
Ministria e Jashtme e Izraelit publikoi një hartë informuese që tregon shtrirjen e mundshme të raketave balistike iraniane, duke argumentuar se kapaciteti ushtarak i Teheranit shkon përtej Lindjes së Mesme dhe prek edhe pjesë të Evropës.
Në hartë, Irani paraqitet si pika qendrore nga e cila shtrihen disa rreze që mbulojnë një hapësirë të gjerë gjeografike: nga Lindja e Mesme deri në pjesë të Evropës Juglindore dhe Qendrore. Sipas mesazhit të shoqëruar me grafikën, “kapaciteti balistik i Iranit shtrihet përtej Lindjes së Mesme” dhe regjimi iranian paraqitet si një faktor që kërcënon stabilitetin ndërkombëtar.
Sipas vlerësimeve të analistëve të mbrojtjes, shumica e raketave balistike iraniane janë me rreze të mesme veprimi, zakonisht nga rreth 1,000 deri në mbi 2,000 kilometra. Modele si Shahab-3, Ghadr-110, Emad apo Khorramshahr mund të arrijnë objektiva në një rreze deri në rreth 2,000 kilometra, duke mbuluar një pjesë të madhe të rajonit dhe disa zona të Evropës lindore dhe juglindore.
Iran’s ballistic capability spans beyond the Middle East. The Iranian Ayatollah regime is threatening world peace. pic.twitter.com/VKTAmf3Qaq
— Israel Foreign Ministry (@IsraelMFA) March 2, 2026
Brenda kësaj distance përfshihen vende të Mesdheut lindor, Turqia, pjesë të Evropës Qendrore dhe disa zona të Evropës Juglindore. Në disa analiza të publikuara së fundmi përmenden edhe qytete si Vjena, Budapesti apo Varshava si zona që teorikisht mund të hyjnë në këtë rreze veprimi.
Në këtë kontekst, edhe rajoni i Ballkanit shihet në disa skenarë teorikë si pjesë e hapësirës që mund të mbulohet nga raketa me rreze të mesme veprimi, në varësi të vendndodhjes së lëshimit dhe llojit të raketës. Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto harta tregojnë kapacitete teknike të mundshme, jo objektiva konkrete.
Irani konsiderohet të ketë arsenalin më të madh të raketave balistike në Lindjen e Mesme dhe ka investuar prej vitesh në zhvillimin e këtyre sistemeve si pjesë e strategjisë së tij të parandalimit ushtarak.
Publikimi i hartës nga diplomacia izraelite vjen në një moment të tensioneve të larta në rajon dhe synon të theksojë dimensionin global të debatit mbi programin raketor të Iranit. Në të njëjtën kohë, ekspertët e sigurisë theksojnë se çdo skenar i tillë varet nga shumë faktorë ushtarakë dhe politikë dhe nuk përbën domosdoshmërisht një kërcënim të menjëhershëm për Evropën.
Lini një Përgjigje