TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Tetor 2024, 12:37

Vrasja që tronditi SHBA u bë serial i Netflix, dy vëllezërit Menendez shumë pranë lirisë

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja që tronditi SHBA u bë serial i Netflix, dy vëllezërit
Erik dhe Lyle Menendez

Dy vëllezërit që janë dënuar për vrasjen e prindërve të tyre në një rast që tronditi Shtetet e Bashkuara të Amerikën rreth 3 dekada më parë, janë vetëm një hap më afër lirimit me kusht.

Prokurori i Los Angeles ka rekomanduar që Erik dhe Lyle Menendez të ridënohen nga një gjykatës sepse provat e reja ia vlejnë të rishikohen. Vrasja në vitin 1989 e Kitty dhe Jose Menendez në vilën e tyre në Beverly Hills mori vëmendjen e amerikanëve për vite ndërsa së fundmi Netflix ka bërë një serial.

Që dy vëllezërit të fitojnë lirinë duhet që një gjyqtar të bjerë dakord me rekomandimet dhe më pas një bord i lirimit me kusht të vendosë për lirimin e tyre.

Aktualisht Erik, 53 vjeç dhe Lyle, 56 vjeç, janë duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm pa mundësinë për t’u liruar me kusht. Çështja përqendrohet në motivin e vrasjeve ku prindërit e tyre u qëlluan 13 herë teksa po shikonin televizor.

“Besoj se vëllezërit ishin subjekt i një mosfunksionimi të madh në familjen e tyre dhe ngacmimeve”, tha kryeprokurori i Los Angeles, George Gascon. Ai shtoi se për vrasjet nuk ka asnjë justifikim mirëpo beson se “ata e kanë paguar borxhin e tyre ndaj shoqërisë”.

Dy vëllezërit Menendez në gjykatë

Gjatë gjykimit që u bë në vitet 1990 prokurorët i përshkruan dy vëllezërit si fëmijë të pasur që planifikuan të merrnin pasurinë e prindërve. Por avokatët e tyre mbrojtës argumentuan se vëllezërit ishin viktima të abuzimit disavjeçar emocional, fizik dhe seksual. Sipas tyre ata vepruan në vetëmbrojtje.

Njoftimi nga prokurori Gascon, i cili ndodhet në një fushatë rizgjedhjeje në detyrë, ndjek provat e reja që lidhen me pretendimet e abuzimit seksual. Një provë e re është një letër nga Menendez drejt një anëtari të familjes në vitin 1988 me detaje nga abuzimi i pretenduar nga i ati, Jose.

Një provë tjetër vjen nga një anëtar i bandës Menudo. Ai pretendon se në vitet 1980 kur Jose Menendez punonte si drejtues i një kompanie regjistrimi, e drogoi dhe e përdhunoi gjatë një vizite në shtëpinë e tij. Çështja në fjalë nisi në 20 Gusht 1989 kur dy vëllezërit, asokohe 18 dhe 21 vjeç, telefonuan policinë dhe raportuan se gjetën trupat e pajetë të prindërve kur u kthyen në shtëpi.

Por a do të mund të lirohen dy vëllezërit?

Prokurori Gascon tha se zyra e tij planifikon të dërgojë një rekomandim për ridënim në gjykatë të premten. Aty do të përmbahen detaje dhe prova që argumentojnë për një dënim më të lehtë.

Pas kësaj do të planifikohet një seancë dëgjimore. Zyrtarët shpresojnë që ta bëjnë këtë brenda 30 ose 45 ditëve të ardhshme. Një gjyqtar do të peshojë argumentet për lirimin e tyre.

Por kjo seancë pritet që të ketë edhe ato kundër. Vetë Gascon theksoi se çështja ka ndarë zyrën e tij dhe anëtarë të stafit të tij mund të argumentojnë kundër tij në gjykatë. Të paktën një prej anëtarëve të familjes Menendez, i vëllai i Kitty-t, Milton Andersen, ka kritikuar prokurorin se luan politikë me çështjen.

Prokurori thotë se rekomandimet nëse aprovohen nga gjykatësi lejojnë mundësinë e lirimit me kusht për shkak të ligjit në Kaliforni dhe moshës së dy vëllezërve në kohën e krimit. Një bord i lirimit me kusht duhet të verifikojë rastin dhe rehabilitimin e dy vëllezërve më pas. Nëse bordi aprovon lirimin, ka një hallkë tjetër që mund ta refuzojë. Është Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom që mund ta bëjë diçka të tillë.

Në vitin 2023 dy vëllezërit nënshkruan një peticion ku tregonin provat e reja dhe kërkonin që dënimet e tyre të përfundojnë. Prokurori tha se zyra e tij po e shikonte çështjen prej një viti, por theksoi se e mori vendimin të enjten, një orë para se të fliste në publik për këtë çështje që ka një interes të madh në Amerikë.

erik dhe lyle menendez

Lini një Përgjigje