Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shkaktuar një reagim të fortë në Moskë duke u shfaqur në publik me një bluzë që kishte të shkruar: “Ta bëjmë Rusinë sërish të vogël”. Ky veprim ka shkaktuar një stuhi reagimesh në rrjetet sociale, duke përfshirë dhe një reagim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë.
Gjatë një fjalimi të tij mbrëmjen e kaluar, ku prezantoi të dhënat e fundit mbi luftën, Zelensky zgjodhi të vishet me këtë bluzë, duke aluduar për sloganin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”.
Kjo deklaratë erdhi në një kontekst ku ai po fliste për ndihmën e re amerikane për Ukrainën, e cila do të financohet nga asetet e ngrira ruse. Ai theksoi: “Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të sigurojnë 20 miliardë dollarë për ne. Këto fonde janë pjesë e vendimit të G7 për t’i dhënë Ukrainës 50 miliardë dollarë, me qëllim mbështetje për mbrojtjen tonë. Kjo ndihmë është shumë e rëndësishme dhe është e nevojshme që të zbatohet këtë vit. Unë falënderoj Shtetet e Bashkuara dhe grupin G7”.
Reagimi nga Ministria e Jashtme ruse nuk ka vonuar.
Maria Zakharova, zëdhënësja e ministrisë, komentoi: “E vogël si çfarë? BRSS? Perandoria Ruse? Oh, e kuptova! Si Rusia e Kievit. Për këtë na duhet Kievi. E thatë vetë, gjakatar”.
Ky incident thekson tensionet e vazhdueshme midis Ukrainës dhe Rusisë, si dhe ndikimin e politikave dhe retorikës së liderëve në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje