TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Mars 2026, 18:03

Irani rinis sulmet, shpërthime në Jerusalem; alarm brenda ambasadës së SHBA në Bagdad

Shkruar nga Pamfleti
Irani rinis sulmet, shpërthime në Jerusalem; alarm brenda
Vijojnë sulmet

Shpërthime u dëgjuan në Jerusalem pas një vale alarmesh ajrore që u aktivizuan në disa qytete të Izraelit, ndërsa ushtria izraelite njoftoi për lëshimin e raketave nga Irani dhe për sulme me dronë nga Libani.

Sipas gazetarëve të AFP, në Jerusalem sirenat ranë disa herë gjatë pasdites, me katër alarme brenda më pak se tre orësh. Pas aktivizimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore u dëgjuan edhe disa shpërthime, që besohet të jenë rezultat i interceptimeve të raketave.

Policia izraelite bëri të ditur se ka dislokuar forca në pesë zona të ndryshme në rajonin e Jerusalemit pasi u raportua për rënie fragmentesh nga raketa të interceptuara. Disa dëme materiale janë raportuar, por deri tani nuk ka informacione për viktima.

Sirena alarmi u dëgjuan gjithashtu në Tel Aviv, qyteti kryesor në qendër të vendit, si dhe në Haifa dhe në disa zona të tjera në veri të Izraelit.

Ushtria izraelite deklaroi se ka identifikuar raketa të lëshuara nga Irani dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për të “interceptuar kërcënimin”. Në të njëjtën kohë u raportua edhe për disa dronë të lëshuar nga Libani, pranë kufirit verior të Izraelit, të cilët sipas ushtrisë “në pjesën më të madhe janë interceptuar”.

Ndërkohë, sipas burimeve të sigurisë, sirena alarmi u dëgjuan edhe brenda ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bagdad, në kryeqytetin e Irakut, në një tjetër tregues të tensioneve të larta në rajon.

Zhvillimet vijnë në një moment të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, me shkëmbime të vazhdueshme sulmesh mes Iranit dhe Izraelit dhe me përfshirjen e aktorëve të tjerë rajonalë në përplasjen në rritje.

sulme iran izrael

Lini një Përgjigje