Hetimet çuan tek një person kyç që mundësoi aksesin në strehën e tij, i përshkruar si një “njeri i besuar” i një prej partnereve të liderit të kartelit.
Forcat e sigurisë së Meksikës vranë të dielën Nemesio “El Mencho” Oseguera Cervantes, liderin më të kërkuar të kartelit në vend, gjatë një operacioni të shkallës së lartë që u pasua nga valë dhune dhe trazirash në disa zona.
Oseguera drejtonte dhe kishte bashkëthemeluar Kartelin Jalisco “Nueva Generación”, një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë. Në vitet e fundit, ky grup zgjeroi ndjeshëm ndikimin dhe u bë një nga furnizuesit kryesorë të metamfetaminës dhe fentanilit drejt Shteteve të Bashkuara.
Operacioni u zhvillua në një moment kyç për Meksikën, ndërsa presidentja Claudia Sheinbaum përballet me presion në rritje nga presidenti amerikan Donald Trump për të forcuar luftën kundër trafikut të drogës. Ngjarja ndodh gjithashtu pak muaj përpara se Guadalajara të presë katër ndeshje të fazës në grupe të Kupës së Botës 2026.
Si u realizua operacioni?
Pas viteve ndjekjeje, më 20 shkurt forcat meksikane morën informacion të saktë për vendndodhjen e Osegueras. Sipas sekretarit të Mbrojtjes, Ricardo Trevilla Trejo, hetimet çuan tek një person kyç që mundësoi aksesin në strehën e tij, i përshkruar si një “njeri i besuar” i një prej partnereve të liderit të kartelit.
Të nesërmen, partnerja u largua nga kompleksi i kabinave në periferi të Tapalpës, ndërsa Oseguera mbeti aty me truprojat e tij.
Forcat speciale dhe Njësia e Reagimit të Menjëhershëm e Gardës Kombëtare hartuan planin dhe ndërmorën bastisjen brenda 24 orëve. Për të shmangur dyshimet, operacioni u mbështet kryesisht në forca tokësore, me mbështetje të kufizuar ajrore nga helikopterë.
Trupat rrethuan kompleksin dhe u afruan drejt objektivit, por u përballën me zjarr nga vartësit e Osegueras. Pamjet e siguruara nga dëshmitarë tregojnë forca të armatosura dhe mjete të blinduara që përparojnë drejt zonës malore pranë Tapalpës, ku ndodhet kompleksi turistik Cabañas La Loma. Objekti ishte sanksionuar më herët nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së për mbështetje materiale ndaj aktiviteteve të trafikut të drogës.
Shkëmbimi i zjarrit la të vrarë tetë anëtarë të kartelit dhe plagosi dy ushtarë, sipas autoriteteve. Oseguera dhe disa bashkëpunëtorë u tërhoqën drejt një zone të pyllëzuar, duke lënë pas një grup të armatosur që vazhdoi përplasjen.
Një njësi e Forcave Speciale i ndoqi dhe i gjeti të fshehur në pyll. Pas një përplasjeje tjetër, forcat arrestuan Osegueran dhe dy truprojat e tij, të tre të plagosur rëndë. Autoritetet vendosën t’i transportonin me helikopter drejt një spitali në Guadalajara.
Megjithatë, gjatë fluturimit, të tre ndërruan jetë. Për shkak të frikës nga reagime të dhunshme në Guadalajara, autoritetet devijuan helikopterin drejt aeroportit ndërkombëtar të Morelias, prej nga trupat u transportuan në Mexico City.
Dhunë pas operacionit
Vdekja e Osegueras nxiti reagime të dhunshme në disa rajone. Banda të armatosura ngritën bllokada me zjarr në rrugë dhe u përfshinë në përplasje me ushtrinë. Linjat ajrore pezulluan fluturimet drejt zonës, ndërsa autoritetet amerikane u kërkuan shtetasve të tyre të qëndronin në ambiente të sigurta. Gjatë trazirave humbën jetën 25 anëtarë të policisë ushtarake të Gardës Kombëtare.
Të hënën, presidentja Sheinbaum bëri thirrje për qetësi dhe deklaroi se prioritet mbetet garantimi i paqes dhe sigurisë në të gjithë vendin. Ajo siguroi se autoritetet po punojnë për të rikthyer normalitetin.
Pse pikërisht tani?
Operacioni vjen në një periudhë të ndjeshme politike. Me deklaratat e Donald Trump për mundësinë e ndërhyrjeve ndërkufitare, qeveria meksikane kërkon të tregojë vendosmëri në luftën kundër karteleve.
Megjithatë, vendimi për të goditur liderin e kartelit pak muaj para Kupës së Botës përbën edhe një rrezik të llogaritur, duke pasur parasysh ndikimin e mundshëm në sigurinë dhe imazhin e vendit. Guadalajara pritet të përfitojë ekonomikisht nga organizimi i ndeshjeve, dhe stabiliteti mbetet thelbësor për turizmin.
Shtetet e Bashkuara e kishin shpallur Osegueran “terrorist global të përcaktuar posaçërisht” dhe kishin vendosur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për kapjen e tij.
Armando Vargas nga organizata analitike México Evalúa vlerëson se shteti meksikan bëri një llogaritje strategjike dhe shfrytëzoi momentin më të favorshëm për kapjen e tij, duke konsideruar se kishte kapacitet për të përballuar pasojat afatshkurtra.
Sipas tij, megjithëse dhuna ishte e pritshme, fragmentimi i menjëhershëm i kartelit duket i pamundur, pasi një pjesë e strukturës drejtuese vazhdon të operojë me autonomi lokale.
Edhe analistë të tjerë theksojnë se eliminimi i Osegueras ka rëndësi të madhe simbolike, por paralajmërojnë se mund të hapë mundësi për përplasje të brendshme ose për përparim të karteleve rivale në territoret e Jalisco-s.
Në çdo rast, autoritetet meksikane shpresojnë që ky zhvillim të perceptohet si një hap domethënës në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në raport me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara./ Përshtati "Pamfleti" nga "CNN"
Lini një Përgjigje