TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Tetor 2025, 21:39

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut/ VMRO drejt një fitoreje të thellë, VLEN kryeson në Çair; balotazhe në Kërçovë e Strugë

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut/ VMRO drejt një fitoreje të

Ja rezultatet e para nga zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut...

Të dielën në Maqedoninë e Veriut u mbajt raundi i parë i zgjedhjeve lokale, proces që u zhvillua në një atmosferë kryesisht të qetë dhe pa incidente të mëdha. Menjëherë pas përfundimit të votimit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nisi publikimin e rezultateve paraprake, të cilat tregojnë një epërsi të qartë për VMRO-DPMNE.

Sipas të dhënave të deritanishme, VMRO-DPMNE kryeson në 52 komuna të vendit, përfshirë qytete të rëndësishme si Ohri, Shtipi, Radovishi, Sopishta, Resnja dhe Sveti Nikolla, ndërsa partia pretendon gjithashtu një fitore të madhe edhe në bastionin e majtë të Strumicës. Ky rezultat pritet të shënojë një fitore historike për partinë e Hristijan Mickoskit dhe koalicionin që ai drejton.

Në bllokun politik shqiptar, VLEN ka arritur një sukses të rëndësishëm në komunën e Çairit, ku kandidati Izet Mexhiti shpalli fitoren, duke e cilësuar rezultatin si triumf të një gjenerate të re politike. Ai u shpreh se kundërshtarët tashmë "kanë shkuar në pension" dhe i bëri thirrje liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, të japë dorëheqjen.

Në Tetovë, sipas burimeve jozyrtare, kandidati i VLEN-it Bilall Kasami është në avantazh me rreth 2 mijë vota ndaj rivalit të tij nga AKI, Bajram Rexhepi. Gara vazhdon të mbetet e hapur në komunën e Sarajit, ku deri më tani nuk ka një epërsi të qartë për asnjë kandidat.

Nga ana tjetër, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, konfirmoi se kandidati i AKI-së në Gostivar, Valbon Limani, ka fituar pa balotazh që në raundin e parë. Ademi shtoi gjithashtu se në komunat e Strugës dhe Kërçovës, kandidatët e AKI-së do të përballen në balotazh me përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, duke konfirmuar kështu një garë të fortë në këto zona. Arbër Ademi njoftoi se edhe Likova dhe Plasnica morën kryetarë nga radhët e BDI-së.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, rezultatet e deritanishme janë si më poshtë: VMRO-DPMNE kryeson në 52 komuna, koalicioni VLEN në 9, LSDM në 7, NAI në 6 dhe DPT në vetëm 1 komunë. Raundi i dytë pritet të zhvillohet aty ku asnjë kandidat nuk ka arritur të sigurojë shumicën absolute të votave.

Këto zgjedhje mbahen për herë të parë duke reflektuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë së vitit 2021, çka ka sjellë ulje të numrit të anëtarëve të këshillave në 14 komuna. Në garë janë 5 koalicione, 18 parti politike dhe 57 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash, ndërsa për këshillat komunalë janë regjistruar 6 koalicione, 28 parti dhe 67 lista të pavarura.

Për komunitetin shqiptar, që përbën rreth një të katërtën e popullsisë së vendit, këto zgjedhje përbëjnë një moment vendimtar për të matur forcën reale politike dhe ndikimin në qeverisjen lokale. Dy blloqe rivale garojnë me ambicie të mëdha: Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pas më shumë se dy dekadash në pushtet dhe tashmë në opozitë, kërkon rikthimin, ndërsa Koalicioni VLEN, që për herë të parë ndodhet në pozitë pas përjashtimit të BDI-së nga qeveria, synon të konsolidojë terrenin.

Lini një Përgjigje