
Vrasja e një anëtari të dyshuar të kartelit australian "Coconut Cartel" në Vietnam, rritja e dhunës në rrugët e Sidneit dhe sekuestrimi rekord i 2.7 tonëve kokainë tregojnë se lufta për kontrollin e tregut të drogës në Australi dhe Zelandën e Re po zhvillohet në disa kontinente…
Lufta mes organizatave kriminale për kontrollin e tregut të kokainës në Australi dhe Zelandën e Re ka kaluar prej kohësh kufijtë e Oqeanisë. Ajo shtrihet nga Amerika e Jugut, ku prodhohet kokaina, deri në ishujt e Paqësorit, Azinë Juglindore dhe qytetet australiane, duke përfshirë rrjete kriminale që operojnë në disa shtete njëherazi. Vrasja e një anëtari të dyshuar të kartelit "Coconut Cartel" në Vietnam është shembulli më i fundit i këtij fenomeni, sipas një analize të CNN.
Më 21 maj, Lorenzo Lemalu, 24 vjeç, i identifikuar nga autoritetet si pjesë e "Coconut Cartel", doli nga një restorant në Ho Chi Minh City kur një person iu afrua nga pas dhe hapi zjarr. Kamerat e sigurisë tregojnë Lemalu duke u përpjekur të largohet para se të rrëzohej në trotuar. Ai u tërhoq brenda restorantit nga persona të pranishëm, të cilët tentuan t'i jepnin ndihmën e parë, por nuk arritën ta shpëtonin. Një tjetër person që ndodhej me të mbeti i plagosur rëndë.
Tre ditë pas atentatit, autoritetet vietnameze njoftuan arrestimin e dy shtetasve samoanë pranë kufirit me Kamboxhian. Mediat shtetërore raportuan se të dy, rreth të njëzetave, kishin deklaruar se sulmi ishte organizuar nga një person që ndodhej jashtë Vietnamit. CNN thekson se nuk ka mundur të kontaktojë avokatët e tyre dhe as të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet.
Edhe pse atentati ndodhi në Vietnam, pasojat u ndjenë menjëherë në Sidnei, ku prej më shumë se një viti vazhdon një konflikt i dhunshëm mes organizatave kriminale që luftojnë për kontrollin e trafikut të drogës. Sipas Policisë së Uellsit të Ri Jugor, grupet kriminale po drejtojnë operacionet nga jashtë Australisë, ndërsa në terren përdorin persona të paguar për të kryer atentate, zjarrvënie, rrëmbime dhe akte të tjera dhune.
Sipas kriminologut Vince Hurley, ish-hetues i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, konflikti aktual nisi në fillim të vitit 2025 mes "Coconut Cartel" dhe familjes kriminale Alameddine. Ai e përshkruan kartelin si një grup që fillimisht vepronte si "forcë e armatosur me pagesë" për organizata të tjera kriminale, por që më pas u përfshi në konflikt me ish-bashkëpunëtorët për çështje financiare. Emri "Coconut Cartel", sipas tij, është zgjedhur për të përmbysur një nofkë fyese historike ndaj komuniteteve të ishujve të Paqësorit.
Dhuna nuk është kufizuar vetëm te anëtarët e grupeve rivale. Në prag të funeralit të Lemalu, një person i armatosur me pushkë gjysmëautomatike qëlloi rreth 30 plumba drejt godinës ku ishte planifikuar ceremonia mortore në Sidnein perëndimor. Në atë moment nuk ndodhej askush në ndërtesë, por policia deklaroi se sulmi mund të kishte shkaktuar shumë viktima nëse ceremonia do të ishte zhvilluar sipas planit. I dyshuari për sulmin ishte vetëm 17 vjeç.

Autoritetet australiane thonë se përfshirja e adoleshentëve dhe të rinjve në krimin e organizuar është një nga zhvillimet më shqetësuese të viteve të fundit. Sipas hetuesve, janë arrestuar djem dhe vajza 17 dhe 18 vjeç të dyshuar për pjesëmarrje në komplote për vrasje, mbikëqyrje të objektivave dhe mbajtje armësh. Policia thekson se shumë prej tyre nuk janë besnikë të ndonjë organizate kriminale dhe shpesh nuk e dinë as identitetin e personit që kanë marrë përsipër të sulmojnë. Ata joshen kryesisht nga pagesat e larta për kryerjen e detyrave të caktuara.
Hetuesit u kanë bërë thirrje familjeve të jenë vigjilente ndaj shenjave që mund të tregojnë përfshirje të të rinjve në rrjetet kriminale, si pasuri e pajustifikuar, lëvizje gjatë orëve të vona të natës ose përdorimi i shumë telefonave celularë.
Sipas raportit më të fundit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), Australia dhe Zelanda e Re përbëjnë tregun më fitimprurës në botë për kokainën. Në vitin 2024, rreth 4.2 për qind e popullsisë së moshës 15-64 vjeç përdori kokainë, më shumë se dyfishi i nivelit të regjistruar në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Çmimet shumë të larta të drogës në këto vende krijojnë fitime të jashtëzakonshme për organizatat kriminale dhe nxisin shtimin e dërgesave nga Amerika e Jugut.
Rruga kryesore e trafikut kalon përmes Oqeanit Paqësor. Trafikantët transportojnë kokainën nga Amerika Latine drejt Oqeanisë, duke përdorur ishuj si Fixhi, Ishujt Solomon dhe shtete të tjera të vogla si pika tranziti. Ekspertët e UNODC thonë se organizatat kriminale po shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë këtë itinerar, pasi ai tërheq më pak vëmendje sesa rrugët tradicionale drejt Evropës.

