TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Tetor 2025, 13:04

Zgjedhjet në Holandë, rreziku vjen nga Inteligjenca Artificiale

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në Holandë, rreziku vjen nga Inteligjenca Artificiale

Tetë ditë para zgjedhjeve kombëtare në Holandë, rreziku vjen nga Inteligjenca Artificiale. Autoriteti për Mbrojtjen e të Dhënave në Holandë, paralajmëroi se bot-et e komunikimit të Inteligjencës Artificiale janë “të pabesueshme dhe qartësisht të njëanshme” kur ofrojnë këshilla për të votuar.

Të gjitha chatbot-et e testuar nga autoriteti përfundojnë me zgjedhjen e vetëm dy partive pavarësisht pyetjes apo komandave të dhëna nga përdoruesi.

Në më shumë se gjysmën e rasteve Inteligjenca Artificiale sugjeroi të votoheshin ose partia e të djathtës ekstreme “Freedom” (PVV) e Geert Wilders, ose e të majtës, Groenlinks, e udhëhequr nga ish-zv/presidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans.

Disa parti të tjera, si ajo e qendrës së djathtë, CDA, nuk u përmend në asnjë moment pavarësisht se të dhënat e futura në sistem nga përdoruesit i përshtateshin asaj.

Holanda do t’i drejtohet kutive të votimeve më 29 tetor, zgjedhje që pritet të shihen me vëmendje në Europë për performancës që do të ketë partia e ekstremit të djathtë e Wilders.

Duket se ai po udhëheq sondazhet, por ende shumë votues nuk e kanë ndarë mendjen se për kë do të votojnë. Të gjitha partitë e mëdha kanë përjashtuar një koalicion me PVV-në, që do të thotë se me shumë mundësi partia e dytë do të prodhojë kryeministrin e ardhshëm.

Lini një Përgjigje