Demokracitë liberale e shohin Rusinë e Putinit si një bulliste, dhe SHBA-në e Trumpit si një pijanec të zemëruar me një bazukë në duar. Përgjigja është helm i pastër...
Ka njerëz që thonë se lufta e Vladimir Putinit kundër Ukrainës nuk është e motivuar nga frika apo ambiciet perandorake, por nga mungesa e respektit nga vendet e tjera. Rusia kishte dikur autoritet si një nga dy superfuqitë e botës, por që nga ajo kohë e ka humbur këtë status.
Ajo e di që e ka humbur respektin e vendeve të tjera (për shembull, Barack Obama e quajti Rusinë një “fuqi rajonale”), dhe lufta në Ukrainë është mënyra e saj për ta rifituar atë. Por e habitshme është ndoshta fakti që edhe kthimi i Donald Trump kundër Evropës nxitet nga motive të ngjashme.
Putini e di që revanshizmi i tij agresiv nuk do t’i sjellë Rusisë ndonjë valë dashurie midis vendeve, respektin e të cilave ai e dëshiron. Por, nëse nuk mund të dashurohet, ai shpreson të paktën që të kihet frikë. Nëse gjendesh në një rend shoqëror që të konsideron inferior, atëherë ke çdo lloj nxitjeje për t’u bërë prishës i atij realiteti.
Po kështu, edhe Trumpi dëshiron të prishë një rend shoqëror që e sheh me përbuzje atë dhe botëkuptimin e tij. Presidenti i SHBA-së dhe zyrtarët e tij respektohen shumë nga diktatorët dhe mbretërit (megjithëse ndoshta jo nga ata, respektin e të cilëve ata duan më shumë, Putin dhe Xi Jinping), por ata e dinë se udhëheqësit e shumë vendeve të tjera demokratike i shohin me përçmim.
Tani është Amerika ajo që dëshiron të veprojë si prishëse, duke shkatërruar hierarkinë ekzistuese të respektit, për ta zëvendësuar atë me një botë ku Trumpi do të marrë nderime të pakushtëzuara. Evropa, me theksin e saj në sundimin e ligjit dhe multilateralizmin, është shembulli më i fortë i mbetur i një sistemi të tërë prestigji dhe vlerash, të cilin administrata Trump dëshiron ta shkatërrojë.
Ironia është se ishte pikërisht SHBA-ja që e ndërtoi dikur botën që Trumpi po synon sot ta shkatërrojë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Uashingtoni zhvilloi një ambicie të re globale. Republikanët dhe demokratët ndanin bashkërisht besimin se një botë e ndërtuar mbi vlerat amerikane do të ishte më e mirë për Amerikën.
SHBA-ja shpalli se demokracia dhe sundimi i ligjit ishin idealet sipas të cilave vendet duhet të vlerësohen. Pavarësisht hipokrizisë së dukshme (vetë Uashingtoni vepronte rregullisht në mënyra jo liberale dhe jo demokratike dhe preferonte më shumë të gjykonte sesa të gjykohej), ky ishte guri i themelit të “fuqisë së butë” amerikane; i aftësisë së saj për të ndikuar mbi botën në mënyrë të tërthortë përmes kulturës dhe vlerave.
Vende të tjera e shihnin SHBA-në si një model për t’u imituar. Evropa moderne ishte projekti më i madh i rendit të vjetër. Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja ndihmoi në rindërtimin e ekonomive të Evropës Perëndimore, duke nxitur suksesin e partive liberale dhe shpesh duke sabotuar në heshtje ato që i konsideronte shumë të majta ose shumë të djathta.
Bashkimi Evropian ka rrënjë historike në një marrëveshje të krijuar për të koordinuar ndihmën amerikane të shpërndarë përmes Planit Marshall. Ndërsa u zgjerua, ai ndërtoi një regjim të ri për Evropën, të bazuar në bashkëpunimin midis kombeve, rëndësinë e ligjit dhe demokracinë liberale.
Pasi mori fund dominimi sovjetik i Evropës Lindore, BE-ja u zgjerua për të përfshirë vende në jug dhe lindje të saj, me kushtin që ato të përvetësonin parimet demokratike. Në shumë mënyra, BE-ja mishëroi më shumë sesa vetë Amerika vlerat e rendit liberal të krijuar nga kjo e fundit.