Policia Federale Australiane njofton se vetëm gjatë këtij viti janë sekuestruar 17 tonë drogë në rajonin e Paqësorit, kryesisht kokainë, më shumë se trefishi i sasisë së kapur gjatë gjithë vitit të kaluar. Një pjesë e drogës është zbuluar në anije mallrash, ndërsa raste të tjera kanë përfshirë mjete gjysmë të zhytshme në ujë, të njohura si "narco-subs", të cilat janë më të vështira për t'u zbuluar nga sistemet e mbikëqyrjes.
Megjithatë, autoritetet besojnë se sasi të konsiderueshme droge arrijnë të kalojnë pa u zbuluar. Në Zelandën e Re, analizat e ujërave të zeza kanë treguar nivele shumë të larta të konsumit të kokainës gjatë muajve të fundit të vitit 2025, ndërsa çmimi i metamfetaminës ka rënë, një tregues se furnizimi mbetet i bollshëm.
Ekspertët paralajmërojnë se ndikimi i këtyre rrjeteve nuk kufizohet vetëm te trafiku i drogës. Profesori i së drejtës ndërkombëtare Alexander Gillespie vlerëson se korrupsioni është pasoja më e rrezikshme, pasi organizatat kriminale përpiqen të korruptojnë zyrtarë doganorë dhe efektivë policie, veçanërisht në shtetet e vogla ishullore me burime të kufizuara ekonomike. Sipas tij, këto vende janë më të cenueshme ndaj presionit dhe ryshfetit.
Edhe arrestimi i dy samoanëve për atentatin në Vietnam ka shkaktuar debat në Samoa. Kryeministri i vendit ka deklaruar se të rinjtë po përdoren nga rrjetet e trafikut të drogës. Kriminologia Emma Tufuga, me origjinë nga Samoa, thotë se rekrutimi i tyre bëhet përmes miqve, rrjeteve sociale dhe premtimeve për para ose ndjenjë përkatësie. Ajo thekson se bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të fokusohet jo vetëm te goditja e trafikantëve, por edhe te parandalimi dhe mbrojtja e komuniteteve të cenueshme.

Një tjetër goditje e rëndësishme ndaj trafikut të drogës u regjistrua këtë javë në Australi. Policia federale dhe ajo e shteteve australiane sekuestruan 2.7 tonë kokainë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vend. Droga ishte fshehur në enë plastike të groposura nën tre kontejnerë transporti në një pronë në perëndim të Sidneit. Sipas autoriteteve, sasia e sekuestruar do të mjaftonte për rreth tre milionë doza në tregun e rrugës.
Hetimi nisi pasi policia në Queensland gjeti 40 kilogramë kokainë që lundronin pranë një rampe për varka pas raportimit të një zjarri në një kamion. Gjurmët çuan hetuesit në Sidnei dhe më pas në Ishujt Solomon, ku autoritetet lokale kishin vënë nën vëzhgim një anije mallrash me flamur të Belizes. Pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet australiane, anija u ndalua dhe ekuipazhi u mor në pyetje. Policia australiane vazhdon të hetojë itinerarin e saj dhe dyshon se ngarkesa ishte porositur nga një grup kriminal me bazë në Sidnei. Deri tani janë arrestuar gjashtë persona.
Policia e Uellsit të Ri Jugor deklaron se aksionet e fundit kanë çuar në arrestimin e organizatorëve lokalë, ndërmjetësve dhe personave të kontraktuar për kryerjen e sulmeve. Sipas autoriteteve, për herë të parë pas një periudhe të gjatë, hetuesit besojnë se kanë arritur të vendosen në të njëjtin nivel me rrjetet kriminale në luftën kundër tyre. Megjithatë, analistët e krimit paralajmërojnë se humbjet e mëdha financiare nga sekuestrimet e drogës mund të sjellin një valë të re hakmarrjesh mes organizatave rivale. /Përshtati Pamfleti nga Cnn/
Lini një Përgjigje