Shefi i sigurisë së Iranit, Ali Larijani, ka paralajmëruar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se vrasja e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, do të ketë pasoja të rënda për Uashingtonin.
Reagimi i tij vjen pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, gjatë të cilave, u vra edhe lideri iranian.
Në një postim në platformën X, Larijani shkroi se Trump “e ka tërhequr popullin amerikan në një luftë të padrejtë me Iranin”, duke e akuzuar se është ndikuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas tij, vendimi i presidentit amerikan është rezultat i asaj që ai i cilësoi si “lojëra qesharake”. “A vjen ende Amerika e para, apo Izraeli?”, shkroi Larijani.
Ndërkohë, tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm që prej 28 shkurtit, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një seri sulmesh të gjera ndaj objektivave në Iran. Që nga ajo datë, sulmet kanë vijuar në zona të ndryshme të vendit.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Uashingtoni ishte në dijeni të planit të Izraelit për goditjet ndaj Iranit. Sipas tij, SHBA u detyrua të vepronte paraprakisht për shkak të rrezikut nga sulme të mundshme iraniane ndaj forcave amerikane në rajon.
Lini një Përgjigje