Tani administrata Trump dëshiron ta shkatërrojë rendin e vjetër, duke e zëvendësuar atë me një rend të ri, të bazuar tek fuqia dhe interesi kombëtar. Strategjia e saj e re e Sigurisë Kombëtare shpall se dëshiron të “ruajë ‘pushtetin e butë’ të pakrahasueshëm të Shteteve të Bashkuara”, por se rruga për ta bërë këtë është përmes njohjes së “madhështisë dhe mirësjelljes së lindur të Amerikës”.
Trumpi mburret në parathënien e strategjisë duke thënë se më në fund, “Amerika është sërish e fortë dhe e respektuar”. Problemi është se kjo është pa asnjë dyshim e pavërtetë. Vendet që ende i përmbahen vlerave liberale nuk e respektojnë absolutisht SHBA-në e Trumpit.
Ato e trajtojnë atë si një njeri të dehur, të zemëruar dhe të paqëndrueshëm që ka një bazukë nëpër duar. Në këto kushte, ti i thua atij çfarëdolloj gjëje që shpreson se mund ta qetësojë, por sigurisht që në të vërtetë nuk e respekton. Pushteti i butë amerikan dhe ndikimi indirekt mbi demokracitë e tjera po zbehet gjithnjë e më shumë.
Kjo shpjegon edhe arsyen përse strategjia e sigurisë kombëtare e Trumpit shpenzon kaq shumë energji dhe helm duke denoncuar Evropën. Ndonëse SHBA-ja po heq dukshëm dorë nga ambicia për të ndryshuar botën, ajo thekson se do të ndërhyjë në Evropë për ta transformuar atë.
“MAGA” dëshiron të ndihmojë partitë evropiane që favorizon, por këtë herë ato janë në të djathtën ekstreme. Në vend që të promovojë bashkëpunimin evropian, siç bëri SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore, administrata Trump shpreson ta shndërrojë pakënaqësinë në shtetet e reja anëtare të BE-së në një pykë kundër vlerave liberale demokratike të BE-së, duke e shndërruar Evropën në një koleksion kombesh sovrane, shumë nacionaliste dhe kulturalisht “të bardha”.
Në këtë botë, Evropa nuk do të ishte më një pengesë për ideologjinë e MAGA-s. Sfida me të cilën përballet administrata Trump është se ajo nuk ka kapacitetin ose ambicien globale për të arritur këtë transformim.
Ashtu si Rusia, administrata aktuale dëshiron respekt, por s’ka fuqi të bëjë shumë më tepër sesa të veprojë thjesht si një prishëse e statuskuosë aktuale. Ajo dëshiron ta formësojë më shumë Evropën, në të njëjtën kohë kur dëshiron të angazhohet më pak në kontinentin e vjetër, duke u tërhequr nga roli i saj si garantuese e NATO-s.
Strategjia e Trumpit denoncon “kompleksin masiv ushtarak, diplomatik, të inteligjencës dhe të ndihmës së huaj” që ka mbështetur ambiciet globale të SHBA-së dhe po bën gjithçka që mundet për ta çmontuar atë. Por pa këtë kompleks, ajo nuk do të jetë në gjendje ta riformësojë Evropën sipas imazhit të saj.
Sigurisht, administrata Trump mund të përdorë ndërhyrje të shpërndara për ta ndëshkuar Bashkimin Evropian, ndërsa përpiqet të ndihmojë ngjitjen në pushtet të partive të ekstremit të djathtë. Ajo po u mohon tashmë vizat njerëzve që kanë vepruar si verifikues faktesh dhe moderatorë të mediave sociale, të cilët i akuzon për censurimin e pikëpamjeve të krahut të djathtë, dhe po e kërcënon BE-në për shkak të guximit të saj në rregullimin e shërbimeve të tilla si platforma X.
Por, siç tregon shembulli i Brazilit - ku kanë dështuar keq përpjekjet për të ndëshkuar zyrtarët dhe për të ndihmuar Zhair Bolsonaro - edhe kjo qasje ka të ngjarë t’i dëmtojë më shumë sesa t'i ndihmojë aleatët e saj ideologjikë.
Administrata Trump dëshiron përfitimet e respektit dhe fuqisë së butë globale, prandaj edhe po merret me Evropën. Por ashtu, ajo dëshiron të tërhiqet, duke zvogëluar kapacitetet e saj globale dhe duke e rikthyer SHBA-në në një fuqi rajonale si Rusia, e cila i përdor forcat e saj për të bërë presion ndaj vendeve fqinje. Por nuk mund t’i ketë që të dyja./Përshtati Pamfleti nga "The Guardian"
Lini një Përgjigje