TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Dhjetor 2025, 16:41

Vuçiç: Jemi në bisedime për t’ia shitur ‘NIS’-in një kompanie hungareze

Shkruar nga Pamfleti

Vuçiç: Jemi në bisedime për t’ia shitur

Gjiganti rus i energjisë Gazprom ka nisur bisedime me kompaninë hungareze MOL për një shitje të mundshme të aksioneve të tij shumicë në NIS, rafinerinë e vetme të naftës në Serbi. Lajmi u bë i ditur të martën nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Sipas Vuçiçit, përfaqësuesit e Gazpromit po zhvillojnë negociata me disa palë, mes tyre edhe MOL-in hungarez, ndërsa Beogradi nuk kundërshton një marrëveshje të tillë.

Hungarezët janë miqtë tanë dhe ne nuk kemi asgjë kundër kësaj”, deklaroi Vuçiç para gazetarëve, duke shtuar se procesi duhet të përfundojë sa më shpejt, idealisht deri më 15 janar.

NIS është përfshirë në paketën e gjerë të sanksioneve të shpallura nga Shtetet e Bashkuara ndaj sektorit rus të naftës në janar, për shkak të luftës në Ukrainë. Megjithëse zbatimi i sanksioneve për kompaninë serbe u shty disa herë, ato hynë përfundimisht në fuqi më 8 tetor, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e saj.

Si pasojë e sanksioneve, bankat kanë ndaluar përpunimin e pagesave të NIS-it, ndërsa operatori kroat i tubacioneve JANAF ka ndërprerë furnizimin e rafinerisë me naftë bruto.

Aktualisht, Gazprom zotëron 11.3 për qind të aksioneve të NIS-it, ndërsa dega e tij e sanksionuar Gazprom Neft kontrollon 44.9 për qind. Qeveria e Serbisë ka 29.9 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa e mbetur u përket aksionarëve të vegjël dhe punonjësve.

Në të njëjtën kohë, Vuçiç konfirmoi se marrëveshja e furnizimit me gaz mes Serbisë dhe Rusisë do të zgjatet edhe për tre muaj, duke theksuar se Serbia mbetet një nga blerësit e paktë të mbetur të gazit natyror rus në Evropë.

Serbia, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vazhdon të përballet me presion nga vendet perëndimore për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, por deri tani nuk ka ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Lini një Përgjigje