TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Qershor 2026, 14:14

Meloni “hap luftë” me Rutte-n, Macron shpall aleancën e re me Italinë

Shkruar nga Pamfleti
Meloni “hap luftë” me Rutte-n, Macron shpall aleancën e re
Meloni e Macron

Në samitin e 36-të italo-francez në Antibes, Macron dhe Meloni riafirmuan bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve, nënshkruan 7 marrëveshje dhe shprehën qëndrime të përbashkëta për energjinë, Ukrainën dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa kryeministrja italiane kritikoi deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me Iranin...

"Italia dhe Franca janë partnerë të domosdoshëm. Ky është kuptimi i Traktatit të Kuirinalit që kemi nënshkruar", deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron në përfundim të Samitit të 36-të Itali-Francë, të mbajtur në Antibes.

Ndërsa Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni theksoi se "pa Italinë dhe Francën, Evropa dhe Perëndimi nuk do të ishin ato që janë".

Ky ishte një samit i pritur prej kohësh dhe i shtyrë disa herë. Një takim zyrtar mes Italisë dhe Francës mungonte që nga viti 2020, kur Macron vizitoi Napolin pak para vendosjes së izolimit për shkak të pandemisë së COVID-19. Organizimi i tij kërkoi kohë për shkak të vështirësive në axhendat e dy liderëve dhe disa mospajtimeve politike. Megjithatë, në fund Macron dhe Meloni u shfaqën së bashku, duke rilançuar boshtin italo-francez, i cili mbështetet tradicionalisht te ekonomia, por tashmë edhe te çështjet madhore të politikës ndërkombëtare, pa fshehur dallimet në qëndrime që kanë ekzistuar në të kaluarën dhe që mund të shfaqen sërish.

"Besoj se bashkëpunimi mes Italisë dhe Francës tregon se marrëdhëniet tona nuk kanë qenë të ngrira, por marrëdhënie mes njerëzve seriozë që flasin për politikën", tha Meloni, duke shtuar "ne mbrojmë interesat tona kombëtare, por dimë edhe të punojmë së bashku."

Macron u shpreh në të njëjtën linjë: "të gjithë jetojmë nën të njëjtën klimë, e cila është e ngrohtë; mes nesh nuk ka asgjë të ngrirë. Ne mbrojmë interesat e vendeve tona, por e bëjmë këtë me respekt dhe angazhim."

Mes thirrjeve reciproke "e dashur Giorgia" dhe "Emmanuel", si edhe frazave "jam plotësisht dakord" dhe "nuk mund ta thosha më mirë", Meloni dhe Macron shfaqën një mirëkuptim personal të bazuar te sinqeriteti. Ky bashkëpunim u konkretizua me shtatë marrëveshje të nënshkruara dhe me mirëkuptime në disa çështje kyçe për zhvillimin e dy vendeve brenda Bashkimit Evropian, përfshirë energjinë bërthamore.

"Sot është më e nevojshme se kurrë të forcojmë pavarësinë energjetike. Franca bëri vite më parë një zgjedhje të qartë në favor të energjisë bërthamore dhe me Italinë do të bashkëpunojmë për zhvillimin e një lloji të ri reaktori civil", tha Macron.

Kompania italiane Edison nënshkroi, së bashku me EDF, Nuward dhe operatorët e industrisë bërthamore italiane, një deklaratë synimi për zhvillimin e përbashkët të një impianti bërthamor evropian të gjeneratës së tretë, të bazuar në teknologjinë Small Modular Reactor (SMR) të Nuward. Synimi është që impiantet e para të jenë funksionale deri në vitin 2035.

Meloni falënderoi Macron edhe për suksesin e samitit të G7 në Evian, duke vlerësuar se ai shënoi një rreshtim të ri të Perëndimit, veçanërisht për shkak të afrimit të qëndrimit amerikan në mbështetje të Ukrainës.

Problemet, sipas saj, nisën pas samitit të Evianit, kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri deklarata të papritura duke lënë të kuptohej se Italia kishte ndihmuar sulmin e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit.

Meloni shfrytëzoi konferencën për shtyp në Antibes për ta sqaruar edhe një herë këtë çështje.

"Ne nuk kemi marrë pjesë në konfliktin me Iranin. Përndryshe nuk do të shpjegohej zhgënjimi i shprehur disa herë nga presidenti amerikan. Ne kemi respektuar angazhimet tona, duke vënë në dispozicion bazat vetëm për aktivitete logjistike dhe teknike", tha ajo.

Ajo shtoi: "në rindërtimin e tij, le ta quajmë kështu, tepër entuziast, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka bashkuar çështje të ndryshme, duke ngatërruar llojet e fluturimeve që ishin autorizuar (...). Nuk di të them se si lindi ky interpretim kaq i thjeshtuar. Ndoshta ishte një përpjekje për të përgatitur sa më mirë samitin e NATO-s, por në çdo rast besoj se duhet treguar maturi kur flitet për çështje të tilla."

Samiti i Antibes, së bashku me Forumin e Biznesit të zhvilluar në Le Cannet, solli marrëveshje në një gamë të gjerë fushash: nga energjia bërthamore dhe sektori i hapësirës, te krijimi i një koalicioni që do të zëvendësonte misionin UNIFIL në Liban, partneriteti mes bankës publike franceze Bpifrance dhe CDP Venture Capital të Italisë për investime në inovacion, si dhe zhvillimi i linjës hekurudhore që lidh Gjenovën me Marsejën. /Përshtati Pamfleti nga Corriere/

 

meloni macron nato

1 Komente

  1. T
    Tony

    Mire e ka Trump qe ua dhjeu ketyre lavireve te Europes, qe nuk kane pike bese e orientimi. Trump duket si i lehtuar por nuk eshte ashtu si kujtojme ne. Mos harrojme se ka ujqer te vertete nga pas.

    Lini një Përgjigje