TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Janar 2026, 15:52

Zelensky shpërthen në Davos: Europa është e dobët, më shumë flet sesa vepron

Shkruar nga Pamfleti
Zelensky shpërthen në Davos: Europa është e dobët,
Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka lëshuar një mesazh të ashpër dhe të drejtpërdrejtë ndaj vendeve europiane në Forumin Ekonomik të Davosit, duke i akuzuar për mungesë vullneti politik dhe paaftësi për të mbrojtur vetveten në një botë ku rreziku është gjithnjë e më i pranishëm.

Në vitin e kaluar përfundova fjalimin tim duke thënë ‘Europa duhet të dijë si të mbrohet’. Ka kaluar një vit dhe asgjë nuk ka ndryshuar”, tha Zelensky. Ai krahasoi realitetin që po jeton Ukraina me filmin “Black Hawk Down”, duke theksuar se ndonëse askush nuk do të përsëriste një tragjedi të tillë për vite me radhë, kjo është pikërisht jeta e përditshme e popullit ukrainas. Më tej, ai theksoi se, ndërsa bota vëzhgon protestat e shtypura me gjak në Iran dhe pret që SHBA të ndërmarrë veprime, Europa hesht.

Në një tjetër sulm diplomatik, Zelensky kritikoi faktin që Nicolas Maduro, ish-presidenti i Venezuelës, është aktualisht nën proces në SHBA, ndërsa Vladimir Putin jo. “Putin po lufton për fondet e ngrira në Europë. Kur erdhi momenti për t’i përdorur ato për të ndihmuar kundër agresionit rus, vendimi u bllokua. Europa nuk po bën as përpjekje për një Tribunal mbi dëmet e agresionit. Çfarë mungon, koha apo vullneti politik?”, tha ai. 

Presidenti ukrainas akuzoi më tej: “Europa flet gjithmonë për të ardhmen, por pse nuk flet për të tashmen? Pse Donald Trump mund të ndalojë cisternat ruse të naftës, ndërsa Europa nuk vepron, ndonëse ato kalojnë pranë brigjeve të saj?”. Ai denoncoi pasivitetin kronik të Europës, e cila “pret gjithmonë që NATO ta mbrojë” dhe ironizoi faktin që dërgimi simbolik i 40 ushtarëve në Groenlandë nuk përçon asnjë mesazh të besueshëm për Rusinë, Kinën apo Danimarkën.

Zelensky përkujtoi se në vitin 2020, Europa nuk reagoi për të ndihmuar popullin e Bjellorusisë që protestonte për demokraci. Sot, tha ai, “raketat Oreshnik janë në Bjellorusi dhe rrezatojnë disa shtete të Europës”. Ai akuzoi vendet europiane se kanë hyrë në një “modalitet Groenlanda”, ku shpresa vendoset tek veprimi i dikujt tjetër, ndërkohë që forcat që duan të shkatërrojnë Europën nuk presin asnjë ditë. Në këtë pikë, ai përmendi drejtpërdrejt kryeministrin hungarez Viktor Orban, si simbol i një Evrope që e ka humbur rrugën.

Një tjetër kritikë e rëndë kishte të bënte me mungesën e mbështetjes ushtarake aktive. “Vitin e kaluar e kaluam duke folur për raketat me rreze të gjatë për Ukrainën, sot nuk flitet më. Nuk përmenden më raketat Taurus gjermane, as ato Tomahaëk, për të mos prishur humorin e amerikanëve”, u shpreh ai me ironi.

Megjithatë, Zelensky konfirmoi se pavarësisht vështirësive, Ukraina ka bërë hapa përpara drejt një paqeje të mundshme. “Ukraina është ftuar në bordin e paqes me Rusinë dhe Bjellorusinë. Europa ende nuk ka një qëndrim të përbashkët, nuk ka vendosur çfarë të bëjë. Por ne nuk mund të pranojmë që dikush tjetër të vendosë për ne”, tha ai. 

Në fjalimin e tij, Zelensky konfirmoi se sot kishte pasur një takim me Donald Trump dhe se ekipet e tyre po punojnë ngushtë çdo ditë: “Nuk është e lehtë, por dokumentet janë pothuajse gati për të arritur paqen. U diskutua edhe për mbrojtjen e hapësirës ajrore. Shpresoj që SHBA të vazhdojë të jetë me ne. Jemi gati të qëndrojmë me Europën që vlen, sepse edhe ju do të duhet nesër të mbroni stilin tuaj të jetesës”.

Në përfundim të fjalimit, me një thirrje të fortë: “Ne kemi nevojë për veprim, rendi botëror vjen me veprim. Le të mbyllim ciklin e ‘Ground Haëk Day’. Po, është e mundur. Lavdi Ukrainës!”. Salla shpërtheu në një ovacion të madh në këmbë.

Në një zhvillim të rëndësishëm, Zelensky konfirmoi se përfaqësues amerikanë do të ndodhen sot në Moskë dhe se nesër e pasnesër do të zhvillohet një takim trilateral mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës në Emiratet e Bashkuara Arabe. “Shpresoj që Emiratet ta dinë këtë. Ndonjëherë kemi surpriza nga pala amerikane”, tha Zelensky me një shprehje ironike. Ai shtoi se Ukraina po punon me ndershmëri të plotë dhe se “Rusia duhet të jetë e gatshme të përfundojë këtë luftë”. 

 

Lini një Përgjigje