet për ta stabilizuar lirën, duke parashikuar vështirësi për qeverinë e ardhshme.
“Pavarësisht se kush fiton, qeveria e ardhshme prapë do të ballafaqohet me një sfond sfidues ekonomik, i karakterizuar nga kërkesa e pashprehur për këmbim të jashtëm dhe presioni ndaj lirës, një deficit i tanishëm i gjerë, rënia e rezervave ndërkombëtare dhe inflacioni i lartë”, tha kjo agjenci.
Perspektiva që anëtarët e koalicionit të opozitës gjashtëpartiake të Turqisë mund të siguronin fitoren për të rivendosur besimin ndërkombëtar në ekonominë turke dhe për t'u kthyer në politikat ekonomike më ortodokse dukej gjithnjë e më e pamundur.
Duke folur para raundit të parë të votimit, ekonomisti Bilge Yılmaz, i partisë nacionaliste IYI u shpreh se kriza ekonomike e Turqisë ka tejkaluar potencialisht çdo gjë që vendi kishte duruar në dekada.
“Turqia tani është e privuar nga kapitali i huaj, sepse nuk është e parashikueshme, nuk është e besueshme… në fakt kanë mbetur zero dollarë, për të gjitha qëllimet praktike zero,” deklaroi ai./Marrë dhe përshtatur nga "The Guardian"
Lini një Përgjigje