Sipas hetimeve, arma lodër e gjetur pranë trupit kishte vetëm ADN-në e efektivit. Prokuroria flet për veprim të qëllimshëm dhe me vetëdije…
Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në hetimet për vrasjen e një të riu gjatë një kontrolli policor në zonën e Rogoredos, në Milano. Policia ka arrestuar efektivin 41-vjeçar Carmelo Cinturrino, i dyshuar për vrasjen e Abderrahim Mansourit, i njohur si “Zack”, dhe për përpjekje për të inskenuar ngjarjen.
Sipas Corriere della Sera, fotografia e parë e trupit, e realizuar nga vetë Cinturrino me telefonin e tij përpara mbërritjes së ndihmës së shpejtë, ka ngritur dyshime të menjëhershme tek hetuesit. Viktima shihet e shtrirë me fytyrë nga lart, ndërsa në fytyrë duken gjurmë balte. Sipas rindërtimit të hetimit, Mansouri kishte rënë fillimisht me fytyrë në baltë pasi ishte qëlluar, çka sugjeron se trupi është rrotulluar më pas.
Ngjarja ndodhi pasditen e 26 janarit. Fillimisht, versioni i paraqitur nga policët e pranishëm ishte se Mansouri kishte drejtuar një armë ndaj efektivit, i cili kishte reaguar duke qëlluar. Megjithatë, hetimet e mëvonshme dhe dëshmitë e reja kanë ndryshuar këtë narrativë.
Një dëshmitar, një shtetas afgan me probleme të varësisë, i cili asistoi në skenë, deklaroi para prokurorit Giovanni Tarzia se Mansouri mbante në një dorë telefonin dhe në tjetrën një gur. Sipas tij, kur pa policin, ai ngriti dorën sikur do ta hidhte gurin. Në atë moment, Cinturrino nxori armën dhe qëlloi. Dëshmitari shtoi se viktima u rrëzua përpara, me fytyrë nga toka.
Një tjetër person, i cili ishte në linjë telefonike me Mansourin në momentin e të shtënës, konfirmoi se e dëgjoi krismën në orën 17:32. Thirrja për ndihmë në urgjencë u bë nga Cinturrino vetëm në orën 17:55, rreth 23 minuta më vonë.
Katër policët që ndodheshin në vendngjarje, fillimisht kishin mbështetur versionin se viktima ishte e armatosur. Vetëm pasi u hetuan për favorizim dhe mosdhënie ndihme, ata ndryshuan deklarimet. Njëri prej tyre, 28 vjeç, pranoi se askush nuk kishte bërtitur “ndal, polici” dhe se Mansouri nuk kishte armë. Sipas tij, pasi qëlloi, Cinturrino u afrua dhe e rrotulloi trupin. Më pas, ai i dha çelësat e makinës një kolegu për të marrë një “çantë dokumentesh” nga komisariati. Kur kolegu u kthye, Cinturrino hapi bagazhin, mori një objekt të zi nga çanta dhe u kthye me vrap drejt trupit të viktimës.
Ekspertiza shkencore konfirmoi se në armën lodër të gjetur pranë trupit kishte vetëm ADN-në e Cinturrinos, në pjesë si këmbëza, çekiçi dhe doreza. Nuk u gjetën gjurmë biologjike të Mansourit.
Sipas prokurorëve Tarzia dhe Marcello Viola, efektivi ka vepruar “me vetëdije dhe kthjelltësi”, ndërsa në dokumentet hetimore flitet për “një profil shqetësues për rrezikshmërinë e të dyshuarit”. Hetuesit vlerësojnë se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.
Cinturrino u ndalua në parkingun e komisariatit, sapo kishte mbërritur nga Carpiano, ku banon. Gjatë ndalimit, ai u tha kolegëve: “bëni atë që duhet të bëni”. Sipas raportimit të Corriere della Sera, ai i ka deklaruar avokatit të tij se e kishte vendosur armën pranë Mansourit nga frika e pasojave të ngjarjes.
Sot pritet të zhvillohet marrja në pyetje para gjyqtarit hetues në burgun e San Vittores. Shefi i policisë Vittorio Pisani e ka cilësuar Cinturrinon “kriminel”, ndërsa autoritetet vendore kanë deklaruar se do të veprojnë me ashpërsi ndaj çdo shkeljeje të ligjit nga forcat e rendit.
Lini një Përgjigje