
Situata humanitare në Liban po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndërsa bombardimet izraelite në disa zona të vendit vijojnë prej disa ditësh. Mes pasigurisë dhe përshkallëzimit të konfliktit, shumë qytetarë po përpiqen të sigurojnë furnizime mjekësore jetike.
Cyrine Farhat, një 34-vjeçare nga Bejruti dhe nënë e dy fëmijëve që vuan nga diabeti i tipit 1, e përshkroi situatën si një “krizë të madhe”.
“Situata në terren është jashtëzakonisht e tensionuar”, tha ajo, duke përmendur “bombardimet e vazhdueshme dhe përshkallëzimin e shpejtë” të dhunës në kryeqytetin libanez.
Sipas saj, vendi po përballet edhe me një mungesë serioze të insulinës me veprim të shkurtër, një ilaç jetik për personat me diabet të tipit 1. Farhat tregoi se ka kontrolluar disa farmaci për të siguruar insulinën e nevojshme, por pa sukses.
“Kjo është një krizë e madhe. Personalisht, nuk kam më stok dhe arrita të siguroj vetëm një kuti, e cila do të më mjaftojë për rreth një muaj”, tha ajo për CNN.
Sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit, mungesa e insulinës për pacientët me diabet të tipit 1 mund të shkaktojë ketoacidozë diabetike (DKA), një gjendje e rrezikshme që, nëse nuk trajtohet, mund të çojë shpejt në vdekje.
Farhat tha se furnizuesit nuk kanë dhënë një afat të qartë se kur farmacitë do të furnizohen sërish me insulinë.
“Nuk ka asnjë arsye apo shpjegim të qartë se kur do të rikthehen furnizimet”, theksoi ajo.
34-vjeçarja është gjithashtu themeluese e organizatës jofitimprurëse “Positive on Glucose”, që mbështet personat me diabet. Sipas saj, shumë pacientë të tjerë me diabet të tipit 1 po i drejtohen për ndihmë, pasi edhe ata nuk po arrijnë të gjejnë insulinë.
“Të tjerë po më kërkojnë ndihmë sepse nuk gjejnë insulinë, por unë nuk jam në gjendje t’i ndihmoj”, tha Farhat, duke shtuar se ankthi dhe pasiguria që përjetojnë qytetarët është shumë e madhe për shkak të luftës dhe mungesës së barnave jetike.
Lini një Përgjigje