
Kreu i BIA-s, Aleksandër Vulin, i sanksionuar së fundmi nga SHBA, së shpejti pritet që të shkarkohet nga posti i Drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA).
Sipas asaj që raporton media opozitare serbe “Danas”, drejtor i ri i shërbimit sekret serb do të jetë dikush nga radhët e Partisë Progresive Serbe – partisë së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Zëvendës i tij do të jetë dikush nga partia e Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç. Që nga sanksionimi i tij nga SHBA-të, Vulin pothuajse nuk është shfaqur fare në publik. Vendin e tij, siç raporton media serbe, mund ta zë ambasadori aktual i Serbisë në ShBA, Marko Gjuriç.
Vulin ka qenë njeri i afërt me Federatë Ruse. Ai kishte ardhur në krye të BIA-s më 2 dhjetor të vitit të kaluar. Departamenti Amerikan i Thesarit, të martën e 11 korrikut, e shpalli “non-grata” drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin-in.
Futja në listë të zezë të shefit të BIA-s serbe, Aleksandër Vulin, siç njofton Thesari Amerikan, nënvizon vendosmërinë e SHBA-ve për të mbajtur atë përgjegjës për përfshirje në marrëveshje korruptive që çojnë përpara agjendat politike dhe interesat personale të tij në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Duke arsyetuar vendimin e shpalljes “non-grata” të ministrit serb, Departamenti Amerikan në njoftimin për media, mban përgjegjës Vulin-in edhe për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese të cilat kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet malinje të Rusisë në rajon.
Aleksandar Vulin, sipas Thesarit Amerikan, ka qenë i implikuar në krimin e organizuar ndërkombëtar, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës publike.
Lini një Përgjigje